Çfarë është frixhiditeti tek gratë dhe tek burrat?

Intervista - - SEKS -

Termi «frixhid» ose i ftohtë në shqip, është përdorur shpesh gabim përgjatë viteve për të denigruar gratë. Megjithatë, frixhiditeti është një çrregullim seksual mjaft i zakonshëm, për të cilin nuk duhet të ndjesh turp dhe që është plotësisht i rikthyeshëm. Çfarë është frixhiditeti? Cilat janë shkaqet dhe si trajtohet ai?

- Çfarë është frixhiditeti tek gratë?

- Frixhiditeti tek gratë duhet dalluar nga anorgazmia dhe dispareunia. Anorgazmia është paaftësia për të arritur orgazmën dhe dispareunia janë dhimbjet gjatë marëdhënieve seksuale. Frixhiditeti, i cili quhet edhe çrregullim i dëshirës seksuale hipoaktive, karakterizohet nga një mungesë interesi për seksin, e bashkangjitur më shpesh me një mungese kënaqësie tek femra e cila kryen marëdhënie seksuale. Jo të gjitha gratë vuajnë nga kjo mungesë dëshire dhe disa e pranojnë krejtësisht faktin se nuk u intereson seksi.

- Cilat janë shkaqet e frixhiditetit femëror?

- Çrregullimi i dëshirës mund të jetë pasojë e shumë faktorëve psikologjikë, ose mjekësorë. Frixhiditeti mund të shfaqet menjëherë, ose gradualisht, ose të ekzistojë që në fillim të jetës seksuale. Kur ai shfaqet menjëherë, shkaku mund të jetë shpesh një shok psikologjik, si vdekja e një njeriu të afërt, lindja e një fëmije, stresi, një tradhëti, një përdhunim... Frixhiditeti mund të jetë gjithashtu pasojë e një trajtimi mjekësor, si marrja e ilaçeve antidepresivë, ose neuroleptikë. Ai shpesh është pasojë e një diabeti, ose e një skleroze në pllakë. Në fund, një femër mund të mos e dëshirojë më partnerin, sepse nuk e do më, ose nuk e sheh më si dashnor.

- Si trajtohet frixhiditeti femëror?

- Nëse mungesa e dëshirës nuk përbën një vuajtje për gruan, kjo nuk duhet të ndjehet e detyruar të përpiqet me çdo mënyrë të kënaqë partnerin. Nëse, përkundrazi, frixhiditeti përjetohet keq dhe bëhet një vuajtje e rëndësishme, ekzistojnë mënyra të ndryshme për ta «shëruar». Së pari, duhet bërë një konsultë tek një mjek i përgjithshëm, një gjinekolog, ose një seksolog për të përjashtuar problemet shëndetsore. Nëse vërtetohet që shkaku është psikologjik, është mirë të keni pranë një partner të kuptueshëm, me të cilin mund të komunikoni, gjë që, për fat të keq, nuk ndodh gjithmonë. Komunikimi është në bazë të shërimit. Në fillim, këshillohet të provohen përkëdheljet dhe butësia dhe të mos «bëhen gjërat me zor». Nëse mungesa e dëshirës ka ardhur pas një lindjeje, gruaja nganjëherë ka nevojë për kohë për t’u mësuar me trupin e saj dhe ajo mund t‘ia arrijë kësaj duke provuar përkëdheljet dhe masazhet me partnerin. Nëse komunikimi dhe butësia nuk janë të mjaftueshme për të ngjallur përsëri dëshirën, gruaja mund të bëjë trajtime të tjera, me këshillën e mjekut, ose të mësojë të relaksohet, falë jogës ose sofrologjisë.

- Ekziston frixhiditeti edhe tek burrat?

- Sigurisht, mos mendoni se ky është vetëm problem i grave. Shkaqet mund të jenë të shumta, si stresi, ankthi, depresioni, trajtimet mjekësore, problemet hormonale, pakësim i dëshirës për partneren.

- Si shfaqet frixhiditeti tek burrat?

- Nëse do të takonit një burrë të tillë, mbase do të thoshit: «Më në fund një burrë romantik, që nuk është i fiksuar pas seksit!», derisa të kuptoni se ai mund të kënaqet me një dashuri thjesht platonike. Ju do të vini re se ai do të presë goxha kohë derisa të vendosë të bëni seks së bashku. Më pas ai do të gjejë justifikime të tjera, si është i lodhur, etj, duke preferuar të flerë në vend të seksit. Gjatë aktit ai do të jetë pasiv. Në fund, për të çdramatizuar situatën dhe për t’ju siguruar, ai do t’ju thotë se ka gjëra më të rëndësishme sesa seksi dhe ka plot çifte që jetojnë shumë mirë edhe pa bërë dashuri.

- Cilat mund të jenë shkaqet psikologjike të frixhiditetit mashkullor?

- Në shumicën e rasteve, frixhiditeti tek burrat ka origjinë psikologjike. Ai shpesh ka lidhje me stresin apo ankthin. Mungesa e oreksit seksual mund të vijë edhe si rezultat i një shoku psikologjik, si, për shembull, vdekja e një njeriu të afërt, ose një traumatizëm i përjetuar në fëmijëri (abuzim seksual, trajtim i keq). Monotonia në gji të çiftit gjithashtu mund të çojë në frixhiditet. Një burrë mund të jetë frixhid për një arësye shumë thelbësore: Thjesht mungesë interesi për seksin.

- Po shkaqet mjekësore, cilat janë?

- Ulja ose mungesa e dëshirës seksuale nuk ka vetëm shkaqe psikolgjike. Kështu, një sëmundje, një çrregullim hormonal, për shembull një insufiçencë e tiroides, ose një ndërhyrje kirurgjikale mund të shkaktojnë frixhiditetin tek meshkujt. Disa ilaçe, si antidepresivët, ose ilaçet e gjumit ndikojnë gjithashtu në libido.

- Si mund të trajtohet frixhiditeti mashkullor?

- Para se të merrni vendimet e duhura, është e nevojshme të njihet shkaku i mungesës së oreksit seksual të partnerit. Nëse origjina është me natyrë mjekësore, është e domosdoshme të flisni me mjekun. Ky mund t’i ndërrojë trajtim, ose t’i japë këshillat e duhura. Nëse shkaku është psikologjik, dialogu i bazuar në besimin reciprok është zgjidhja e problemit. Ju duhet të flisni për këtë subjekt pa tabu. Në këtë rast, një seksoterapeut mund të jetë i dobishëm për zgjidhjen e tij. Një rol të rëndësishëm luan edhe ushqimi i imagjinatës, burri duhet ta shohë seksin si një lojë, gjë që do t’i lejojë të përmbushë më mirë fantazitë e veta dhe të çlirohet më lehtë nga gjërat që e pengojnë të ketë dëshirë për seks.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.