Rama, Meta dhe Basha i shkruajnë Babagjyshit

Intervista - - HUMOR -

Me afrimin e Vitit 2017, liderët e politikës sonë si çdokush nga ne, i ka shprehur dëshirat Babagjyshit. Redaksia e gazetës sonë, ka bërë të mundur të kapë kabllogramet që këta i kanë dërguar Babagjyshit. Për hir të transparencës ndaj ju lexuesve, ne po i bëjmë publike EDI RAMA I dashur Babagjysh. Unë, me thënë të vërtetën i kam inat gjyshërit. Atë gjysh Saliun për shembull, nuk e shikoj dot fare me sy. Por ty edhe gjysh Donaldin, ju dua fort, megjithëse jeni të vjetër. Unë e kam thënë: Jo të gjithë të vjetërit janë të lodhur. Trampi megjithëse është gjysh për shembull, mbetet një njeri plot energji. Unë këtë e kam thënë edhe më parë. Ja kam thënë edhe atij.

Po të bëj një lutje, i dashur Babagjysh i vitit 2017. Mora vesh se një sirian që jeton në Siri kishte dorëzuar në polici, 50 mijë euro që gjeti në një sirtar të dollapit që e kish blerë te mobiljet e përdoruara. Ruam o zot! Aman o Babagjysh! Po sikur të më iki mendja mua e të harroj ku I kam fshehur paratë.

O Babagjysh! Nuk dua asgjë prej teje. Domethënë dua diçka: Dua vetëm mos të më iki kujtesa. Kur të vish, të lutem, më trego se çfarë ushqimi duhet të konsumoj, që të mbaj sa më shumë mend. Thonë që stresi ndikon keq për kujtesën. Ndaj unë nuk e rruaj fare për ç’ndodh me ekonominë e vendit. Se pastaj humbas kujtesën dhe harroj ku i kam mbyllur ato të shkretat para.

Për zgjedhjet e ardhshme s’po bërë pakti me Saliun dhe atë mister buzëqeshjen e PD-së, që i rri nga pas Salës. Si është pakti? Po ja, unë rri në pushtet e s’fus asnjë në burg. Pse të fus xhanëm?! Se pastaj vijnë ata të palës tjetër me vonë dhe ma ngopin edhe mua.

Mbetem në pritje të takimit tonë, e të më japësh ca këshilla o Babagjysh, se më ka zënë frika për ç’të thashë.

Më sill edhe ca thasë me miell, se hiç mendja, që kemi zgjedhjet gjatë vitit që do jesh ti. Po solle ca 20 mijë lekëshe, mirë do bësh. Njëzetëmijëlekëshe të vjetra, jo të reja. I duam t’ja u japim ca të vobektëve përpara zgjedhjeve, se gjynah. Edhe po s’solle, nuk ka gjë. Kam plot biznesmenë unë deputetë, që do ju japin. Nuk i lënë të vobektët pa gjë ata, jo.

Mirë se të na i sjellësh kokën dhe këshillat për kujtesën, Babagjysh!

ILIR META I dashur Babagjysh. Uroj që të na vish shëndoshë e mirë. Shiko! Bjeri nga Skrapari. Kujdes andej te kanionet, se mos na biesh, e thyen ndonjë gjymtyrë.

Ec me qetësi! Mos qëndro shumë te fshatarët atje, se do të të zërë hashashi që kanë në shtëpi. Shiko, po të këshilloj: Kur të të ofrojnë raki, mos pi shumë! Se e ke për herë të parë, e do na bëhesh të vegjëlit ore, se mos pi nga ata kiloshët, se do na mbetesh andej dhe do na vonohesh të na vish në Tiranë. Të duam në kohë, se kemi edhe zgjedhjet. Shiko! Meqë ra të rinjsh e të rejash, që t’i punësoj. Të heq ca të rinj nga puna që janë me PS-në, e të vendos ata që do më sjellësh, e do futen te ne në LSI.

Sill me vete edhe ca thasë. Mos u frikëso, se nuk i dua të jenë plot. I dua bosh, se për të mbushur i mbush vetë. Ti vetëm silli të paçpuar. Fundja tani që po kujtohem; Edhe të shpuar të jenë, s’ka problem. Kemi ata pronarët e biznesit fason ne. I qepin, i bëjnë krëk të reja. Me këtë rast punësojmë edhe gratë. Jo gratë tona, jo. Gratë e fukarenjve thashë, se gratë tona i kemi rregulluar ne. Me qetësi dhe dashuri. Iliri LULËZIM BASHA I dashur Babagjysh! Po shkoj njëherë të marr një sy gjumë, se jam i lodhur. Sapo u ktheva nga Hollanda ku shkova takova familjen. Sa të zgjohem, po ulem e të shkruaj. Në fakt, kur të zgjohem do shkoj të takoj Saliun, se tani u kujtova. Pastaj po s’më vonoi ai, do ulem e të shkruaj përpara se të na vish. Po më vonoi Saliu, do ulem e të shkruaj gjatë vitit. Se zakonisht kur më thërret ai, më mban gjatë. Ehh, nuk është koha të të tregoj, por ta dish sa vuaj unë kur më thërret ai. Më lë në këmbë gjithë kohën. Ka pasur raste që më ka zënë gjumi në këmbë. Shyqyr se kush e dëgjonte pastaj. Nuk po e zgjas, se më kapi gjumi.

Të përqafoj me buzëqeshjen në fytyrë, o babagjysh, e gojën hapur për gjumë, Luli!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.