Olimpiada, nëna e Aleksandrit të Madh, flinte me gjarpërinjtë

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Ajo lindi në vitin 373 p.e.s në Pasarona, qytet i lashtë i Epirit. Ishte vajza e dytë e mbretit të Molosëve të Epirit, Neoptolemut të 2- të dhe kishte një motër më të madhe, Troadën. Kur ajo ishte 11 vjeç, i ati i vdiq dhe fronin e mori xhaxhai i saj, Ariva, i cili u martua me motrën e saj, që në atë kohë ishte 16 vjeç.

Olimpiada shërbeu në orakullin e Dodonës, ndërkohë që kishte filluar të merrej me misteret e Bakut (që thuhej si ishin të poseduar nga kjo perëndi dhe u jepeshin riteve të shfrenuara). Ishte edhe priftëreshë e Mistereve Kavirike të Samotrakës. Më vonë edhe Filipi i 2-të filloi të merrej me misteret e Samotrakës, ku u njoh dhe u dashurua me Olimpiadën, e cila i dhuroi edhe djalin më karizmatik, Aleksandrin. Ajo jetoi si gruaja e Filipit të 2-të në Pela dhe Egjes (Vergjina e sotme).

“Olimpiada mendoi se një bubullimë dhe rrufe ra në barkun e saj dhe ai mori zjarr, ndërsa atë e rrethuan flakët që më pas shuheshin”. Kështu e përshkruan lindjen e Aleksandrit, historiani Plutark. Thuhet se Olimpiada i rrëfeu burrit të saj, Filipit të 2-të, se Aleksandri nuk ishte djali i tij, por e kishte zënë me një gjarpër që i ishte shfaqur në ëndërr, i cili, sipas mitit, ishte një mishërim i Zeusit. Olimpiada shfaqet shpesh me gjarpërinj, si ndjekëse e Bakut dhe këtë na e dëshmojnë burime të shumta. “Panë gjarpërinj shumë të mëdhenj, kaq të qetë dhe të padëmshëm, që ushqeheshin me gji nga gratë dhe flinin bashkë me fëmijët dhe kur i shkelje nuk ngriheshin dhe kur i bezdisje, nuk egërsoheshin dhe pinin qumështi nga gjiri si fëmijët. Ka shumë të tillë në këtë vend (Pela) dhe prej këtëj dukej se vjen miti i vjetër se kur Olimpiada mbeti shtatzënë me Aleksandrin, ndonjë gjarpër po flinte me të ( Lukianos, Aleksandri 7.1).

Plutarku gjithashtu përmend se ajo shfaqej me gjarpërinj të zbutur: “Olimpiada...solli në festat bakiane gjarpërinj të zbutur, të cilët shpesh dilnin nga kanistrat e fshehura dhe përdridheshin rrotull shkopinjve dhe kurorave të grave dhe frikësonin burrat”. ( Aleksandri 2.9.6). Bile thuhet se pak para lindjes së Aleksandrit, Filipi kishte parë një gjarpër të rrethonte Olimpiadën e fjetur.

Në jetën turbulente që pati ajo shfaqi virtyte dhe defekte të mëdha. Si nënë e dedikuar që ishte, kishte vetëm një qëllim në jetë, të cilin e ndoqi me pasion: T’i siguronte të birit vazhdimësinë në fronin e Maqedonisë, në mes të intrigave të oborrit të Pelës. Nga disa u akuzua se vrau të shoqin, i cili e poshtëroi dhe u martua me një grua më të re. Mbase Olimpiada ndjeu kërcënimin e ndonjë trashëgimtari të mundshëm nga gruaja më e re e Filipit dhe kështu një pretendent të mundshëm për fronin. Ajo e adhuronte të birin dhe dëshironte atë që ajo mendonte më të mirën për Aleksandrin e saj të çmuar. Dhe dashuria e tij ishte shpërblimi më i mirë. Kur Antipatros, i cili kishte mbetur guvernator i Maqedonisë, i shkroi një letër Aleksandrit, që gjendej në Azi, plot me ankesa për Olimpiadën, Aleksandri i Madh tha, pasi e lexoi: “Nuk e di Antipatrosi se vetëm një lot i nënës sime mjafton të fshijë mijëra prej këtyre letrave!”. Në qershor të vitit 323 p.e.s. Olimpiada pësoi humbjen më të madhe, djali i saj i vetëm, të cilin nuk e kishte parë prej shumë vjetësh, vdes larg saj, pak para se të nisej për një Arabi, për shkak të etheve. Ajo nuk desh kurrë të pranojë se Aleksandri i Madh vdiq nga shkaqe natyrale dhe vajtoi pa pushim që mbeti dy vjet pa varr në Babiloni, për shkak të luftërave për trashëgiminë e fronit. Sikur të mos mjaftonte kjo, fronin nuk e trashëgon djali ligjor i Aleksandrit me Roksanën dhe nipi i saj, por një djalë mendërisht i vonuar i Filipit dhe Filinës, Filip Arideas. E tërbuar, Olimpiada vendoset në Epir së bashku me Roksanën dhe nipin. Olimpiada, kjo grua udhëheqëse që luftoi më shumë se çdo nënë tjetër për birin e saj pati një fund tragjik. Atë e vranë me gurë nën urdhrat e Kasandrit, i cili e la kufomën e saj të kalbej pa e varrosur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.