U zumë për një gjarpër...

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Unë që po ju shkruaj jam Marjeta. Sot vendosa që të tregoj historinë e një zënke që ka ndodhur në familjen time. Burri im është zënë me vëllanë e tij për shkak të një gjarpri. Ndoshta duket pak sa qesharake kjo që po ju them, po nëse do keni durim, do ju lutesha që ta lexonit historinë tonë deri në fund.

Ju të gjithë e dini se në fshat ka shumë zvarranikë dhe në familjen tonë patëm fatin e keq që të përjetonim një ngjarje të keqe me ta, ngjarje e cila na kushtoi shumë shtrenjtë. Para pesë vitesh unë isha shtatzanë dy muajsh e, ndërsa isha duke bërë punët e shtëpisë, në korridor më del një gjarpër sterrë i zi. Unë kam bërtitur me të madhe dhe për fatin tim të mirë, im shoq u ndodh aty. Ai më tërhoqi mua dhe rrëmbeu një dru dhe filloi ta gjuante gjarprin në kokë, unë e shikoja tek rrotullohej dhe më zuri tmerri, ai nuk ngordhte kollaj, ai e ngrinte trupin e tij të gjatë dhe të trashë gati sa krahu, dhe rrotullohej mbas drurit. Mua më kapi paniku, ai kishte arritur t’ia shtypte kokën mirëpo ai nuk ngordhte kollaj, trupi i lëvizte pa pushim. Në një moment pashë tim shoq që i ra druri nga dora, dhe më tha:

- Nuk po e ndjej më krahun, më është mpirë komplet.

Mua më zuri paniku më keq, gjarprin e lamë ashtu të shtrirë në mes të korridorit dhe nuk po pyesja më për të, po për krahun e tim shoqi. Fillova ta fërkoja, po nuk kishte asnjë lloj shenje përmirësimi, ai nuk e ndjente fare krahun. Gjarpri rrinte i shtrirë, dukej që kishte ngordhur, sepse nuk lëvizte më. Atëherë unë me vrap thirra kunatin ai erdhi e hoqi gjarprin nga shtëpia. Pastaj morrëm një makinë dhe shkuam në spitalin më të afërt që ndodhej në qytetin tonë. Ata nuk e mbajtën tim shoq aty, e dërguan në Tiranë. Fillova të shqetësohesha shumë për të. Në Tiranë nuk lamë doktorë pa shkuar, një thoshte është i sëmurë nga zemra, një thoshte e ka psikologjike. Bëmë eko, skaner, morëm ilaçe nga më të ndryshmet, që nga më të lirat e deri tek më të shtrenjtat, por ai nuk pati asnjë lloj përmirësimi. Unë, edhe pse isha shtatzënë, isha e detyruar, ta ndiqja në çdo vizitë që ai bënte. Si përfundim, doktorët hoqën dorë duke thënë se është një gjë e pashpjegueshme, e cila ka të bëjë ndoshta dhe me anën psikologjike të personit.

Kishin kaluar gjashtë muaj, por im shoq nuk kishte asnjë lloj përmirësimi, unë kisha lindur djalë, dhe gjithë barra e shtëpisë binte mbi mua. Unë punoja brenda dhe jashtë, sepse siç u thashë jetonim në fshat dhe kishim shumë punë. Im shoq kishte vënë merak, dhe kishte filluar të dobësohej shumë. E vetmja gjë e bukur që na ndodhi në atë periudhë ishte ardhja në jetë e djalit tonë. Të vetmen mundësi që kishim për të shëruar tim shoq ishte që të bënte një vizitë në Itali, dhe ashtu bëri. Nipërit e tij bënë të gjitha dokumentet, dhe për të hequr merakun ai u vizitua dhe atje, por asnjë lloj përmirësimi nuk kishte për të, ai sa vinte dhe demoralizohej akoma më shumë. Një ditë nga shtëpia jonë kalojnë dy femra me ngjyrë, ato shisnin sita, perde bizhuteri etje. Ato thërrasin dhe në shtëpinë tonë, në fillim del bashkëshorti im, pas tij dola dhe unë. Ai ju tha grave që të largoheshin se nuk donim që të blinim asnjë gjë. Mirëpo ato thanë diçka që ne na lanë pa mend.

-Bëj kujdes sepse ti ke një mallkim, dhe ne do të ndihmojmë që të shërohesh.

Im shoq nuk beson në këto gjëra dhe ju tha që të largoheshin menjëherë, unë dola para tij dhe ju thashë lëri të vinë, po edhe frikë kisha se mos na mashtronin për të na marrë lekët. Ato thanë :

- Ti ke vrarë lloj kafshe, apo një gjë të tillë që mund të ketë qenë femër, dhe ti ke një mallkim prej saj.

(Vazhdon javen tjeter)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.