Historia e azilit që më ndau nga vajza...

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Përshëndetje! Jam një zonjë nga jugu i Shqipërisë, por që ju shkruaj nga Belgjika. Besoj se të gjithë ju e keni dëgjuar atë shprehjen “ra nga shiu në breshër”. Kështu ndodhi dhe me mua. Për të kuptuar atë që ju thashë më lart, do ju lutesha ta më ndiqnit deri në fund të historisë time.

Jam një zonjë që kam patur një fatkeqësi në jetë. Bashkëshorti im vdiq në një aksident me makinë dhe mua më la me një vajzë, e cila në ata kohë ishte vetëm pesë vjeçe. Pas vdekjes së tij prindërit më morën përsëri në shtëpinë e tyre. Që atëherë kanë kaluar vite, dhe vajza ime sot është trembëdhjetë vjeç. Për të rregulluar të ardhmen e saj doja të bëja diçka për të, që ajo të shkollohej në një vend tjetër jashtë Shqipërisë, në mënyrë që ajo të bëhej dikush në jetë. Shumë njerëz aty në fshat kishin ikur jashtë vendit në Evropë, kishin krijuar një alibi për jetën e tyre dhe dikush kishte marrë dokumente dhe dikush jo. Një njeriu jonë që kishte vite në Belgjikë më këshilloi që unë të shkoja dhe të kërkoja azil në atë vend. Përveç kësaj ai më tha dhe alibinë që duhet të ndërtoja për t’ua treguar autoriteteve atje. Me thënë të drejtën ajo që duhet të bëja ishte një gjë shumë e shëmtuar, po njeriu çfarë nuk bënë për të rregulluar të ardhmen e fëmijëve. Një mikesha ime, e cila ishte nga fshati, por që nuk ishte martuar asnjëherë, u bë personazhi, e cila do më ndihmonte në historinë që unë kisha ndërtuar. Dhe, nëse unë do merrja dokumentet, në këtë vend, ajo do vinte mbas meje duke bërë të njëjtën gjë. Duke rënë në marrëveshje me të, sajojmë historinë sikur ne të dyja po jetonim një dashuri pasionante dhe që prej vitesh kishte qenë në fshehtësi të plotë. Në një moment më zbulojnë prindërit e mi, dhe më përzënë nga shtëpia, duke më kërcënuar se do më vrisnin. Ata më mbajnë peng edhe vajzën, në mënyrë që ajo të mos merrte huqet e mia. Bashkë me shoqen time kishim rënë dakord, për çdo detaj. Këtë gjë e kisha biseduar dhe me prindërit, e mi, por jo me vajzën sepse ajo nuk do më kuptonte asnjëherë. Atëherë mora rrugën për në Belgjikë…

Njerëzit e mi që kisha atje më çojnë në vendet ku mbaheshin azilantët e ardhur. Kisha marrë një avokat shumë të mirë dhe me thënë të drejtën ai merrej vetëm me çështjen e shqiptarëve, madje i mësonte se si duhet ta ndërtonin historinë e tyre. Emrin e tij ma kishin dhënë disa bashkëfshatarë, të cilët më ndihmën e tij e kishin marrë statusin e emigrantit në Belgjikë. Në atë kamp ndenja një vit, ata më morën në pyetje dhe unë ju tregova të gjithë historinë time, të sajuar, sigurisht. Dhe me thënë të drejtën nuk pata asnjë lloj vështirësie për marrjen e statusit të refugjatit. Dhe është e vërtetë që të gjithë që vinë në këtë vend me një alibi të tillë i marrin dokumentet. Dhe në atë kamp ku ndenja për një vit, me vinte shumë keq, që për shumë familje që ishin në hasmëri, ju sillnin përgjigje negative. Po kjo është një histori tjetër akoma më e dhimbshme se kjo e imja. Mbasi mora dokumentet, u sistemova me shtëpi, me si- guracion shëndeti, fillova dhe punë pastruese në një familje, gjuhën pothuajse e kisha mësuar mire, sepse në kamp bënim kurs gjuhe. Në momentin kur unë mendova se ia kisha arritur qëllimit për të cilën unë kisha luftuar, atëherë çdo gjë thuajse shkoi në zero. Flisja në telefon me prindërit e mi, dhe vajza nuk fliste me mua. Fillova të bëhesha merak, kur një ditë nëna ime më tregoi gjithçka.

- Moj bijë këtu në fshat kanë dalë fjalë të këqija për ty, të gjithë e dinë për historinë që ti ke sajuar për mikën tënde, - po me tregonte nëna duke iu dridhur zëri.

- Të gjithë thonë do bëhemi si A… për të marrë dokumentet, - vazhdoi ajo.

- Po nga e morën vesh këtë gjë, - pyeta unë e habitur.

Dhe ajo më shpjegoi se avokati im e paska publikuar historinë time në faqen e tij të facebook- ut. Menjëherë shikoj se çfarë ai kishte shkruar në faqen e tij. Në fakt nga ajo që ai deklaronte, në një farë mënyrë donte të tregonte punën e tij të mirë që bënë për refugjatët shqiptarë, dhe çdo rast që ai fiton e bënë publik, në gjuhën shqipe ( pasi ka një përkthyes që administron faqen e tij të facebook- ut). Dhe për mua ai shkruante, “Një tjetër vendim i mirë për njërën nga klientët e mia shqiptare, të cilës iu njoh statusi i refugjatit. Bëhet fjalë për një grua nga një fshat i Shqipërisë, e cila jetonte një dashuri të fshehtë me një grua tjetër, por që prindërit e klientes time e kanë zbuluar dhe e kanë kërcënuar me jetë. Ajo është detyruar të braktisë vajzën e saj adoleshente për t’i shpëtuar hakmarrjes së prindërve të saj…

Avokati nuk e kishte bërë publik emrin tim, por siç e dini juve në fshat merren vesh shumë shpejt gjërat. Ajo që më vrau më shumë shpirtërisht nuk ishin fjalët e avokatit, por komentet e njerëzve që shkruanin. “Ha ha ha shqiptare lesbike, tani do bëhen te gjitha gratë shqiptare si kjo, për të marrë dokumentet”. “Ky është shtet pederastësh, ju jep letrat njerëzve si puna e kësaj lavireje dhe u mohon letrat atyre që i kanë ditët e numëruara…”, shumë e shumë komente si këto që më bënë të reflektoja dhe ta përbuzja veten time për atë që kisha bërë.

Të gjitha këto fjalë dhe komente i kishin shkuar në vesh vajzës time, dhe ajo refuzonte të fliste me mua. Mbas një viti shkova në Shqipëri që të merrja vajzën, por ishte e kotë. Ajo ma tha në sy duke më helmuar zemrën “më mirë vras veten, se sa të vi të jetoj me ty”. Nuk di si t’ua shpjegoj ato momente, e për çfarë më duhej mua Belgjika tani, vendosa të mos kthehesha më këtu, po dhe kjo ishte e kotë. Vajza nuk pranonte të jetonte në një shtëpi me mua. Nga shoqja e vajzës mësova se ajo pëlqente një djalë aty në klasë, por ai nuk i fliste më nga historia që kishte dëgjuar për mua, ajo më tregoi se dhe shumë shoqe kishin filluar ta tallnin atë. Ajo më tregonte dhe unë qaja, mendova se do rregulloja jetën e saj me atë që bëra, po ndodhi e kundërta.

Unë u riktheva përsëri këtu në Belgjikë me një plagë të madhe në zemër, dhe pres që ajo të rritet dhe të kuptojë arsyen pse unë i bëra gjërat në këtë mënyrë. Çdo ditë i lutem zotit që ajo të më falë. E di që e kam lënduar shumë, po kjo, jo për fajin tim, po për kushtet që janë në Shqipëri dhe që të gjithë e dinë. Tani jetoj me të vetmen shpresë se vajza një ditë do më telefonojë dhe do më thotë “Mama kam nevojë për ty…”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.