Edi Rama: Zyrën ma pastron lali Eri

Intervista - - HUMOR -

Kryeministrin e vendit, zotin Edi Rama e takova përpara godinës së kryministrisë. Mezi hidhte hapat për të shkuar brenda.

Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Kryeministër. Të lodhur ju shoh…

Edi Rama: - Ja, të ulem pak te kjo shkalla… Uhhh ç’u lodha. E nga mos të jem i kapitur, Kaso. Vdiqa në punë. Sapo po kthehem nga një takim…

-Takim me të investitorë të huaj, besoj…?

-Investitorë leshi. Ku vijnë investitorët te ne. Ju ka futur frikën Ben Ahmetaj. Isha në një takim me ca banorë...

-Banorët e kujt zone?

-Ku di unë në ç’zonë banonin ata.

-Si nuk e dini?! Po a ishit në takim?

-Në takim isha, por për zonën mos më pyet mua. Pyet Tan Lamen. Ai e di axhendën.

- kolli? E keni hequr nga drejtor të lëgalizimeve të ndërtimeve? Po ky qenka lajm eksluzivisht për mua.

-O Kaso, o toç! Lame është akoma drejtor, megjithëse më ka dalë kundra ca nga puna po t’i dilje kundra gjysëm here. Po thosha që Tan Lame merret me organizimin e katundarëve që jetojnë në fsha- tra dhe qytete. Të atyre që kanë ndërtuar pa leje. Unë shkoj e ju mbaj fjalime dhe ju jap lejen. Ndaj s’di ku isha, se të gjithë njerëzit që takoj më duken njëlloj.

-Si ju duken njëlloj?

-Njëlloj pra. Hallexhinj. Rrinë e dëgjojnë me minuta të tëra, fjalimet e mia. Vallahi, të fortë janë, Kaso.

- Halli, zoti Kryeministër, ai i bën të rrinë kështu.

-Atë e dimë ne, Kaso. Sa më shumë të varur nga ne dhe halle të ketë mileti, aq më urtë do na rrinë. E kemi parim këtë gjë, neve që kemi pushtetin.

-Vërtet, ju kam parë shpesh duke ndarë lejet e legalizimeve…

-Po se mos kam punë tjetër. Pastaj dal marr edhe ajër të pastër. Ku të rri, në Tiranë të rri? Është bërë si Elbasani. Smog i tëri. S’hap dot dritaren e zyrës, se më futet brenda. Njëherë që e hapa, u mbush tavolina me një gisht pluhur, brenda një ore. Shyqyr kisha edhe atë toç Erin aty.

-Cilin Eri?

- Erion Veliajn pra. Sa pa pluhurin mbi tavolinë, ju lëshua e e fshihu me mëngën e xhaketës.

- Po ai s’mban xhaketë veshur. Ku e gjeti xhaketën?!

- Xhaketën e tij e ka varur te zyra ime. Mban rradhën me xhaketë, që kur të iki unë nga i pari i partisë, të vijë ai. Sa herë kam nevojë të pastroj zyrën, i them lali Erit. Booo sa me vrap që vjen ai, mer dak. Në lojrat e ardhshme olimpike, në garat e shpejtësisë, do çojmë lali Erin të konkurrojë për Shqipërinë. Kur i them unë, “hajde këtu!”, ai distancën nga godina e bashkisë, deri këtu ku jemi ne tani në Kryeministri e bën për 1 minutë.

- Vjen me makinë mbase.

- Ku di të ngasë makinën ai. Atë ja ngjet gruaja. Vjen me këmbë po të them. Ja, ku pot a them Kaso: Unë ndaj shtëpinë në fshat e bëra pa dritare. Se futet pluhuri. Booo, është bërë tmerr në Tiranë. S’rrihet fare. Ku do e shtyj unë këtu edhe disa vite sa të jem kryeministër… !

- E di që mbeta aguridhe e s’kuptoj thellë : Si disa vite…?

- Disa vite, pra, do rri në Shqipëri. Pastaj kur të iki nga karrigia, do ki jashtë.

- Ku do ikni?

- Ku ka ajër. Lere se këtu është bërë tmerr nga smogu. Le që janë bërë pallatet bythë më bythë. Eshtë shkatërruar fare Tirana këto 25 vjet. Ja, më thuaj ti mua Kaso! Qëndrohet në Shqipëri? Vjen një ditë që duhet ikur.

- S’di ç’të them zoti Kryeministër. Meqë përmendët fjalën “Vjen”; Do vijnë instrumentistë nga Vjena të luajnë në Tiranë, mora vesh.

-Ishte ide e lali Erit kjo, Kaso. Nuk ja mohoj. Ai ma dha. Teksa si zakonisht po më pastronte tavolinën, para disa ditësh, më tha : -Shef, Edi mora vesh që do vijë Fatos Nano nga Vjena. Mos na bën ndonjë proçkë ai.

- Do vijë Fatosi e do bëjë proçkë?!

- Po ç’proçkë o Kaso! Me Fatosin jam rregulluar unë në pazar. Lali Eri ma kujton shpesh Fatosin, për të më treguar që ai mori pjesë me lëvizjen Mjaft, kundër tij. Do që unë mos ta harroj këtë fakt.Mirë se të vijë Fatosi, - i thashë lali Erit. -Po sikur të vijnë nga Vjena edhe ca instrumentistë, më tha lali Eri. Popullit I themi që do vijë Orkestra e Vjenës. Merrem unë me organizmin e kësaj. Me këtë rast Ri hesapi. Mami s’ka kokërr leku të më japë të bëj një festim dinjitoz”

-Kështu qenka puna domethënë.

-Po kështu Kaso, po si. Prishur mos qoftë, i thashë lali Erit. Ja, kështu! Ti Kaso do vish në koncert të atyre të Vjenës?

-Është shtrenjtë bileta, zoti Rama. Ku ja dilet dot me këto rroga.

- Vërtet shtrenjtë është. Rrogat do i rris në pranverë. Ti hajd vitin tjetër në koncert. E të mendosh Kaso; Shumica e atyre që do vijnë në këtë koncert , dëgjojnë vetëm muzikë tallava. Ika, tani Kaso të ngjitem në zyrë, se do marr ndonje plevit këtu ulur te shkallët. Do thonë pastaj: Është ftof Edi në mendere. Le që kush do thotë?! Vetëm ata të opozitës, do thonë. Këta të mitë edhe sikur i ftohur në mendere të jem, nuk e thonë. Gëzuar Vitin e Ri 2017, vitin e rritjes së rrogave!

Bisedoi me shaka KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.