Shqiptarët: të pakënaqur nga të dyja palët

Intervista - - POLITIKË -

Artan Kristo: - Më në fund edhe Presidenti i ri u zgjodh. Ai është kryetari aktual i Parlamentit, zoti Meta. Si ju duket kjo zgjedhje e shumicës dhe mënyra e tij e zgjedhjes?

Gjergj Bojaxhi: - Figura e presidentit duhet të ishte një konsensus i vlerave dhe jo i antivlerave. Kjo tregon që kjo klasë politike është e paaftë të drejtojë këtë vend.

- Ndërkohë zgjedhjet po afrojnë, por asnjë nga partitë kryesore, as PS e as PD nuk po “tërhiqen nga istikami”. Si do i vejë halli? Mos vallë njëra do të shkojë në zgjedhje e tjetra do të rrijë në çadër?

- Realiteti ynë politik është kthyer tashmë në lëvizje e strategji që në jetët e qytetarëve nuk sjellin asgjë. Në një anë kemi një mazhorancë e cila kërkon të kthejë qeverisjen në monopol. Në anën tjetër një opozitë e cila është strukur në çadër nga frika e realitetit dhe së shkuarës së vet. Opozita po qëndron e kapur pas një parrulle politike, ndërkohë që qytetarët kanë prioritete të tjera. Pra, secila nga këto parti ka prioritet interesat e saj dhe harrojnë se janë zgjedhur nga qytetarët për t’i përfaqësuar dhe për të punuar për ta. Unë besoj se18 qershori është ditë zgjedhjesh dhe qytetarët me votë duhet të ushtrojnë të drejtën dhe mundësinë e tyre. Asnjë forcë politike nuk duhet të guxojë t’jua heqë këtë të drejtë dhe nuk do të mund t’i shpëtojë gjykimit të votës së tyre.

- Nëse PD nuk do të futet në zgjedhje , çfarë mendoni se do të bëjnë aleatët e saj? Do të “thyhen” e do të pranojnë të bëjnë opozitën?

- Çdo forcë politike duhet të ketë të qartë se politika i përket

qytetarëve dhe jo liderëve të partive. Ndaj duhet punuar për problemet e qytetarëve, si punësimi, shëndeti apo arsimi, e jo të rrotullohen gjërat rreth interesave të politikanëve. Ata do të bëjnë atë që u intereson më shumë politikisht. SFIDA për Shqipërinë e ndjen për detyrë të marrë pjesë në zgjedhje dhe do të marrë.

- Si do të dalin zgjedhjet? Cili është parashikimi juaj?

- Unë uroj që më 18 qershor të fitojë demokracia dhe vullneti i qytetarëve. Dëshira ime është që vota t’u përkasë vetëm atyre dhe mos të ndikohet nga faktorë të tjerë. Flitet për numërim apo manipulime të zgjedhjeve. Por në të vërtetë manipulimi fillon kur qytetarët kanë nevojë të shesin votën e tyre.

- Do të ndikojnë paratë e drogës në rezultatin e tyre?

- Gjithmonë e cilësoj eksperiencën time në garën e Tiranës, si dëshmi se çdo votë numërohet dhe procesi është transparent. Problemi qëndron te ndërhyrja, apo influenca para zgjedhjeve. Nuk kam të dhëna për mjete financiare që do të mund të ndikojnë, por kam besim se do të triumfojë vullneti i vërtetë i shqiptarëve. Shumica e shqiptarëve është e pakënaqur nga këta politikanë. Jemi shumë. Dhe do ta fitojmë këtë sfidë!

- Në Francë të dielën që shkoi kandidati për president i një partie të re vetëm njëvjeçare doli në vend të parë. Pse partitë e reja në Shqipëri nuk duken të kenë shumë mundësi fitimi, ndërkohë që të gjithë pothuajse “anatemojnë” partitë “e vjetra”? Jemi tradicionalistë ne shqiptarët apo ka arsye të tjera?

- Deri më sot partitë në vendin tonë kanë qenë kopje të njëra tjetrës dhe kanë funksionuar si biznese, për të përmbushur interesa të ndryshme klienteliste. Në këtë formë politika ka qenë një lloj monopoli i forcave kryesore të pushtetit. Por, kjo nuk do të thotë se kjo nuk mund të ndryshojë dhe se këtu nuk mund të ndodhë si në Francë. Ka disa parti të reja. Por vetëm SFIDA për Shqipërinë ofron diçka të re. Është e vetmja parti, e përsëris, e vetmja parti që nuk përbën një riorganizim politikanësh, por është krijuar vetëm nga qytetarë jashtë politikës. Për këtë arsye ne do të jemi një alternativë ndryshe, me misionin për një politikë të pastër drejt një Shqipërie që punon.

- Po marrëdhënien PSLSI si e shikon ? Do të vazhdojë ajo ?

- Nuk e shikoj ndryshe veçse ashtu siç është, një marrëdhënie interesi, i cili do të përcaktojë edhe jetëgjatësinë e saj.

- Sikur të ndodhë që pas zgjedhjeve PS apo PD t’ i duhen votat tuaja, si do të veproni ? Do të « kopjoni » LSI- në ?

- SFIDA për Shqipërinë nuk do të jetë në asnjë koalicion si para, apo paszgjedhor me asnjë parti parlamentare. Në statutin tonë shprehet qartë ky qëndrim, si një mënyrë për t’u distancuar nga kjo klasë politike e cila e ka sjellë vendin në këtë gjendje. Dhe ne statutin vetëm e respektojmë. Nuk e shkelim e nuk e ndryshojmë sipas rastit. Çdo aludim për qëndrime të tjera nuk ka bazë.

- Si e gjykoni punën e Ramës në këto katër vjet ? A mendoni se ai ka të drejtë kur thotë se tani mban era shtet ? Nëse jo, çfarë ere mban në Shqipëri, sipas jush?

- Çdo qeveri mandatohet të punojë në shërbim të interesave të qytetarëve. Një detyrë e cila sigurisht mund të përmbajë arritje, por edhe dështime. Personalisht, nuk e mohoj arritjen e dikujt, e në këtë rast edhe të Ramës. Por, nuk mund tëfshihet se problemet janë më të shumta se arritjet që kjo qeveri ka.

- Dhe, në fund, një parashikim për Reformen në drejtësi. Do të zbatohet ajo ? Do të ketë peshq të mëdhenj që do bien në rrjetën e drejtësisë apo siç thotë një këngë popullore, Selanik e tatëpjete siç ka qënë do të jetë ?

- Pavarësisht përpjekjeve të palëve për të penguar Reformën në drejtësi, sigurisht nga frika e pasojave, ajo do të realizohet. Por kjo ne mendojmë se nuk mjafton. Vetting- u duhet të jetë një proces, jo vetëm për gjyqësorin, por edhe për politikanët, në mënyrë që vendit të pastrohet një herë e mirë nga ata që krijojnë rregulla dhe i shkelin, që krijojnë kriza dhe mbyten në to.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.