Të gjithë politikanët e korruptuar shpëtojnë nga dara e drejtësisë

Intervista - - POLITIKË -

Av. Mirela Çela-Jorgo shpjegon ligjin e miratuar nga parlamenti javën e kaluar

Artan Kristo: - Javën e kaluar Parlamenti miratoi ndryshimin e nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale. Para ndryshimit ai thoshte që « vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit », ndërsa, pas ndryshimit, thotë se « nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit ». Në pamje të parë duket se ky ndryshim mbron hapur fajtorët, ata që kanë kryer një vepër penale dhe nuk janë dënuar shumë, ose ata ata që janë shpallur të pafajshëm, edhe kur më vonë zbulohet se nuk ka qënë kështu, apo jo ?

Mirela Çelo-Jorgo : - Po, sepse, juridikisht, nëse, me kohë, zbulohet që autor i veprës penale është subjekti që është deklaruar i pafajshëm, bota e qyteteruar rihap çështjen me provën e re bazë dhe ai që duhet dënuar, dënohet. Ndërsa, pas ndryshimit të këtij neni, ai është « i paprekshëm »…

- Sipas ligjit të mëparshëm nëse kishte fakte të reja për një çështje, mund të bëhej rigjykim, apo jo ? Tani nuk ndodh më kështu ?

- Varianti i miratuar parashikon që nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Ndërkaq, pika e parë e këtij neni saktëson se, rishikimi i vendimeve që kanë marrë formë të prerë lejohet në çdo kohë, edhe kur dënimi është ekzekutuar ose shuar, por me kushtin që të mos synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Ndërsa varianti në fuqi parashikonte që vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit. Ky ndryshim tingëllon si një lloj amnistie politike, pasi shumë politikanë që i kanë shpëtuar drejtësisë apo që kanë ia kanë « hedhur » me një dënim minimal, nuk do të rrezikohen më nga drejtësia e re. Ndryshimi favorizon të gjithë zyrtarët dhe pushtetarët, të të gjithë krahëve politikë në Shqipëri, të cilët kanë « blerë » pafajësinë me para te drejtësia e korruptuar …

- A mbyllet tani çdo shteg për të rigjykuar 21 janarin, ngjarjet e 97-ës, Gërdecin, skandalin në rrugën Durrës Kukës, vrasjet e bujshme etj ?

- Sigurisht që mbyllen. Finalizohet dhe ligjërohet moshapja e dosjeve të tyre. Tani, nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.” Gjithçka tashmë është e qartë, askush dhe asgjë nuk ka nevojë për shpjegime. Krimi politik, por edhe ai ordiner, tashmë, me këtë nen, amnistohen. Jo vetëm kaq, por ky nen kriminal për kombin shqiptar dhe dinjitetin e tij, mbyllet me cinizmin se kjo bëhet për qëllim që mos rëndohet pozita e të dënuarit, me pak fjalë, mos i prishet rehati i tij kriminal, edhe pse nga provat e mëpasshme do të rezultojë fajësia e tij e provuar.

Ky ndryshim ligjor kriminal, nuk u shoqërua me asnjë relacion, ekspertizë ose analizë, ku duhej të shkruhej, siç Kushtetuta dhe teknika legjislative e parashikon, pse duhej ky ndryshim, çfarë rrethanash e kërkuan, në çfarë studimi bazohet etj… Neni 449 i pafajsisë së garantuar dhe te përjetshme, nuk ka qenë pjesë e ndryshimit as e Relacionit. E kane futur papritur në momentin e fundit politikanët për të shpëtuar veten e tyre. Por dua të theksoj se çdo krim i padënuar do vijë një ditë e do ndëshkohet. Përpjetë të hidhet klasa politike, ky është parim juridik që nuk ka ligj qe e shkel…

- Pra, politikanët e bënë këtë nen për veten e tyre ? Me këtë shpjegohet edhe përkrahja e këtij ndryshimi nga dy krahët e politikës? Edhe Parlamenti, edhe « Çadra » ishin pro tij. Mos vallë të dyja janë të përlyera ? Të dyja kanë bërë ndonjë « pa- zar » që politikanët e përfolur t’i shpëtojnë burgut?

- Po, pas aprovimit të këtij ligji, e gjithë klasa politike del e mbrojtur nga zullumet për gjithë këto vite. Kjo është e trishtë…

- Pse nuk pati shumë reagim nga populli e shoqëria civile për këtë ndryshim ? Një gjë e tillë u kërkua nga qeveria në Rumani, apo jo? Dhe rumunët qëndruan në shesh deri sa ligji kthye mbrapsht….

- Po, për diçka të ngjashme protestuan fuqishëm në Rumani pak kohë me parë dhe atje qeveria u tërhoq... Por atje kishte qytetarë, domethënë njerëz të përgjegjshëm për fatin e përbashkët. Kurse këtu ka njëlloj përgjumje ndaj çdo lloj padrejtësie. Një numër i lartë i shqiptarëve duan vetëm vizë për t’u larguar, diplomë për t’u punësuar në vende që nuk i meritojnë, ose pushtet për të shtypur dhe grabitur shqiptarë të tjerë. Këtu ka humbur shpresa. Por unë mendoj që do të ketë reagime nga shoqëria civile. Ditën e shtunë ora 12, për shembull, para Piramidës është parashikuan një tubim.

- Nëse e mbani mend, para katër vjetësh u tha që do dënoheshin gjithë ministrat e PD-së që kishin bërë korrupsion, u çua në prokurori Imami, Bode etj, por nuk u dënua asnjë nga PD-ja. Ai që e pësoi qe një ministër i minoritetit grek…. Pse ndodhi kështu? Pse u shfrynë premtimet e PS -së. Mos vallë e ka fajin prokuroria, apo ishin të pastër ministrat? Dhe, në vazhdim e aktualizim të pyetjes : Mos vallë ky ndryshim i nenit tani vulos korrupsionin e nje çerek shekulli ?

- Natyrisht që prokuroria mban të gjitha dosjet e ish-ministrave dhe nuk i hap për vetë faktin pasi kërkon kalimin e afateve ligjore. Pozita për mosdënimin e ish-ministrave ja hedh fajin prokurorisë dhe për të ruajtur fasadën në opinionin publik , dënon ndonjë ish-ministër jo me peshë te madhe, siç ishte ish-ministri i minoritetit grek.

- Po nuk u hetuan politikanët dhe drogmenët e Parlamentit atëhere çfarë reforme do të bëhet ? Si do të vendoset drejtësia në këtë vend?

- Te gjitha palet duket sikur kanë rënë në një marrëveshje të heshtur që të ruajnë zullumet e njeri - tjetrit. Asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk ka qenë një - nuara si në këtë aktualin. Prandaj dhe hapja e moshapja e dosjeve ka shërbyer si shantazh ndaj njeri - tjetrit. Në këtë mënyrë lindi problemi i dekriminalizimit. Nuk ka drejtësi nëse nuk hetohen deri në fund të gjithë politikanët e implikuar në afera dhe krime ndaj këtij shteti.

- Mos vallë këtu nuk bëhen dot dënime politike? As Enver Hoxha e as të tjerët nuk janë dënuar akoma juridikisht për krimet që ka bërë… Edhe Nexhmije Hoxha për kafe u dënua…

- Kjo është e vërtetë. Asnjëherë nuk janë bërë dënime politike të si ne rastin e Fatos Nanos apo Nexhmije Hoxhës , akuzat kane qënë qesharake. Dhe kjo jo pa qëllim. - Pse cili ka qënë qëllimi ? - Thjesht riciklimi i po të njëjtëve personazhe, siç ishte Fatos Nano apo përkrahës të tyre. Dhe gjithë historia e politikes shqiptare ka kaluar në një rreth vicioz

se ky ndryshim është bënë sipas “normave europiane”, se “Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut” nuk lejon rishikimin për vendimet e pafajësisë”. Kështu është?

- Për hartimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale është ngritur një grup pune, në kuadër të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Në përbërje të këtij grupi pune kanë qenë ekspertë të nivelit të lartë, përfaqësues të misionit EURALIUS, konsulentë dhe ekspertë të fushës. Grupi i punës është asistuar nga sekretariati teknik, i përbërë nga juristë dhe përfaqësues nga Kuvendi, misioni EURALIUS dhe eksperte të fushës. Ky grup pune ka propozuar ashpërsimin e pikës 2 të nenit kohor (brenda 5 viteve) për rishikimin e vendimeve të gjykatave. “Në rastet dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod dhe me kërkesë, lejohet rishikimi i vendimeve të dënimit që kanë marrë formë të prerë”, thuhet në propozimin e ndërkombëtarëve. Por, ky propozim është hedhur poshtë nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas nga Parlamenti. Komisioni i Ligjeve, pa praninë e Partisë Demokratike, jo vetëm ka hedhur poshtë propozimin e grupit të pu- nës, por e ka përkeqësuar pikën dy të nenit 449 të KKP, duke ndaluar rishikimin e vendimeve të gjykatave të korruptuara. Unë mendoj se kjo do të këtë pasoja siç pati Ligji 7501 për tokën dhe gjithë maskaradën e këtyre viteve. Dhe në çdo rast ky nen e komplikon rigjykimin. Me këtë ndryshim sita e Vetingut ngec perfundimisht.

-Po Europa e ka këtë ligj siç e parashikon ndryshimi?

- Natyrisht nuk është bërë sipas normave Europiane. As ka të krahasuar drejtësia jonë me drejtësine europiane. Standardi është për të riparë çështje të mbyllura nëpërmjet rishikimit gjithmonë kur gjenden prova të reja

- A mendoni se do ta dekretoje Nishani këtë ligj?

- Presidenti nuk duhet ta dekretojë. Eshtë moment ku te parandalohet kjo masakër juridike. Deri atëherë edhe ne si shoqëri civile nuk do të qëndrojmë pasiv. Ky ndryshim është absurd pasi u jep amnisti te plotë të gjithë personazhet e përfshirë në ngjarjet e mëdha, ku është implikuar politika, që janë shpallur të pafajshëm apo që kanë marrë një dënim modest në raport me përgjegjësinë. Ata nuk mund dalim më para drejtësisë së re pas shembjes së sistemit aktual të drejtësisë. Konkretisht, mbyllet çdo shteg për të çuar para drejtësisë të gjykuarit për ngjarjet e ’97, për Gërdecin, 21 Janarin, për vrasjet e bujshme, çështja CEZ. Të gjithë politikanët e korruptuar shpëtojnë nga dara e drejtësisë duke e kthyer të gjithë reformën në drejtësi në një formalitet që vëtëm bëri zhurmë duke lënë një parlamët te kriminalizuar.

- Po nëse Presdienti e dekreton, ç’mund të bëhet për të ndaluar efektin e këtij ligji? Mund të apelohet në Strasburg?

- Natyrisht ne do te insistojme për mosdekretim nga ana e Presidentit madje dhe deri në Gjykatën Kushtetuese për të vazhduar më pas me Gjykatën e Strasburgut.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.