Zbulohen paraardhësit e “hobit” të Indonezisë

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Shkencëtarë australianë, japonezë dhe indonezianë besojnë se kanë zbuluar në ishullin indonezian, Flores, paraardhësit e fisit egnimatik trupvogël, të mbiquajtur “hobit”, të cilin kishin afërsisht gjysmën e shtatit të njerëzve të sotëm. Fosilet e gjetura përllogariten të jenë afro 700 mijë vjeçare dhe janë shumë më të lashtë se ato të “Njeriut të Floresit” (Homo florensis), të cilat u zbuluan në 2003-in dhe konsiderohen të moshës 50 mijë-190 mijë vjeçare. Gjetjet e reja janë të pamjaftueshme, vetëm disa dhëmbë, si edhe kocka nofulle dhe kafke nga të paktën një i rritur dhe dy fëmijë, për të dhënë një imazh të sigurtë dhe të plotë në lidhje me parardhësit e “hobit” (këtë emër e mori nga fisi trupvogël i krijesave fantastike- shkencore në librin “Zoti i unazave” ).

«Hobit” kanë pasur një gjatësi afërsisht 1.06 metra dhe truri i tyre ishte me madhësinë e atij të shimpanzesë. Fosilet e reja tregojnë se ata mund të kenë qenë pasardhës të Homo sapiens dhe Homos erectus. Këta të fundit, që arrinin gjatësinë 1.8 metra, u shfaqen në Afrikë para afro 1.9 milionë vjetësh dhe më pas u përhapën në Azi para 1.5 milionë vjetësh. Në një moment të caktuar, me një mënyrë apo një tjetër, mbase duke hipur mbi trungje pemësh të shkulur nga cunami që pluskonin, arritën në fillim në ishullin e Javës dhe më pas në atë të Floresit.

Sipas “skenarit” të evolucionit të shkencëtarëve, që bënë dy publikime në revistën “Nature”, trupi i këtyrë “emigrantëve” u tkurr vazhdimisht nën ndikimin e mjedisit të ri natyror, kryesisht për shkak të mungesës së ushqimit, derisa mori përmasat e “hobit”, gjë që ka ndodhur para të paktën 700 mijë vjetësh. Tkurrja e madhësisë gjatë transmetimit të geneve është një proçes që është vënë re tek shumë gjitarë ( për shembull, elefantët), kur izolohen në një ishull.

Fosilet e reja tregojnë se paraardhësit e “hobit” mund të kenë qenë edhe më trupvegjël. Kjo do të thotë se tkurrja e trupit të tyre duhet të ketë ndodhur shumë shpejt, gjë që mbase i ka befasuar shkencëtarët. Disa prej tyre, si profesori Kris Stringer i Muzeut të Historisë Natyrore të Londrës, tregohen skeptikë për ta pranuar diçka të tillë.

Zbulimet e reja, që u bënë në shtratin e një lumi të vjetër, në një largësi afro 70 km nga shpella Liang Bua, ku u gjetën në fillim “hobit”, përforcojnë mendimin se këta kishin një evolucion të gjatë dhe autonom në këtë ishull. Nga ana tjetër, kundërshtojnë hipotezën se “hobit” ishin thjesht Homo sapiens, por që kishin ndonjë problem mjekësor apo gjenetik që u shkaktoi nanizëm (shkurtabiqësi). Ato kundërshtojnë edhe hipotezën tejtër, sipas të cilës “hobit” kishte paraardhës edhe më të lashtë, si Homo habilis apo Australopiteku.

Duket tashmë se “hobit” i Floresit është në realitet një Homo erectus që u bë xhuxh”, deklaroi drejtuesi i ekipit të shkencëtarëve, arkeologu Adam Brum, i universitetit Grifith të Australisë. “Zbulimi i ri u jep një përgjigje përfundimtare atyre që dyshonin se Njeriu i Floresit ishte thjesht një Homo sapiens i sëmurë”, shtoi ai.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.