Ja si u dhamë fjalën italianëve, për plehrat…

Kaso Kosa takon Eduard Shalsin:

Intervista - - FAQE 1 -

Deputetin e PS-së, shokun Shalsi kisha ditë që po e kërkoja për një intervistë, por e takova rastësisht në një vend jo fort të këndshëm. Teksa po derdhja llozhdrat, apo plehrat, siç i thonë gramatikisht, e gjeta me furçë në dorë, pranë kazanit. Unë duke patur në njërën dorë hundën (që mos të merrja erë kazanit) dhe në tjetrën penën, realizova me të këtë intervistë… Kaso Kosa: -Përshëndetje, shoku Shalsi! Eduard Shalsi: - Përshëndetje, Kaso! Hë ç’bën?

-Unë mirë. Desh ju vrava me plehra. Më falni se s’ju pashë fare!

-Mos u shqetëso! As që e vura re fare. Pastaj ku kemi plehra ne, që të më godisje ti me to…

- Po unë me plehra në qese isha. Sapo e hodha në kazan.

- E kam fjalën, Kaso, që s’kemi aq shumë plehra sa duhen. Se të kishim, nuk do pranoja unë që të vinin nga jashtë. S’kemi Kaso! Po ç’të kemi plehra, përderisa s’kemi konsum. Ç’të kemi konsum, kur s’kemi prodhim. Ne kemi ekonomi leshi.

-Më falni shoku Shalsi, por nuk keni frikë që i thoni këto!? Nëse ju dëgjon zoti Rama, do ju ndëshkojë…

- Unë atij ja kam thënë në sy. Madje jo vetëm këtë gjë, por edhe i thashë që të sjellim plehrat e dynjasë, këtu në vendin tonë.

- Ju ja keni dhënë këtë këshillë Kryeministrit!?

- Unë, pra, mo, unë. Kujton ti se më ka zënë kjo shishja e rakisë që kam këtu pranë?

-Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht vetëm te unë. More vërtet, ç’e keni atë shishe raki, se tani po e shikoj?

- E mbaj që të mos më afrohen mizat, Kaso. - Po ç’bëni pranë kazanit, xhanëm?! - Nuk ke sy fare natën, o Kaso xhani. Nuk shikon që po fshij me furçë emrin e Ramës që kanë shkruajtur mbi të. - Kush e ka shkruajtur? - Si kush? Po aq aguridhe je dhe s’kupton! Po Ben Blushi e ka shkruajtur. Ai kukuvajka. Ja njoh shkrimin atij unë. Ai kishte shkruajtur edhe emrin tim në një kazan. E pashë kur kalova rrugës. -Kë patë, Benin duke shkruar? -Jo, ai kishte ikur. Pashë emrin tim mbi kazan. -E fshitë? -Jo akoma, se më parë erdha të fshij emrin e Ramës. E shikon atë vajzën aty? -Po e shikoj. -Është anëtare e rinisë së partisë sonë. Ajo më përgjon. Po të fshija emrin tim përpara emrit të Ramës, ajo do i thoshte Ramës dhe do më pinte e zeza. Dmth ajo është anëtare e Forumit, “Të bëfsha gjeneratën”. Ata janë më spiunë se të vjetrit. Dy deputetë e hëngrën, nuk do jenë në listat për zgjedhjet e ardhshme, vetëm e vetëm se fshinë nga kazanët emrat e tyre, para se të fshinin emrin e Ramës. -Cilët janë këta të dy? - Aman Kaso mos më kërko emra, se vetëm unë e di që s’do jenë në lista. Rama ka ca kohë që vetëm mua më beson. -Ju beson vetëm juve?! - Mua të parin dmth. Ti Shalsi, më thotë je gjeni! Vetëm ti e kuptove se ne do vidhnim ndryshe nga Sali efendiu. Më kërko ç’të duash… - Ja të mendohem se ç’të kërkoj. - O Kaso! Nuk të thashë ty “më kërko ç’të duash”. Thashë që Rama më thotë mua “më kërko ç’të duash” - Po ju ç’i keni kërkuar? - Sa bëhem gati unë t’i kërkoj të më jap ndonjë post ministri, ai më thotë “Ti mbylle gojën! Ministrat s’duhen të jenë aq të sinqertë sa ti”, më thotë. E kështu Kaso…

- Shoku Shalsi, desha t’ju pyes: Si ju ra në mendje këshilla juaj që të na vijën plehrat nga jashtë?

- Muhabet i gjatë, Kaso. Megjithëse po ta them, me pak fjalë, se do i kthehem punës. Isha në zyrën e Ramës. Ai doli dhe më la vetëm, mua dhe tavolinën. Mbi tavolinë ka një telefon. Kur dëgjoj unë; Tërrrr, tërrrrr, tërrrr. Binte zilja.

Ngre telefonin dhe flas. “Alo! Ciao Edo, më tha ai përtej telefonit. Kam vendosur të sjell ca plehra aty te ju. Për muhabetet e tjera rregullohemi rrugës. Come pensi ti Edo?”. Dmth; Si mendon ti Edo, më tha italiani mua në telefon. “Silli mer plak, i thashë unë. Sill ç’të duash, përderisa “rregullohemi”. E kështu italini mori llafin që të sillte plehrat. Kur erdhi Rama në zyrë, ia thashë që i dhashë llafin italianit për plehrat.

-Më falni shoku Shalsi, por italiani s’mori llafin e Edi Ramës. Mori llafin e Edi Shalsit.

-Po mirë, mo, Kaso! Italiani që do sjellë plehrat, s’do “rregullohet” me mua, do “rregullohet” me Ramën. Pak ndryshon në këtë mes. Kupton? Tani me ler se mbeta pa fshirë emrin e Kryeministrit nga kazani. Po zbardh dhe më gjen belaja nëse nuk e fshij pa dalë dita…

Bisedoi me shaka Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.