PARTI E RE e majtë

• Psekaardhurkoha? • PsePSnukështëemajtë?

Intervista - - FAQE 1 -

Artan Kristo: - Këtë javë botove një status në facebook që hapi shumë diskutime: « Besoj se ka ardhur koha te themelohet e majta, shkruaje... » . Pse ke arritur në këtë përfundim ? Pse mendon se është pikërisht tani koha?

Dritan Hila : - Sepse ne ende nuk e kemi provuar të majtën e vërtetë. E kam fjalën për socialdemokracinë e tipit të Bernshtejnit. Ky vend ka njohur të majtën revolucionare të Nolit, atë koloboracioniste të Mit’hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, ekstremisten e Enver Hoxhës, por jo atë të majtë që zhduku varfërinë në perëndim dhe ju dha të drejta masave.

- As PS nuk është e majtë, e vërtetë?

- E majta që rrodhi nga Partia e Punës, asaj që jemi mësuar t’i themi Partia Socialiste, nuk besoj se ka një ideologji që i qaset socialdemokracisë. Fatos Nanoja u mundua të fusë elementë të saj, por varfëria e vendit, lufta asimetrike brenda dhe jashtë partisë, niveli i popullsisë. nuk ja mundësuan. Më shumë sesa parti ideologjike, PS është një grupim që i bashkon një « mishelë » mes ndjenjës së rrezikut nga e djathta, krahinarizmi, nostalgjia për Hoxhën, apo për jetën e sigurtë në skamje të komunizmit. Por janë pak socialdemokratë të tipit perëndimor në gjirin e saj. Fakti që Rama i plazmoi si deshi, është një fakt se demokracia e brendshme në atë parti, ishte një aksident.

- Mendoni se as në program PS nuk është si simotrat e saj të majta europiane?

-PS nuk mund të jetë si simotrat e saj evropiane, pasi, nëse ato operojnë në shoqëri postindustriale, këtu jemi ende në kushtet që përshkruan Dikensi. Fëmijë që hidhen në erë në Gërdec, shtypen nga rrulat tek fushat e plehrave, apo punojnë në një moshë që duhet akoma të ishin duke luajtur me lodra. Shkoni në fshatra, apo periferi qytetesh dhe do shikoni se Evropa ende nuk ka arritur këtu.

- Si duhet të jetë një e majtë e vërtetë me pak fjalë? Çfarë duhet të bënte ajo këtu ?

- Duhet të jetë një e majtë solidare, një e majtë e cila mendon për shtresën e varfër, e cila bën përpjekje të zhdukë varfërinë dhe punojë me perspektiva afatgjata. Një e majtë që nuk ka nevojë për banditë, pasi ata nuk duhen nëse ti ke përkrahjen e popullsisë. Një e majtë që biznesin e sheh si pulë që bën vezën dhe jo si pulë për t’u rrjepur apo t’i japësh rolin e këndezit. Duhet një e majtë ku politika është ndarësja dhe rregullatorja mes klasave. Por kjo është një teori e gjatë, e cila tek ne duhet të fillojë të shpjegohet nga zeroja.

- Pse fitoi e majta këtu, nga që ka shumë të varfër ?

- Jo, e majta këtu fiton jo për shkak të varfërisë, por të krahinarizmit, dhunës, blerjes së votave, trembjes, të fortëve.

- Si e shpjegoni faktin që te ne, shumë të varfër e të papunë janë me PD, ndërkohë që shumë të pasur janë me PS? Madje PS ka në organet drejtuese, apo deputetë, më shumë milionerë se PD. Pse janë bërë pak si lëmsh klasat këtu?

- Sepse tek ne nuk ekziston një e majtë e vërtetë. Ne kemi deputetë socialistë që lëvizin me fuoristrada 100 mijë euroshe. Ç’lidhje kanë këta me të majtën ?! Ç’lidhje kanë këta me politikën, përveçse e shohin atë si një ndër kompanitë e bizneseve të tyre ?! Ende partitë tona kanë frymën e krahinarizmit. PD konceptohet si parti e veriut, ndërsa PS e jugut të Shqipërisë. Përjashtimet veçse forcojnë rregullin.

- Kam lexuar nje psikolog bashkëkohor që shkruante se gjithnjë e më shumë njerëzit e pasuksesshëm në fushen e tyre, apo ata me karakte jo të forte dhe mbase edhe me moral jo te pastër, merren me politike. Mendoni edhe ju keshtu?

- Nuk besoj se është kështu. Politika është edhe pasion. Por mendoj se tek ne, më shumë se mungesë suksesi në fushën nga vjen, është pasioni për favoret që sjell. Ne ende na mungojnë politikanët e tipit De Gasperi, Shuman, apo Ben Gurion. Mos harrojmë se Ben Gurion, njeriu që themeloi Izraelin nga një tufë njerëzish të terrorizuar nga progromet apo holokausti, banonte në një dhomë të ngushtë, e cila kishte një komodinë, një tavolinë ku hante ushqime konservash dhe një kostum të rrëgjuar që e varte në gozhdë. Këta lloj njerëzish kanë atë frymë mesianike që janë në gjendje të ngrenë kombet në këmbë. Ndërsa politikanët tanë zilepsin edhe pasanikët e Evropës me luksin e tyre.

- Një shprehje thotë se çdo popull ka qeverine që meriton. Mos vallë çdo popull ka edhe partinë që meriton? Mos vallë ky populli ynë nuk meriton më shume se kaq sa kemi?

- Që kemi një qeveri që nuk e meritojmë, duhet ta vërtetojmë. Megjithëse nuk është se populli ynë ka pasur oferta për të qenë.

- Pse nuk i hyn punës për të bërë një parti? Mendimet e mira i ke, talentin, përvojën drejtuese, aftësinë organizuese…?

- Sepse shoqëria jonë, nga punëtori deri tek profesori është e trembur, e tulatur dhe e zhgënjyer. Por një parti kërkon edhe frymë. Tek ne deri tani është fryma e revoltës. Por ende jo fryma e besimit.

- Thuhet se për të krijuar e mbajtur një parti duhen para. Mos vallë kjo pengon për të bërë një parti idealiste ?

- Është një aset i nevojshëm por jo i domosdoshëm. Nëse do të ishte fryma, asgjë nuk të pengon. Por ne na duhet ende punë të kalojmë nga revolta fejsbukiane, apo e kafeneve, në aksion. Dhe këtë jua vërtetoj me fakte të përditëshme. Për shembull, nëse një kryeministër në perëndim, apo qoftë edhe në Greqi, do të ishte sjellë si Rama me çështjen e plehrave, vendi do të kishte marrë flakë. Para katër vjetësh në Greqi, një fshat bëri luftë me javë të tëra për mos të lejuar një landfill pranë tij. Ndërsa këtu megjithëse egziston kauza, megjithëse janë organizatorët, pak, shumë pak, dalin në protestë.

- Flitet se në tetor Ben Blushi do të shpallë partinë e tij. Mendoni se kjo do të jetë e majta që duhet këtij vendi?

- Ben Blushi i ka të gjitha asetet për një të majtë moderne. Nëse do të jetë kjo e majta që unë mendoj, duhet të presim.

- Eshtë fakt se shumica e partive tani nuk funksionojnesi parti, por si shpk, me në krye kryatarin, si ortak të vetëm te saj. Kush garanton se edhe partitë e reja nuk do të jenë kështu?

- Nuk garanton askush. Në fakt neve në funksionin e një partie na mungon alfa: rrotacioni brenda saj. Kjo ndodh vetëm kur kryetarët janë rrëgjuar nga pushteti dhe ju kanë mbaruar edhe përrallat për të treguar.

- Kush na garanton që partia e re nuk do sëmuret me sëmundjet e partive te deritanishme, korrupsionin, etjen për pushtet etj etj…

- Askush. Por të paktën do ja vlente të provohej. Demokracia para së gjithash është eksperimentim dhe mungesë besnikërie ndaj partive.

- Deri tani folëm për të majtën, por mua më duket se tek ne, nuk ka as të djathtë. Programi i PD është dhe ka qënë shumë më i majtë se ai i PS . Po kështu, edhe mënyrat e veprimit të PD-së në më të shumtën e rasteve të kujtojnë më shumë të majtën e sesa të djathtën. PA folur për origjinën e drejtuesve të saj… Pse ndodh kështu?

- Sepse e djathta këtu nuk ka një traditë. Dhe, për më keq, nuk njeh as jetën, si funksionon një parti moderne. Ndaj komunistët e infiltruar tek ajo ja dolën të marrin frenat. Thjesht ishin peshqit më të egër të tufës që mund të hanin kundërshtarin. Për mos hyrë pastaj tek skemat klasike, ku ne nuk kemi pasur kurrë një shtresë industrialistësh, dhe bejlerët tanë e shumta vinin tre muaj të vitit në atdhe sa për të mbledhur taksat, para të cilat i luanin kumar nëntë muaj të tjerë nëpër Evropë. Dhe kjo është një thënie e Jusuf Vrionit, një pinjoll ekselent i bejlerëve tanë.

- Mos vallë këtu e majta është e djathtë dhe e majta e djathtë?

- Këtu është një lëmsh ku askush nuk ndruhet t’i vjedhë shokut paratë, idetë, idealet, dhe të bashkëpunojnë kur është fjala për të vjedhur shqiptarët.

- Mos ka ardhur koha edhe për një të djathtë të vërtetë?

-Këtë nuk e di. Duhet të pyesni një të djathtë.

- Mendoni se nje parti e re, e majtë, apo e djathtë, e krijuar natyrshëm e jo me urdhër te Ramiz Alisë do t’i japë fund tranzicionit që po na torturon?

- Mos i jepni kaq shumë merita Ramiz Alisë. Është koha të zbulojmë profetin tek vetja dhe jo të merremi me teori komplotiste.

DRITAN HILA

Dritan Hila, diplomat, ish zv. Minister i Mbrojtjes

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.