ElitaReçi: Të jesh nënë është bekim!

Intervista - - MUZIKE -

Elita Reçi është këngëtarja e talentuar nga Struga, e cila numëron tre albume në diskografinë e saj dhe disa trofe në festivale të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare. Albumin e parë ajo e publikoi kur i kishte vetëm 15 vjeçe. Pas tre viteve ka realizuar albumin e saj të dytë “Kujtoj zërin tënd” dhe ndryshe nga ai i pari, këtu ka pasur bashkëpunime me më shumë kompozitorë, duke filluar nga Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi, Valton Beqiri nga grupi “Korona”, orkestrim nga profesori nga Struga, Vagner Nushi si dhe bashkëpunime tjera me Elton Dedën, Alban Karabashin e të tjerë. Deri tani ajo ka marrë pjesë nëpër shumë festivale duke filluar nga festivali “Këngë Jeho” në vitin 1992, kur ka qenë vetëm 9 vjeç, e deri tek “Nota Festi”, ku në vitin 2001 u vlerësua me çmimin e tretë nga juria profesionale ndërsa një vit më vonë me çmimin e dytë. Në festivalin “Alba Fest” në Shkup ka fituar çmimin e parë me këngën e kantautorit Ardit Gjebrea. Me këngën “Loti s’është tharë” të Adrian Hilës Kenga Magjke 2003 ku mori çmimin e produksionit, Elita prezanton Shqipërinë në festivalin ballkanik ku fiton çmimin e dytë. Mbresa të veçanta për këngëtaren strugane, ka lënë festivali i interpretuesve të muzikës popullore në Tiranë 2002, ku në interpretim të drejtpërdrejtë, përkrah emrave si Irma Zyberi, Bujar Qamili etj, vlerësohet me vendin e tretë. Albumi i saj i tretë është kryesisht me këngë të kompozitorit të njohur, Adrian Hila. Sot, ajo mbetet një misionare e muzikës, por në një formë tjetër! Për më tepër, ajo ka folur për “Intervista”.

Fabjola Kuburi: - Elita, përshëndetje! Na kushtove pak nga koha jote, pasi dimë që ke qenë shumë e zënë. Me çfarë po merresh momentalisht?

Elita Reçi:Momentalisht jam duke finalizuar një bashkëpunim me tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha. Shpresoj të rikthehem në mënyrën e duhur edhe pse me Kastriot Tushën, nuk ka si të ndodhë ndryshe.

- Ju jepni mësim në një institucion muzikor në Tetovë. Mendon se ky është misioni yt si muzikante, të shpërndash dije rreth muzikës?

- Pasioni dhe profesioni për muzikën janë dy gjëra komplet ndryshe, sepse të merresh me muzikë në mënyrë profesionale është përgjegjësi më e madhe. Unë kam mbaruar studimet e larta në degën e muzikologjisë, dhe njëkohësisht jam pedagoge në shkollën e mesme të muzikës në Strugë, ku jap mësim në lëndën e solfezhit, historisë së muzikës, dhe teknikës vokale. Mësuesi duhet të jetë profet i së vërtetës, dhe ky është misioni im, të shpërndaj dije rreth muzikës.

- Si është marrëdhënia jote me

- Marrëdhënia ime me studentët është shumë e mirë. Megjithatë, mbarë opinioni pedagogjik po pranon se puna me nxënësit në shkolla është vështirësuar mjaft. Ky shqetësim që përjetohet, mendoj se vjen nga mungesa e rregullit dhe disiplinës për punën që bëhet.

- Ka rastisur ndonjëherë të jesh treguar e rreptë ose ta kesh ngritur pak zërin me ta?

- Nuk e kam zakon të ngre zërin. Mendoj se nëpërmjet kësaj “metode” nuk arrihet asnjë efekt. Pesha e mësimdhënësit tek studentët duhet të përcillet mes fjalëve me vlerë.

- Numëron tri albume të botuara në treg, por sot, koncepti “album” e ka humbur pak vlerën. Pajtohesh me këtë mendim?

- Është e vërtetë! Sot më të kërkuara janë këngët e shoqëruara me videoklip, sesa të përmbledhura në një album.

- Kanë kaluar 15 vite, dhe kënga “Loti s’është tharë” është një nga ato perla që nuk e humb kurrë shkëlqimin e vet. Çfarë ka të veçantë kjo këngë?

- Kjo këngë është vlerësuar me çmim të 2-të në festivalet “Nota Fest” dhe në atë Ballkanik, në këtë të fundit ku përfaqësova Shqipërinë. Nuk janë çmimet që e bënë këtë këngë të mbetet, por publiku!

- Nga ana tjetër qëndron dhe kënga “Ku je”, e cila ka një domethënie të veçantë për ty. Mund të na tregosh pak për të?

- Kjo këngë ka vërtet një domethënie të veçantë për mua, pasi teksti lidhet drejtpërdrejt me njeriun më të dashur për mua, babain tim, i cili nuk jeton më. T’i kushtoja një këngë ishte më e pakta që mund të bëja për të, duke marrë parasysh sakrificat, dashurinë dhe përkrahjen që më ka dhënë kur isha fëmijë, e deri në ngjitjen në skenë. Profesioni i tij ishte mjek pediatër, ama kishte një shpirt të pasur artistik, dhe dinte të vlerësonte muzikën e mirëfilltë.

- A ka qenë përkrahëse e zgjedhjes tënde familja?

- Natyrisht që po. Pa përkrahjen e familjes sime nuk do isha kjo që jam sot. Edhe pse familja ime përbëhet nga dy motrat me profesion mjeke dhe vëllai, magjistër i shkencave kompjuterike, ata kanë qenë vlerësuesit dhe kritikët më të mirë, veçanërisht ime më, shtylla kryesore e familjes.

- Elita, kalojmë pak në raport me familjen. Je një nënë e lumtur?

- Jam nëna më e lumtur në botë, dhe këtë lumturi ma fal vajza ime e bukur dhe e mençur, Ada, e cila më mbush me gëzim në çdo moment të jetës sime, sëbashku me bashkëshortin tim. Të jesh nënë është bekim!

- Arti është disiplinë. Sa të ka penguar ky rregull që të jesh një nënë 24/ 24 orë?

- Kuptohet që është e vështirë të mbash paralelisht në mënyrë të vazhdueshme artin dhe familjen, por njërës prej tyre duhet t’i japësh vendin primar, dhe ky vend i takon vetëm vajzës sime!

- Cila është ajo këngëtare shqiptare ose e huaj që inspiron Elitën?

- Për sa i përket muzikës shqiptare, në zhanrin popullor, mbretëreshë e saj, për mua mbetet Merita Halili. Është idhulli im dhe modeli që kam ndjekur që e vogël. Nga këngëtaret e huaja, Seline Dion mbetet e pazëvendësueshme!

- Të flasim drejt! Arti shqiptar nuk është si ka qenë më parë. A pendohesh ndonjëherë për zgjedhjen që ke bërë?

- Kam qenë nxënëse e shkëlqyer. Isha drejt rrugës së mjekësisë, por babai im i ndjerë më orientoi drejt muzikës, në mënyrë që talentin tim ta zhvilloj në mënyrë profesionale. Arti shqiptar vërtet nuk është si dikur, por secili artist ndjek rrugën që do të ndjekë. Unë nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë!

- Si kanë qenë raportet e tua me mësuesit e tu? A mban kontakt akoma me disa prej tyre?

- E si mund të ishin raportet e mia me mësuesit e mi? I respektoja pafund! Fjala e tyre ishte ligj për mua. Studioja shumë, e për rrjedhojë natyrisht që raportet ishin të shkëlqyera, ashtu siç janë sot e kësaj dite.

- Instrumenti preferuar i Elitës?

i

- Për mua, violina është mbretëresha e instrumenteve!

- Projekti më i afërt nga Elita?

- Siç e përmenda dhe më sipër, po finalizohet dueti me Kastriot Tushën. Bëhet fjalë për një ripërpunim të dy këngëve të vjetra shqiptare, të riorkestruara nga Saimir Çili, së cilave i kemi realizuar nga një videoklip.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.