Ngjela-Ndokës: Largohu nga spektakli!

Gazeta jonë ka mundur të kapë një sms të zotit Spartak Ngjela, drejtuar telefonit celular të zotit Nard Ndoka, ku ai i kërkon që të largohet nga spektakli i vallëzimit

Intervista - - HUMOR -

Spartak Ngjela i shkruan Nard Ndokës

I padashur Nardi, shkurt Nari, që kërcen si katunari. Këtë arrita në përfundim, kur pashë performancën tënde aspak adekuate, në spektaklin ku ti vallëzon. Në fakt, ti bën sikur vallëzon. Po pse vallzim e quan ti atë ?! Ja ku « I am telling you”, “po t’a them” se je i dështuar, Nari. Gjithsesi faji nuk është aspak i yti, por totalisht i regjizores së spektaklit. “I don’t understand” përse ajo të ka bërë pjesë të këtij eventi televiziv. Është absurde që të ka marrë ty, që s’di të hedhësh hapat, e të mos marrë, le të themi, mua. Jo, mor zotëri, nuk vallzohet ashtu. Po, fundja, ç’pret nga një axhustator, një tornitor i rëndomtë, si ty. Vallëzimi, si element qytetarie, është atribut i qenësishëm i fisnikërisë. Dhe ti as që e njeh këtë, jo vetëm si koncept, por edhe si spektakël, apo koncert. Të këshilloj të largohesh sa më parë nga ai spektal. A e kupton ti? A e kupton ti, që je bërë gazi i botës. Madje je bërë më keq se gaz i botës. Je bërë si Gazi i kooperativës, që mezi ecte. Shiko, po të them si mik; “largohu!”. Largohu, se do vij të të zëvendësojë unë.

Le që nga ta kuptosh, kur aq e ke diapazonin kuptimor…

Po pres vetëm 3 muaj që të vendosësh të largohesh. Ndryshe do i them Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë. Ti e di sa më dëgjon mua ai. Lu-ja, sa herë ka indicio të bëjë dicka, konsultohet vetëm me mua. Amerika, mor zotëri, është aleati ynë strategjik. Dhe ata si përfaqësues të vlerave perëndimore, më kanë mua reprezentativin e vetëm në Shqipëri. Ti me atë performancë te ai spektakël, vetëm po i intimidon. A e kupton ti mor zotëri, sikur në atë spektakël të isha unë dhe jo ti. Gjithë njerëzit do më shikonin me pasion dhe ‘feeling”

Si po i intimidon, pra tur- përon? Në shumë aspekte. Unë po përmend vetëm një. Ti vallëzon, për shembull, “rock and roll”, ndërkohë që flokët i ke të qethura shkurt. Po si mund të performohet kjo muzikë me flokë të shkurtra, apo siç i thoshim në në burg, karre. Ajo lloj muzike kërkon flokë të gjata, apo e pakta, flokët e mi. Ka ikur koha e kohës së flokëve karre. Por ti me flokët shkurt karre, tregon që je një nostalgjik i atij regjimi despotik, kriminal që unë, e pas meje edhe të tjerë e kanë denoncuar.

Po fundja ti aq di, se atë kapacitet dhe vision intelektual, ke. Mirë ti, por regjizorja, si të ka lejuar të përformosh me flokë karre?!

Mirë regjizorja, po si të ka lejuar Sandri, pronari i televizionit. Atij s’i shpëton asgjë, asnjë event. Largohu Nar(d)i nga ai spektakël dhe lerua vendin të aftëve. Të aftëve si puna ime, jo çdo të afti.

Po do të dish mendimin tim për atë spektakël, është se ai kot që bëhet. Se s’ka asnjë vlerë edukative. Por kjo është një çështje tjetër, që s’ka të bëjë më thelbin e mesazhit tim. Fundja, ky milet s’do edukim.

Për të ta përmbyllur mesazhin; Po pres tre muaj, për përgjigjen. Deri ateherë: Vazhdo turpërohu në vallëzim!

Nard Ndoka i përgjigjet Spartak Ngjelës

Qetësohu Taku! Fati s’është përherë me atë që e kërkon. Është edhe çështje fati. Unë s’e kërkova fare. Ishte regjizorja që më kërkoi. Në politikë dhe në jetë, duhet të bëhesh ca i veçantë me budallallëqe. Ndryshe s’ta var njeri. Ti si duket nuk je bërë akoma mjaftueshëm, Taku, ndaj s’të kanë bërë pjesë të spektaklit. Por je në rrugën e duhur. Vazhdo haluçinacionet dhe gjithcka do të të realizohet. Tani po të lë, se s’më lë partnerja rehat. Hajde, Nardi thote se do bëjmë piruetën. Të uroj vitin tjetër të jesh ti pjesë e piruetës, Taku. Këtë vit, taksirat e ke, të më shikosh në tv. Fundja, s’ke c’bën tjetër.

Të fala ambasadorit amerikan, që ti e takon përditë. Nardi

PS. Çdo ngjashmëri me Wikileaksin e vërtetë është e rastit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.