Pse u rikthye Jahmir Hyka?

Intervista - - FAQE 1 -

Lojtari i kombëtares shqiptare Jahmir Hyka është rikthyer në përfaqësuese pas 2 vitesh mungese. Futbollisi shtatshkurtër është grumbulluar përsëri nga trajneri kuqezi Xhani De Biazi në ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin. Hyka ka luajtur në formacion në miqësoren që zhvilloi Shqipëria me Marokun në “Loro Boriçi” dhe duket se një emocion të tillë do e provojë dhe në takimin ndaj Maqedonisë.

Jahmiri është një djalë i qetë dhe shumë pozitiv, që shquhet për mirësjelljen dhe altruizmin e tij. Takimi me të, të lind gjithmonë dëshirën për të zgjatur bisedën, pasi jo vetëm që ka shumë për të treguar, por edhe sepse rrëfen shumë këndshëm. Në këtë intervistë për gazetën “Intervista”, Hyka tregon hapat e vështirë dhe të bukur drejt futbollit, por edhe jetën e tij private.

Eraldo Harlicaj: - Përshëndetje Jahmir dhe urime për rikthimin në kombëtare …

Jahmir Hyka: - Faleminderit nga zemra. - Dy vjet larg dhe rikthehni në formacionin titullar…

- E vërtetë, si sillet rrota...! Gjithçka ndodhi shumë shpejt, sa nuk di ç‘të them, por ishte një ndryshim i bukur.

- A mund të na tregoni pak nga emocionet tuaja në takimin ndaj Marokut?

- Në fillim të ndeshjes kur është kënduar himni, apo edhe kur hyra në atë stadium të ri kisha emocione shumë të mëdha, aq sa më janë dridhur edhe këmbët. 10- 15 minutat e para kam qenë i rrëmbyer nga emocionet, më pas u lirova. -Sa ju shërbeu ky takim?

- Mendoj se shërbeu shumë përpara ndeshjes shumë të rëndësishmë me Maqedoninë. Provuam disa skema të reja. Do të donim fitoren, por nuk është gjithçka në dorën tonë.

- Gjeni një ambient të ndryshuar, me lojtarë të rinj. A ndjeheshit rehat?

- Në Kombëtare gjithmonë ndjehesh rehat, pasi je në shtëpinë tënde. Unë kam gjetur djem shumë të mirë dhe afrimet e reja në kombëtare e kanë ngjitur ekipin në një nivel tjetër më

të lartë. - Jeni përshtatur me to?

- Po menjëherë. Si me lojtarët e rinj, si me detyrat, apo kërkesat që trajneri ka ndaj meje.

-Luajtët në një stadium të ri; më mirë në “Loro Boriçi” apo “Qemal Stafa”?

- E reja gjithmonë sjell evoulim përpara. Më vjen mirë që më në fund edhe Shqipëria ka një stadium me standarte shumë të larta. Jam shumë i lumtur për këtë. Shkodra është një qytet futbolldashës dhe e meriton

një impjant të tillë modern. Shpresojmë të na sjellë fat - Çfarë prisni nga takim me Maqedoninë?

- Kemi një kundërshtar të vështirë përpara. Duam që t’i fillojmë mbarë këto eliminatore dhe përballë publikut tonë besojmë se do të ia arrijmë qëllimit. Jam i sigurt se do të kemi mbështetje të gjërë dhe në në fushë do të japim 100 për qind nga vetja.

- Keni frikë se kjo ndeshje mund të marrë edhe ngjyrime nacionaliste?

- Jo, kam besim te qytetaria e tifozëve tanë. Është ndeshje futbolli dhe nuk duhet që ta shohim në sfera të tjera. Tifozët duhet ta shijojnë dhe të na mbështesin brenda kufinjve të rregullores. Kemi tifozët më të mirë në botë, për mendimin tim. Shfaqja në Francë e tregoi këtë… - E prisni të jeni në formacion?

- Këtë e vendos trajneri. Nuk di çfarëe të them, pasi çdo futbollist do që të luajë sa më shumë.

- Kohët e fundit jeni shumë në formë dhe po bëni figurë të mirë në Zvicër. Çfarë ka ndryshuar?

- Kam punuar shumë dhe puna po jep frytet e veta. Ndaj po përjetoj një moment të mirë në karrierën time. Por unë jam natyrë me “këmbë në tokë” dhe gjithmonë dua të përmirësohem. Ky mendoj se është edhe çelësi i suksesit

për një futbollist. - Synimet tuaja?

- Të luaj sa më shumë me skuadrën time dhe t’i përmbushim ato objektivave që kemi si klub. Të jem pjesë e rregullt e Kombëtares, të luajë sa më shumë dhe të rris nivelin tim personal. -Keni ndonjë ide largimi nga Luzerna? - Jo, nuk e mendoj diçka të tillë.

- Së fundmi, me pranimin e Kosovës është hapur një debat i gjërë në lidhje me lojtarët shqiptarë që do ikin për të luajtur me Kosovën. Cili është mendimi juaj personal?

- Nuk është një çështje që më takon mua të flas. Personalisht respektoj zgjedhjet e secilit.

- Kush janë pasionet tuaja pas sportit?

- Të shoh filmat më të fundit në kinema… Gjithastu, që pëlqen të vishem mirë. Nuk jam tipi i partyve të çmendura, pasi mbaj rregjim.

- Por kur shkoni në party, jeni i shoqëruar, apo vetëm?

- Të mbesim brenda korrnizave të sportit në këtë intervistë. Nuk kam dëshirë të pasqyroj jetën time private në media. Dua që njerëzit të flasin për mua në lidhje me atë çka bëj në fushën e blertë. - Një premtim për tifozët kuqezi... - Do të jap gjithmonë më të mirën për Kombëtaren.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.