Lexoni për shëndetin tuaj:

Të rejat e fundit për Parkinsonin Sa duhet të vraponi? Çfarë dini për dhimbjet në fund të shpinës?

Intervista - - FAQE 1 -

- A ekziston një kurë për sëmundjen e Parkinsonit?

- Megjithëse kërkimet po vazhdojnë, deri më sot nuk ka ndonjë kurë ose mënyrë për të parandaluar këtë sëmundje. Megjithatë, kërkimet për të kanë bërë përparime të mëdha. Ekziston një shpresë reale që shkaqet, qofshin ato gjenetike, apo mjedisore, do të identifikohen dhe efektet e saktë të këtyre shkaqeve në funksionimin e trurit do të kuptohen. Këto arritje të dukshme japin një shpresë reale për të ardhmen. Megjithëse nuk ka kurë për sëmundjen e Parkinsonit, duke identifikuar simptomat individuale dhe përcaktuar trajtimin e duhur, shumica e njerëzve të sëmurë mund të jetojnë një jetë të kënaqshme dhe të frytshme.

- Çfarë e shkakton sëmundjen e Parkinsonit?

- Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga përkeqësimi progresiv i neuroneve në një zonë të trurit që njihet me emrin “substantia nigra”. Kur funksionojnë normalisht, këto neurone prodhojnë një substancë kimike vitale për trurin, dopaminën. Kjo e fundit shërben si mesazher kimik që bën të mundur komunikimin mes substantia nigra dhe një zone tjetër të trurit të quajtur corpus striatum. Ky komunikim bën të mundur një lëvizje të butë dhe të balancuar të muskujve. Mungesa e dopaminës shkakton një funksionim jonormal të nervave, duke shkaktuar një humbje aftësie për të kontrolluar lëvizjet e trupit.

- A mund të parandalohet sëmundja e Parkinsonit?

- Deri më sot nuk ka ndonjë mënyrë për të parandaluar sëmundjen e Parkinsonit, por ka disa mënyra trajtimi, përfshi këtu terapinë me ilaçe dhe/ ose ndërhyrjen kirurgjikale që mund të reduktojnë simptomat dhe lehtësojnë jetën e të sëmurit.

- Cili është ndryshimi mes të dridhurave dhe sëmundjes së Parkinsonit?

- Shkaku më i zakonshëm i dridhjeve (të pavullnetshme) është një sëmundje që quhet dridhje thelbësore (DT). Si DT ashtu edhe sëmundja e Parkinsonit ( SP) janë çrregullime të lëvizjes. Quajmë çrregullime të lëvizjes çdo sëmundje ose dëmtim që ndikon një lëvizjet e njeriut. DT dhe SP janë sëmundje të ndryshme, por nganjëherë ngatërrohen, sepse kanë shumë karakteristika të përbashkëta. DT është një sëmundje e sistemit të nervave, karakterizuar nga dridhjet. Ajo nuk ndikon një jetëgjatësinë e njeriut, por mund të përbëjë një handikap për shumë aktivitete të zakonshme, si të shkruarit, apo të ngrënit. DT gjithashtu nuk rrit rrezikun për sëmundjen e Parkinsonit. Simptomat e DT përfshijnë: Dridhje të pavullnetshme që ndodhin për një periudhë të shkurtër kohe, dridhje zëri, tundje koke, dridhje që përkeqësohen gjatë periudhave të stresit emocional, dridhje që përkeqësohen në lëvizjet e vullnetshme, dridhje që lehtësohen kur personi çlodhet, rrallë personi ka vështirësi edhe në ekuilibrim.

Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje kronike, progresive e trurit dhe nervave që prek një zonë të vogël të qelizave nervore (neuroneve) në një zonë të trurit të quajtur substantia nigra. Simptomat e sëmundjes së Parkinsonit përfshijnë: Ngurtësim muskujsh, dridhje, bradikinezi ( ngadalësim lëvizjesh dhe humbje graduale e aktivitetit spontan), ndryshime në mënyrën e të ecurit dhe qëndrim, ndryshim i të folurit dhe të shkruarit me dorë, hipertension ortostatik (një rënie e presionit të gjakut kur je në këmbë, duke shkaktuar marrje mendsh, ose gjendje të fikëti).

- Si trajtohet Parkinsoni me Stimulimin e Thellë të

Trurit dhe tek cilët pacientë përdoret kjo terapi?

- Ka shumë çështje të rëndësishme që duhen marrë parasysh kur merret në konsideratë stimulimi i thellë i trurit për të trajtuar sëmundjen e Parkinsonit. Këto gjëra duhen diskutuar me një ekspert për çrregullimin e lëvizjeve ose një neurolog të specializuar për këtë. Në fillim provohet terapia me ilaçe. Ndërhyrja kirurgjikale nuk këshillohet nëse sëmundja mund të vihet nën kontroll me ilaçe, por nëse këto të fundit nuk janë rezultat të kënaqshëm. Flisni me doktorin, i cili do të përcaktojë nëse stimulimi i thellë i trurit është metoda e duhur për ju.

- Si mund të jetohet sa më kënaqshëm nëse vuan nga kjo sëmundje?

- Hapi më i rëndësishëm që mund të bëni është të kërkoni sa më shpejt ndihmë nëse ndjeheni të pafuqishëm për ta mbajtur sëmundjen nën kontroll. Nëse do të veproni shpejt, do të mund të kuptoni dhe veproni tek shumë efekte të sëmundjes suaj. Strategjitë që zgjedh doktori do t’ju ndihmojnë të rifitoni kontrollin mbi jetën tuaj dhe përmirësoni cilësinë e jetës. Hapa të tjerë që mund të ndërmerrni përfshijnë:

- Të zbuloni sa më shumë gjëra për sëmundjen. Flisni me miqtë dhe familjen për të. Mos i izoloni ata, sepse edhe ata duan të përfshihen dhe t’ju ndihmojnë. Bëni gjëra që ju pëlqejnë. Mos u frikësoni të pyesni doktorin, infermierin ose ndonjë specialist t’ju përsërisë instruksionet ose termat mjekësore që nuk kuptoni apo kujtoni. Ata duhet t’ju përgjigjen sa herë të keni nevojë. Mësoni të vini nën kontroll stresin. Kjo do t’ju ndihmojë keni një perspektivë pozitive për jetën. Stresi vetëm i përkeqëson gjërat. Ju duhet të përpiqeni të organizoni rutinën tuaj të ditës në atë mënyrë që të reduktoni stresin, si për vete, ashtu edhe për familjen. Nëse ndjeheni depresivë (dhe kjo është diçka më shumë sesa të ndjeheni me raste i trishtuar), mund t’ju jepen antidepresivë për të përmirësuar humorin.

- Çfarë është imazheria e drejtuar?

- Është një formë e provuar e relaksimit të përqëndruar dhe ndihmon të krijohet harmonia mes trurit dhe trupit. Imazheria e drejtuar të ndihmon për të krijuar imazhe të qeta, relaksuese në mendje. Kjo teknikë, që mund t’i shtohet çdo trajtimi apo procedure, siguron një strategji të fuqishme psikologjike që nxit aftësitë e një personi. Shumë njerëz që kanë stres ndjejnë humbje kontrolli, frikë, panik, ankth, ndjehen të pafuqishëm dhe të pasigurtë. Studimet kanë treguar se imazheria e drejtuar mund të kundërveprojë ndaj këtyre efekteve. Ajo mund t’i ndihmojë njerëzit të largojnë stresin, zemërimin, dhimbjen, depresionin, pagjumësinë dhe probleme të tjera shpesh të bashkangjitura me sëmundjet. Është e qartë se stresi dhe depresioni mund të përkeqësojë simptomat e sëmundjes së Parkinsonit.

- Nganjëherë kam ngrirje muskujsh. Si mund t’ia bëj që të vazhdoj të lëviz?

- Nëse keni probleme me këtë: Lëkunduni nga një këmbë në tjetrën që të filloni përsëri të lëvizni. Vëreni dikë që të vërë këmbën para jush, ose vizualizoni një vend ku mund të hidhni këmbën që të filloni përsëri të lëvizni.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.