Juli Çenko: Këngëtar lind, nuk bëhesh!

Intervista - - MUZIKE -

Juli Çenko?! E kush nuk e njeh Juli Çenkon, të gjithë ata që duan dhe vlerësojnë muzikën e vërtetë popullore, të gjithë ata që artdashës që gëzojnë me shpirt kur dëgjojnë këngën e saj. “Trëndafil që çmend dynjanë” është kënga dhe klipi i saj më i ri që ka gjetur ngrohtësi dhe mbështetje mes publikut dhe është vlerësuar shumë. E lidhur me këngën popullore pazgjidhshmërisht ajo këndon me pasion dhe përkushtim. Këndon vetëm live dhe është e dashuruar pas muzikës popullore, pas tabanit të vërtetë të muzikës shqiptare. Juli, ka një “merak” që do ta ndajë jo vetëm me kolegët, por edhe me lexuesit. Se cili është “meraku” i Julit, lexoni e kuptoni!

Fabjola Kuburi:- Juli, më fol pak për këngën tënde më të fundit...!

Juli Çenko: - Kënga quhet “Trëndafil që çmend dynjanë” është pëlqyer, ka qindra klikime te verteta, eshte mirëpritur nga publiku dhe ju jam mirënjohëse publikut dhe të gjithë artdashësve, sepse pa mbështetjen e tyre, ne nuk do ishim këtu ku jemi. Artisti ka nevojë për mbështetjen e publikut, sepse aty gjen frymëzimin dhe forcën.

- Emocionet të japin nxitje për të kënduar apo kënga të jep emocion?

- Të dyja, janë të ndërthurrura me njëratjetërn, por mund të them që më shumë është e parë, sepse në çdo situatë mendja ime shkon tek kënga.

- Pse Juli zgjodhi këngën popullore?

-

Këngën nuk e zgjodha unë, por ajo mua. Unë u linda dhe u rrita në një shtëpi gjirokastrite, ku këngë ka qenë ushqimi shpirtëror i kësaj familjeje brezë pas brezi.

- Po të vendosje të bëje një ndryshim të madh në jetën tënde, cili do të ishte?

- Nuk kam menduar kurrë të bëj ndryshime në jetën time, sepse kam dashur dhe dua të jem vetvetja, një vajzë tabani, ajo vajzë tabani që jam prezantuar në popull.

- Talentet që do të doje të kishe?

- Unë kam patur gjithmonë pasion të shkruarit e sidomos poezitë, kam pasur pasion të merrem me arredimin e ambjenteve familjare dhe kryesorja të jem një nënë e mirë, për djemtë e mi. Ky është pasioni dhe profesioni i nënës, 24 orë në 24.

- Gjithçka që do të vijë më pas, do të jetë e papritur edhe për ty apo ke ide, plane, në mendje që presin për t’u realizuar? Na zbulo ndonjë?

- Dëshira ime, plani, ideja është që unë të këndoj gjithë jetën, sa të më japë Zoti fuqi dhe zë për të kënduar.

- Thuhet që njeriu është pjesë e këngës, si mund të jetë një gjë e tillë?

- Unë jam pjesë e këngës, sepse dashur padahsur, në shtëpinë tonë kënga ka qenë e përditshme.

- Sa e lidhur je me familjen dhe sa kohë i kushton asaj?

- Unë jam e lidhur me familjen gjatë gjithë kohës, por ngarkesa profesionale e artistëve, kufizon pak kohën, por kjo nuk do të thotë që nuk gjej kohë për familjen. Njeriu, kur ka synim të bëjë diçka, me vullnet gjen kohën për ta bërë.

- A ka rregulla të caktuara për të pasur sukses në art?

- Nuk mendoj se ka sepse arti nuk bëhet me rregulla. Në art duhet të shprehësh emocion shpirtëror dhe në këngë të shprehësh atë që të del nga shpirti. Në art nuk ka receta.

- A ke diçka për të shtuar për këngën, muzikën tënde, diçka të veçantë?

- Pasioni im i veçantë, në këngë, është polifonia, e cila më jep jetë. E kam pasur gjithmonë dhe falë Zotit, kam arritur që ëndrrën që kisha që fëmijë, ta realizoj.

- Di që një merak, cili është meraku yt?

- Jam shumë e shqetësuar për fatin e muzikës popullore në Shqipëri, sidomos për muzikën popullore të jugut. Unë si Juli, duke rrjedhur nga një familje që shquhet për këngë popullore në Gjirokastër, jam munduar që ta trashëgoj këtë traditë dhe të qëndroj tek tabani i këngës popullore, por po shikoj që po dalin çdo ditë e më shumë disa pseudokëngëtarë dhe pseudokëngëtare që shkojne dhe rregullojnë zërat nëper kompjutera sepse nuk janë të aftë të këndojnë në popull live, vendosin diskun në xhepat e tyre dhe mashtrojnë dhe zhgënjnë popullin dhe publikun, duke dashur të demostrojnë gjoja aftësitë e tyre. I shikojnë studiot muzikore si studio argëtimi dhe mendojne se duke patur një shumë lekësh në dorë dhe duke bërë një këngë të rregulluar në kompjuter, mund të gënjejnë popullin, duke kënduar me disk dhe jo live. Pse mashtrohet populli keshtu? Ku po shkon muzika shqiptare, perse duhet te mashtrohet populli?! Nëse do flasim për këngëtaret femrat, me veshjet ektremisht ekstravagante, mendoni se mund të quhen këngëtare? Në Shqipërinë e jugut ka këngëtare shumë të aftë që ke dëshirë ti dëgjosh, që punojnë dhe këndojnë me vullnet dhe u bëj thirrje të gjithë këtyre këngëtarëve që të ngrihemi njëzëri dhe ta mbrojme muzikën popullore shqiptare, sepse po shkon drejt shkatërrimit dhe degjenerimit. Unë nuk e kam parë kurrë si biznes muzikën popullore apo si burim fitimi për të mbajtur familjen dhe dua ta theksoj këtë, por sa të kem fuqi unë do ta ngre zërin, me të gjitha fuqitë dhe mundësitë e mija, për ta mbajtur sa më lart e mos të shuhet kurrë tradita e këngës popullore. Ju bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi që e meritojnë të quhen këngëtarë, kudo që janë, ashtu me një lule nuk vjen behari, të luftojnë për ta ruajtur dhe mbajtur thesarin e muzikës popullore shqiptare dhe ta trashëgojnë atë në breza!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.