Pyetje për instruktorin Sa kohë i duhet trupit për të arritur linjat e duhura?

Intervista - - SPECIALISTËT PËRGJIGJEN -

E dashur Lorela, unë që po shkruaj jam një 24 vjeçare dhe të them të vërtetën më vjen pak zor që po të shkruaj, sepse kjo që kam unë është diçka që më përndjek që kur kam qenë fëmijë. Unë kam një motër më të vogël se vetja, e cila më është kthyer në makth. Edhe tani, që jemi të rritura ajo do të bëjë si unë, madje përpiqet që t’i bëjë gjërat identik si unë ose pak më mirë. Gjithmonë ka dashur të jetë në qendër të vëmendjes të babi dhe mami dhe ata gjithmonë më kritikonin mua. Sa na binte rasti të qëndronim vetëm ajo më thoshte, “prindërit më duan mua se jam më e vogël, më e mirë dhe i bëj gjërat më mirë se ty”. Ndonjëherë ziheshim aq keq sa përfundonim duke parë gjithmonë si rivale, madje ngacmon edhe djemtë që dal unë dhe kur e pyes pse e bën, më thotë kot të shikoj që mërzitesh. Kjo situatë ka shumë vite që vazhdon dhe mendoja se kur të rriteshim do rregulloheshin marrdhëniet, përkundrazi janë përkeqësuar. Të falënderoj paraprakisht dhe pres përgjigjen tënde, Faleminderit.

Lorela Garuli, psikologe, lorela_garuli@hotmail.com:- Përshëndetje e dashur e të falenderoj që na shkruan. Është e vërtetë se një prej dinamikave më të rëndësishme në familja është raporti mes fëmijëve, para mes motrave e vëllezërve. Mënyra sesi i ndërtojmë këto marrëdhënie që herët në vegjëlinë tonë është një tregues i rëndësishëm edhe i mënyrës sesi më vonë në jetë do të ndërtojmë dhe marrëdhëniet me të tjerët, sesi do të pozicionohemi në raportet shoqërore, familjare dhe me fëmijët tanë. Marrëdhënie të mira e të ngrohta me motrën apo vëllain janë një mbështjetje e përhershme, përkrahje pa kushte, bashkëpunim e dashuri e madhe.

Mëgjithatë, ka raste kur nuk funksionon kështu, e për hir të së vërtetës shpesh fëmijët që të vegjël mund të jenë xhelozë për njëri-tjetrin, sidomos kur janë me një diferencë të vogël moshe, si në rastin tënd. Janë disa dinamika që zhvillohen kryesisht në mënyrë të pandërgjegjshme, pasi fëmijët janë në një garë vëmendjen e prindërve, për të qenë fëmija i parapëlqyer e për të marrë aprovim, lëvdata e shpërblime prej prindërve. Kështu që, personi më i afërt me të cilën fëmijët e kanë këtë “luftë” është vëllai apo motra. Më vjen keq që të është dashur të suportosh një marrdhënie të tillë me motrën por nuk je as rasti i vetëm sepse është diçka e zakontë që kanë mes vetes shumë njerëz.

Gjithashtu, radha e lindjes është një tjetër faktor ndikues kur vjen puna tek marrëdhëniet familjare. Në përgjithësi, fëmija i parë është ai më i përgjegjshmi e më i rregullti, me një sens lideri dhe përkujdesje për të tjerët, duke qenë se është më i madhi. I dyti është ai i cili mund të jetë më rebel, i lirë dhe ka prirjen për të zhvilluar aftësi e talente të ndryshme prej të parit, por ka dhe raste që e konsideron fëmijën e madh si model dhe shembull për t’u ndjekur. Sipas studimeve, konsiderohet se personat që kanë motër/vëlla të gjinisë së kundërt me tyren, janë më të mirë kur vjen puna për të ndërtuar marrëdhëniet ndërpersonale dhe në cift.

Pra, është e qartë për të gjithë ne se marrëdhëniet mes fëmijëve që në vegjëli janë domethënëse dhe mund të thuhet me bindje se janë marrëdhëniet më afatgjata që secili prej nesh ka në jetë.

Megjithatë, si rezultat i karaktereve të ndryshme, perceptimet e këtyre marrëdhenieve dallojnë nga njëri fëmijë tek tjetri. Ka fëmijë, të cilët dhe kur rriten vazhdojnë të mendojnë se prindërit kanë qenë të padrejtë në edukimin e secilit e nuk janë ndarë gjërat në mënyrë të barabartë, ku njëri është përkrahur, trajtuar, ndihmuar apo vlerësuar më shumë sesa tjetri. Në këtë mënyrë, këto ndjenja pakënaqësie e rivalitetit mbarten edhe më vonë në jetë, duke bërë që marrëdhëniet mes motrave e vëllezërve të mos jenë asnjëherë plotësisht të mira e transparente, por vazhdojnë të kenë rezerva mes tyre.

Sido që të jenë këto marrëdhënie, ka disa mënyra sesi mund të lëvizim prej dhe të bëjmë përpara, duke përmirësuar kështu marrëdhënien tonë me motrën/ vëllain.

Fillimisht, duhet të pranojmë se ka dicka që nuk shkon. Vetëm në këtë mënyrë, duke pranuar problemin, do të jemi në gjendje të marrim masa e ta rregullojmë atë.

Duhet të pyesim veten se cili është qëndrimi që ne kemi mbajtur, si kemi ndikuar që marrëdhënia me vëllain/motrën të jetë ajo që është? Sepse dihet, që asnjëherë shkaktari apo fajtori nuk është një i vetëm.

Për të zgjidhur një marrëdhënie që nuk shkon mirë e për të përmirësuar atë që nuk shkon, është e nevojshme që të vëmë theksin mbi pozitiven e atë që na pëlqen nga vëllai/motra. Duke vlerësuar në këtë mënyrë, më shumë sesa duke qortuar dhe kritikuar, mund të jetë një shtysë e mirë për t’i dhënë tjetër drejtim marrëdhënies.

Mund të bëjmë lëvizjen e parë, të jemi ne vetë që të ballafaqohemi me problemin e t’ja shprehim atë që mendojmë vëllait/motrës, duke mos mbajtur mëri apo inate, sepse kjo vetëm mund ta vonojë zgjidhjen e problemit.

Të jemi të duruar, të kemi besim, shpresë dhe realistë, janë të tjerë elementë që mund të na ndihmojnë kur vjen puna për të rregulluar raportin me motrën/vëllain. Mbase nuk do mund të jemi asnjëherë 100% shokë të ngushtë, por ajo që mbetet e rëndësishme është të kemi një klimë ndjenjash pozitive, duke pasur përherë parasysh sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie në jetën tonë dhe mbi mënyrën sesi ia edukojmë fëmijëve.

Jam, Alba 23 vjeçe, 162 e gjatë dhe 67 kile. Tani që vjen vera të gjitha gocat duan të kene një trup perfekt për të treguar linjat e tyre në plazh. Unë kam një muaj që kam filluar palestrën për t’u dobësuar dhe për të ardhur në formë por më duket sikur nuk po marr linjat e duhura. Sa kohë duhet që trupi të asimilojë ndryshimet që vijnë nga ushtrimi i palestrës? Faleminderit

Renato Kurti, instruktor, 0696681688:Përshëndetje Alba. Unë sapo lexova problemin tënd dhe këtë problem e kanë shumë persona që merren me aktivitet fizik, duan të kenë rezultat të shpejtë duke formuar një fizik perfekt. Unë të këshilloj ta vazhdosh palestrën dhe jo vetëm për një kohë të shkurtër por mundësisht gjithmonë. Rezultatet e aktivitetit fizik duhen kërkuar gjithmonë në periudhë afatgjatë dhe jo afatshkurtër. Për një afat të shkurtër mund të kesh rënie në peshë ( rënie minimale) duke e kombinuar me diet ushqimore . Zhvillimi i muskujve kërkon kohë dhe durim. Duhet të shkosh në palestër të paktën 3 herë në javë dhe normalisht me shumë vullnet dhe punë. Mbas kësaj edhe dietat janë shumë të dobishme po ashtu edhe regjimi. Mos kërko punë të menjëhershme. Çdo gjë ngadalë me këshillat e instruktorit. Mundohu edhe të gjesh kohë, të paktën 2 herë në javë për një vrapim aerobik. Shumë efikas është edhe pedalimi me. biçikletë, sidomos për muskujt e këmbëve. Të uroj një regjim stërvitor perfekt në të gjithë jetën tënde. Shumë faleminderit që m’u drejtuat mua për këtë problem.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.