Na lidhi vdekja e saj...

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Të dashur lexues! Në këtë histori nga jeta do të kuptoni se dhe të vdekurit mund të të ndihmojnë nganjëherë kur ke nevojë. Ndoshta do ju të mendoni se mos kam parë ndonjë fantazëm e i jam lutur të më plotësojë dëshirat. Nuk është ashtu! Unë, që ta merrni vesh ju, jam një vajzë 25 vjeçe. Ndryshe nga shoqet e mia, unë jam e paralizuar, por jo plotësisht, kështu që eci me karrocë. Jetoj me nënën se babai ka kohë që më ka vdekur.

E shkreta mama! Kam 5 vjet e paralizuar dhe ajo për këto 5 vjet ka ndryshuar e duket 20 vite më e madhe. Unë tani jam mësuar që shumicën e gjërave t’i bëj vetë, por është vuajtje e madhe për prindin kur e ke fëmijën si unë.

Nejse të gjitha këto i dinë të gjithë,prandaj unë po filloj me historinë time. Siç edhe mund ta kuptoni, është shumë e vështirë që unë të kem një lidhje. Në lagje dihet se asnjë nuk më merr, por dhe me mblesëri kanë provuar shumë kushërinj, por nuk më ka marrë asnjë nga ato që më kanë gjetur. Është më e vështirë të jetë gruaja e paralizuar, për mendimin tim, sesa burri.

Në qendrën ku shkoj shpesh dhe të gjithë jemi paraplegjikë,shumica e burrave janë të martuar. Kanë gjetur ndonjë grua me halle e i janë veshur asaj. Ndërsa ne katër shoqet që jemi uloke, nuk jemi të martuara.

Vjet për vitin e ri na dhanë dhurata në fondacion dhe mua më qëlloi një telefon. E kam me ofertë dhe rrjedhimisht me internet, sepse ishte në telefon i shtrenjtë. Ky ishte dhe bekimi im. Në fillim hapa facebook me emrin tim të vërtetë dhe me fotot e mia. Krijova shumë shoqëri, por të gjithë ishin thjesht shokë se asnjë nuk i preferonte këmbët e mia që nuk lëviznin.

Një kushërira ime, moshatare me mua, që jetonte në Itali u aksidentua. U mërzitëm shumë që të gjithë, sepse ajo ndenji në koma për rreth një muaj. Edhe pse në Itali mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Me thënë të drejtën kjo ishte një vdekje shumë e rëndë për të gjithë e detyrimisht dhe për mua. Trupin e saj e sollën në Shqipëri, sepse ajo ende nuk kishte mundur t’i merrte prindërit atje. Po priste që të sistemohej mirë vetë dhe më pas do t’i merrte. Por fati nuk e deshi këtë gjë. Ndenja tek shtëpia e saj deri sa u varros dhe një javë më pas.

-Moj bijë ti nuk duhet të lodhesh duke ndenjur këtu.më thoshte nëna e saj.

-Eh,ç’farë do të më gjejë mua?!- i thoja. Në fakt paraliza nuk ka shqetësime të tjera vetëm se nuk ecën dot. Gjatë këtyre ditëve nëna e saj rrinte e rrinte e shikonte plaçkat e saj. Një ditë më tha:

- Zgjidh e merr ndonjë gjë! I ka rroba të mira e është gjynah t’i hedhim se ajo ishte meraklie. – e qante pa pushim a thua se kishte gjithë ujët e burimeve në sy.

- Paska telefonin këtu, pse nuk e merr ta përdorësh?- i thashë të vëllait.

Ai i vogël e nuk e kuptonte shumë situatën tha:

-Nuk më pëlqen,është i vjetër. -Pse si e do ti?- i thashë. -Ja si këtë tëndin! Këtë po, me internet.

-Po internet ka dhe ky. – i thashë duke u munduar të kuptoja se çfarë donte,që të plotësoja ndonjë nga dëshirat e tij,në mënyrë që t’ja largoja sado pak mërzinë.

-Eh mua nuk më pëlqen ky!

-Ja se i ndërrojmë bashkë! Si thua ti?- iu drejtova tezes.

-Bëni ç’të doni! – ajo nuk mund të duronte asgjë tani që kishte humbur të bijën.

E kështu bëmë. Ia dhashë celularin dhe mora atë të kushërirës së vdekur. Ngaqë kishte vdekur në aksident FB-ja e saj kishte mbetur i hapur. I kishin shkruar shumë veta nga shoqëria në Itali dhe nuk kishin marrë përgjigje.

U shkrova të gjithëve duke iu dhënë lajmin e keq për vdekjen e saj. Ndër miqtë e saj, një burrë rreth të 50tave, që më tha se ishte profesori i saj, më shkroi duke më pyetur se kush isha unë që po përdorja FB-në e saj. I tregova dhe i thashë se pasi t’i kisha njoftuar të gjithë do ta mbyllja llogarinë e saj në facebook. Ai më tha se kishte shumë dëshirë që të takonte të afërmit e saj dhe që do të vinte në Shqipëri, kështu që më kërkoi numrin e telefonit që të kontaktonim.

Pra, nga ajo vdekje makabër e kushërirës sime lindi marrëdhënia ime me profesorin e saj italian. Një marrëdhënie kjo e cila u kurorëzua me martesë dhe tani një jetë të lumtur së bashku.

Prandaj ju thashë në fillim se të vdekurit mund të të ndihmojnë. Shpirti i pastër i kushërirës sime bëri të mundur nga lart të gjente një njeri për mua. Çdo natë e falenderoj para se të fle dhe dërgoj një puthje drejt qiellit, duke besuar vërbërisht se ajo tashmë është në parajsë.

(VAZHDON JAVEN TJETER)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.