Roland Gjergji: Kur me duartroket publiku

Intervista - - FAQE 1 -

Muzika popullore është tabani i muzikës shqiptare dhe si e tillë lëvrohet shumë nga artistët shqiptarë. Roland Gjergji, vjen nga një familje me tradita muzikore, ai bën muzikë por edhe këndon, ai me talenti krijon dhe orkestron muzikë për këngëtarët, ku dora e tij ndihet në çdo melodi dhe notë që ata përcjellin tek publiku. Ai është shumë i apasionuar pas instrumentit që përfaqësohet, organos dhe tregon që ka marrë leksione pianoje, për të perfeksionuar instrumentin e dëshiruar prej tij, organon. Sot ai është një ndër instrumentistët më të kërkuar dhe më të pëlqyer, falë punës dhe vullnetit të tij!

- Roland, përshëndetje, dhe mirëseerdhe në faqet e gazetës sonë! Na bëj një prezantim kronologjik të njohjes tënde me muzikën në përgjithësi, dhe atë popullore në veçanti. Ku po punon aktualisht?

- Përshëndetje! Ju falenderoj për intervistën. E kam nisur muzikën që i vogël, fillimisht si një dëshirë fëmijënore, por pastaj, me ndihmën e babait dhe motrës sime, respektivisht Rrok dhe Gentjana Gjergji, që janë këngëtarë prej vitesh, ajo u bë pjesë e pandarë imja! Fillimisht duke kënduar ndonjë këngë, pastaj duke luajtur pjesë të shkurtra në piano. Pas njëfarë kohe, fillova të merrja leksione pianoje, ku për disa vite me rradhë mësova në mënyrë profesionale këtë instrument. Pas përfundimit me sukses të studimeve për piano, fillova të angazhohesha në gëzime familjare, festa dhe mbrëmje të ndryshme, të cilat vazhdojnë edhe tani. Përveç profesionit tim si muzikant, tani jam dhe menaxher i motrës sime në karrierën e saj.

- Sa i lidhur je me instrumentin, nëpërmjet të cilit përfaqësohesh, organos? Pse pikërisht ky instrument, dhe jo një tjetër?

- Të them të drejtën, jam shumë i lidhur! E zgjodha këtë instrument për dy arsye. E para, për ëmbëlsinë që përcjell te publiku me anë të tingujve, dhe e dyta, që të jem afër babait dhe motrës sime.

- Me cilën nga punët e tua, pjesë që ke orkestruar apo realizuar, ndihesh më i lidhur?

- Çdo pjesë që realizohet, ka bukurinë e saj, por më të veçanta janë ato që publiku m’i komplimenton dhe duartroket më shumë.

- Me kë bashkëpunon më shumë për të realizuar punën tënde?

- Bashkëpunoj me kolegë të ndryshëm, por më kryesorët janë babai dhe motra ime, që përbëjnë dhe boshtin kryesor të punës sime.

- Cilat janë shtyllat e tua mbështetëse?

- Mbështetja më e madhe është familja!

- A ka ende muzikantë

profesionistë, duke qenë se tashmë gjithçka është materializuar?

- Muzika është materializuar, por jam besimplotë që profesionistë ka pasur dhe do ketë gjithmonë!

- Të karakterizojnë ndryshimet apo rrjedha e njëjtë, si në jetë ashtu dhe në profesion?

- Ndryshimet pozitive janë gjithmonë pjesë e imja.

- Sa i lidhur je me rrjetet sociale?

- Jam goxha i lidhur.

- Je i lodhur nga nata, meqenëse ti ke vite që punon në lokalet më të mira muzikore në Shqipëri dhe Europë?

- Ndodh ndonjëherë që nga lodhja edhe mërzitem, por në momentin që puna ime vlerësohet dhe duartrokitet, lodhja harrohet.

- Çfarë ka pozitive dhe negative tek puna “live”?

- Në aspektin pozitiv, e shijon dhe e ndjen më shumë, ndryshe nga “playback”. Në aspektin negativ, do veçoja orët e vona të natës.

- Dimë që ke punuar në shumë vende në Europë. Ku saktësisht?

- Kam performuar në Zvicër, Belgjikë, Itali, e shumë vende të tjera, sepse kam pasur oferta shumë të mira për të qenë prezent në klube dhe apo evente të ndryshme të organizuara prej tyre.

- Ku je ndjerë më komod?

- Të jem i sinqertë, kudo kam shkuar, jam mirëpritur.

- Ke punuar dhe me emra të njohur të muzikës shqiptare në evente të ndryshme, apo jo?

- Po, kam performuar me disa artistë të njohur të muzikës shqiptare dhe mund të them që arti shqiptar ka emra me të cilët është nder të bashkëpunosh.

- Projektet e tua për të ardhmen?

- Kam shumë projekte në mendje, dhe uroj t’i realizoj. Më të afërtat, janë gëzimet familjare dhe mbrëmjet festive, në të cilat do performoj së shpejti.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.