Pas mallkimit tim...

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga java e kaluar) Mamaja e tij përdori gjithë farë metodash për të na larguar. Ajo arriti deri aty sa t’i thoshte djalit se ishte e sëmurë me kancer, dhe për t’u kuruar i duheshin shumë lekë. Dhe për këtë gjë e detyroi djalin që të shkonte të punonte në Itali te daja i tij, i cili kishte marrë një lokal me qira. Ai i rregullon dokumente pune dhe e tërheq në Itali. Kishte menduar se ky ishte një planë i mirëmenduar që unë dhe Eri të ndaheshim. Por ajo prapë nuk ia arriti qëllimit, ai iku në Itali, por ne prapë komunikonim në telefon. Këtë gjë e kishte kuptuar dhe daja i tij, dhe ai në lokalin e tij punëson një vajzë, në mënyrë që ai të lidhej me të dhe të më harronte mua. Por nga lidhja jonë unë kisha kuptuar, se Eri nuk ishte tip, që lidhej me njerëzit për interes. Ai në një lidhje përkushtohej i gjithi, dhe të faltë dashuri të sinqertë, pa dorashka. Atij nuk i pëlqente që të luante me ndjenjat e një femre. Me pak fjalë, ai ishte djalë i ri dhe akoma nuk i kishte mësuar djallëzitë e jetës. Me kalimin e kohës po kuptoja se Eri po më merrte gjithnjë dhe më rrallë në tel, ai e justifikonte këtë se ishte i zënë me punë, dhe unë e kuptoja. Por gjërat kishin ndryshuar në lidhjen tonë, ai kishte filluar të dilte me vajzën, e cila dhe ajo punonte kameriere në të njëjtin lokal ku punonte ai. Këtë e mora vesh nga daja i tij. Megjithatë prapë mendoja, se këtë gjë ai ma kishte thënë që unë të hiqja dorë prej tij, dhe shpresa ishte ajo që më mbante gjallë. Kishte kaluar një vit e gjysmë nga ikja e tij për në Itai. Dhe në telefonatën e fundit që më bëri Eri më tha se lidhja jonë nuk mund të vazhdojë, për arsyen se nuk mund ta lëndonte mamanë e tij, meqenëse ajo ishte shumë e sëmurë. Për herë të parë në jetën time kam mallkuar me gjithë shpirt. Pasi ia fika telefonin Erit i ktheva sytë nga qelli dhe thashë “ai që vuri dorë në dashurinë tonë, mos paftë kurrë një ditë të bardhë!”, dhe lotët më mbuluan fytyrën. Prej asaj dite lotët e mi nuk pushuan me, sa herë që shkoja në shtrat më kujtohej Eri dhe dashuria që ai më falte, dhe vetëm qaja. Prej asaj dite nuk fola më në telefon me të. Por dita më e zezë e jetës time ka qenë kur dëgjoj në lajme se ai kishte humbur jetën në një aksident me makinë. Në ato momente më kishin humbur ndjenjat, mami më kishte përmendur dhe më thotë “duhet të bëhesh e fortë sepse ai nuk jeton më”. Nuk e doja më jetën, të vetmen gjë që dëshiroja në ato momente ishte që ta shikoja edhe njëherë Erin qoftë edhe të vdekur. Ditën e nesërme më merr në telefon një numër nga Italia, ajo ishte vajza që ishte lidhur Eri, mbas ndarjes me mua. Ajo më lutet që ta dëgjoj dhe unë atë bëra, sepse doja të dija se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me Erin. Telefonata e saj atë ditë ka zgjatur plot dyzetë e pesë minuta. Ajo më tregoi se si atë e kishin përdorur që ai të ndahej me mua. Ajo vajzë e ndjente si për detyrë që të më jepte mua një shpjegim, sepse i dukej sikur Eri i kishte lënë një amanet. Ajo më tregoi shumë gjëra në atë bisedë. Dajën e Erit e kishte njohur në një lokal nate, ku edhe ajo punonte si kamarjere, dhe ai i kishte ofruar te njëjtën punë në lokalin e tij duke e paguar dyfishin. Këtë gjë e kishte bërë vetëm e vetëm me një kusht, që ta bënte nipin e tij që të më harronte mua, në një farë mënyre e kishin përdorur edhe atë. Dhe daja ia kishte thënë kushtet që në fillim, që ajo duhet të ishte vetëm një mjet dëfrimi për nipin e tij, dhe ndjenjat nuk duhet të hynin në mes tyre, ndryshe ajo do t’i kishte punët keq. Ajo e kishte ndjekur lojën që i kishin caktuar deri në një pikë, po kur kishte parë që Eri ishte vërtetë një djalë naiv, dhe pa përvojë në fushën e ndjenjave, atëherë edhe ajo ishte dorëzuar. Ajo kishte filluar të kishte keqardhje për të , madje i kishte thënë se do largohej nga puna, në mënyrë që ajo të mos e lëndonte më. Por ai kishte filluar të bëhej shumë keq, duke filluar alkoolin, atëherë ajo si të thuash kishte ndjerë keqardhje për të dhe ia kishte treguar të gjithë të vërtetën, se gjithë kjo ishte një lojë për ta ndarë atë nga unë. Atëherë ai i ishte lutur që të mos e braktiste, dhe i kishte kërkuar që të fejoheshin sepse ai kishte filluar të ndjente për të, madje, ai kishte patur edhe marrëdhënie intime me të. Nga ana tjetër edhe ajo kishte filluar të ndjente për Erin, sepse ajo vajzë ishte e vuajtur, dhe gjithmonë e përdorur nga të tjerët. Ajo për të parën herë kishte gjetur një djalë të sinqertë, që nuk shikonte te ajo interesin por ndjenjat. Eri siç iu thashë edhe më lart nuk ishte djalë që luante me ndjenjat e femrës, kështu që ai kishte bërë të njëjtën gjë siç bëri dhe me mua. Pra, i ishte drejtuar prindërve që të shkonin në familjen e saj për t’i kërkuar dorën. Por e ëma as që nuk e kishte marrë parasysh kërkesën e tij dhe i kishte thënë “ti nuk mund të martohesh me një vajzë rrugësh”. Mbas zënkave me të ëmën ai kishte filluar të mbyllej shumë në veten e tij, as në punë nuk vinte. Atëherë daja i djalit i kishte treguar të vërtetën, se e ëma e tij nuk ishte e sëmurë fare, ajo kishte krijuar një gënjeshtër për ta ndarë djalin e saj nga mua. Ajo më tregonte dhe lotët e mi nuk pushonin, e ndjeja se edhe ajo vajzë qante nga ana tjetër e telefonit. Eri ia kishte treguar të gjithë historinë tonë asaj vajze, dhe prandaj më mori në telefon për të më thënë se ai edhe pse ishte lidhur me të, prapë mendjen e kishte te mua. Nga biseda që bëra me të, më dukej një vajzë shumë e sinqertë dhe se ajo vuante njësoj si unë.Ajo më tregoi gjithashtu se kur Eri mori vesh të gjitha intrigat që thurte e ëma me vëllanë e saj ai atëherë u bë shumë keq, kishte filluar të pinte alkool, dhe nuk dilte fare nga shtëpia, as në punë nuk shkonte më as me dajën e tij nuk fliste. Dhe vajza më tregoi se ishte e bindur se ai e ka shkaktuar vetë aksidentin me makinë, sepse ai kishte një zëmër të ndjeshme dhe nuk mundi që t’i përballonte të gjitha këto intriga që i bëheshin mbrapa kurrizit pa dijeninë e tij. Të vetmen gjë që më kërkoi ajo vajzë ishte se donte që unë t’i çoja një tufë me lule në varrin e tij. Dhe unë e pranova që t’ia bëja këtë gjë.

Mbas dy javësh e sollën trupin e Erit nga Italia, prindërit më shoqëruan që unë të merrja pjesë në varrimin e tij, sigurisht unë u struka mbas një peme dhe shikoja nga një distancë, kur mbulonin me dhe trupin e atij që kisha dashur më shumë në këtë jetë. Mbasi mbaroi varrimi dhe njerëzit u larguan të gjithë, unë iu afrova varrit të tij dhe qaja për të gjithë ditët e bukura që kaluam, dhe për dhembjen që na shkaktoi e ëma e tij. Prindërit e mi pasi më lanë pak vetëm m’u afruan dhe më sollën dy tufat me lule që i kishim blerë në qytet. Një tufë ishte nga ana e vajzës që më kishe porositur dhe një tjetër nga ana ime. Pastaj ata u nisën para dhe unë qëndrova dhe disa çaste dhe duke qarë iu betova Erit mbi varrin e tij, “si ty, nuk do dua asnjë njeri tjetër, ndoshta për hatrin e prindërve që më rritën do bëj një martesë dhe do kem fëmijët e mi, dhe nëse zoti do më falte djalë ose vajzë unë do i vendos emrin tënd. Do t’i lutem zotit në çdo çast të jetës time, që në jetën tjetër të na bashkojë bashkë”. Mbasi i bëra këtë premtim fshiva lotët dhe u ngrita të ikja, por befas mbi supin tim ndjeva një dorë që më shtrëngoi, mendova se ishte dora e babait, por jo. Ai ishte daja i Erit, i cili m’u drejtua:

-E dija që do të gjeja këtu dhe prandaj qëndrova.

Ai kishte ndenjur për të më pritur mua, dhe për të më kërkuar falje, që ishte bërë pjesë e lojës që e ëma e tij kishte përgatitur për të na ndarë ne. Ai vazhdoi:

-Ndërgjegjja ime nuk do jetë kurrë e qetë derisa ti të më falësh për dhembjen që ju shkaktova ty dhe nipit tim, ai që do e vuaj më shumë këtë tragjedi do jem unë dhe motra ime. Mbas fjalëve ai më drejtojë dorën ku mbante një kuti të vogël. -Merre kjo është për ty. E hap dhe shikoj një unazë rreth, flori i bardhë ku ishin shkruar emri im dhe i Erit, aty nuk e mbajta dot veten dhe fillova përsëri të qaj.

- E gjeta në dhomën e tij, m’u drejtua ai. Ajo unazë është i vetmi kujtim që ruaj prej tij. Ja, pra kjo ishte historia ime, unë vërtet e kisha mallkuar të ëmën e Erit, po nuk e dija se ky mallkim do sillte një tragjedi. Jam e sigurt që Eri e bëri këtë veprim vetëm për të lënduar më shumë të ëmën, për t’i dhënë asaj një leksion se ai nuk ishte kukull në dorën e saj që ajo mund të luante si të donte. Ai iku nga kjo jetë duke i lënë një dhembje dhe një brengë të madhe nënës së tij, por edhe mua që e desha aq shumë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.