Ajo femër më shkatërroi

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Intervista”. Unë që po ju shkruaj jam viktimë e një femre. Për faj të saj unë kalova disa nga vitet më të bukura të rinisë sime pas hekurave të burgut, që uroj që askush mos ta provojë. Zoti ma mori mëndjen bëra një krim për një femër që nuk e meritonte dashurinë time.

Historia që do tju tregoj ka ndodhur disa vite më parë kur unë isha adoleshent. Si të gjithë djemtë, njoha një vajzë. Në pamje dukej si ëngjëll. Ishte aq e bukur sa të linte pa fjalë. Por pamja e saj e jashtme dhe shpirti ndryshonin shumë nga njëri tjetri. Nuk ma merrte mendja në atë kohë që kishte njeri aq të keq sa të shkatërronte jetën e dikujt dhe të vazhdonte jetën e saj e lumtur. U bëra si budalla pas saj. Më gënjeu me pamjen e jashtme dhe sjelljen e saj të shtirur. Sillej si femër delikate dhe e ndjeshme përpara meje. Ëngjëll në të gjitha kuptimet dukej në pamje të parë. Por brënda kishte shpirtin e një djalli. Edhe ajo bëri sikur më donte dhe më hapi zemrën. Më tregoj se përpara se të lidheshim bashkë kishte pasur një lidhje dhe se ai tipi nuk e linte rehat akoma. Unë, i dashuruar marrëzisht pas saj i thashë se isha gati të bëja çdo gjë për të. Ajo rrinte si me frikë me mua sepse, siç thoshte, po ta merrte vesh ish i dashuri i saj do të behej keq dhe unë mund të prisja çdo gjë nga ai. Unë i premtova se po të qëndronte me mua asnjë nuk do t’i bënte keq.

Vazhduam normalisht lidhjen tonë. Për mua ishte femra ideale. Ndihesha me fat. Bëja çmënduri për të. Më dukej vetja sikur kisha kapur qiellin me dorë. I plotësoja çdo dëshirë, sepse ajo më dukej si ëngjëll që meritonte gjithçka. Dilja dhe jashtë mundësive të mija për ta kënaqur.

Një ditë, si të gjithë ditët e tjera kur unë nisesha për në punë, kalova nga shkolla e saj. Nuk kishim shumë që kishim folur në telefon dhe ajo më kishte thënë se pas pak do të futej në provim dhe unë mos t’i bija telefonit se më merrte ajo vetë mbasi të mbaronte. Gjithmonë shkoja nga një rrugicë për t’i dalë shkurt tek shkolla e saj. Por ç‘të shikoja?! Në hyrjen e një pallati që ndodhej aty pranë ajo po puthej me një djalë tjetër. Nuk doja t’ju besoja syve dhe, në gjaknxehtësi e sipër, sulmova djalin të cilin ajo po puthej dhe e godita me një gur të madh mbas të bërtiste, të më shante për atë që kishte ndodhur. I thashë: “Hajde ikim, fshihemi”, por ajo nuk pranoi që të vinte me mua dhe të fshiheshim. Atë natë më kapi policia, dhe kalova disa ditë në paraburgim. Krimi që unë kisha kryer u cilësua në prokurori si vrasje e mbetur në tentativë për motive të dobta. U dënova me 3 vjet heqje lirie. Gjatë kohës që unë isha në burg familjes time i bënin presion. I thonin që do ta vrasim menjeherë pasi të dalë nga burgu. Familjen e groposa në borxhe sepse duhej të paguhej një avokat që të merrej në shqyrtim çështja ime. Gjatë kohës që isha në burg mendoja se, mirë se po dal nga burgu, po a do shpëtoj i gjallë nga ai që plagosa, sepse ai vazhdonte t’i bënte presion familjes sime. Nëna ime e shkretë kaloi një parainfakt kur unë isha në burg, vetëm nga problemet që unë i solla, ndërsa babai nuk donte të më shikonte me sy, sepse, sipas tij, isha një budalla që kisha shkatërruar jetën në një moshë shumë të re dhe për çfarë, për një femër.

Me të vërtetë, sot që e mendoj them se ajo nuk meritonte asgjë nga unë, por unë isha dashuruar kokë e këmbë me të dhe më ishin errësuar sytë. Kam qënë budalla që u gënjeva pas një femre, që më bëri ta paguaja dashurinë shumë shtrenjtë duke më hequr tre vjet nga rinia ime. Gjithçka që bëra e bëra për të, por ajo nuk pati fare mëshirë për mua. Akoma nuk e kuptoj sjelljen e saj. Gjatë kohës që kam qënë me të më dukej sikur kisha kapur qiellin me dorë. Pas kësaj lumturie të madhe gjithçka u shkatërrua brenda disa minutash dhe unë qëndrova 3 vjet i burgosur për faj të saj, dhe shkatërova gjithë familjen time. Gjatë kohës që isha brënda thoja sikur të isha edhe një herë i lirë dhe t’i rikthehesha jetës normale nuk do të bëja budallallëqe të tilla.

Pasi përfundova burgun, u nisa direkt për në Greqi tek vëllai im sepse në Shqipëri nuk isha i sigurt për jetën. Tani jetoj gati prej 15 vjetësh në Greqi. Punoj dhe jam i qetë me jetën që bëj. Por historia që ju tregova ka mbetur dhe do të mbetet e paharruar në jetën time, sepse nga një dashuri e madhe, kalova ditët më të bukura të rinisë time pas hekurave. Nuk dua ta mallkoj atë femër, por mendoj se ajo do të pendohet një ditë, apo dhe ndoshta është lënduar, për atë që më bëri.

Tani ajo është një pjesë e shkuar e jetës time, por e tregova këtë histori që ta lexoni dhe të hapni sytë mirë kur bieni në dashuri sepse jo gjithçka është aq e pastër dhe e sinqertë në një marrëdhënie. Ata që të duken si ëngjëj, dalin djaj dhe për një çast të shkatërrojnë gjithçka...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.