E fejuara më tradhtonte edhe pse shtatzënë

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vazhdon nga java e kaluar)

Kur u ktheva në Shqipëri i gjeta të zvogëluar të dy prindërit. Me paratë që kisha sjellë, dhe ishin goxha, riparuam shtëpinë e blemë disa mobilje se kishim mbetur me ato që kishim në kohën e gjyshit.

Sigurisht prindërve mia nuk u hynte asgjë në sy.

Pjesën tjetër të parave ua lashë prindërve sepse babai kishte mbetur pa punë kohët e fundit, ndërsa mamaja qysh me ndryshimin e sistemit kishte dalë e papunë. Tashmë që ia kisha marrë dorën emigrimit doja të ndryshoja vend. Më thonin që Italia është më mirë dhe ika me skaf si gjithë shqiptarët e tjerë. Më ndihu Zoti se arrita mirë, dhe sapo shkova djali i hallës që jemi moshatarë dhe që jetonte në Romë, më ndihmoi, jo vetëm për strehim, por edhe për punë. Shumë shpejt bëra dokumentet. Pas gjashtë muajsh që ndenja në Itali, fatmirësisht kisha bërë dokumentet dhe erdha në Shqipëri për të takuar prindërit. U thashë që do të bënim bashkim familjar e t’i merrja me vete. U ktheva në punë në Itali dhe edhe vetë nuk e kuptoj se ku e kisha marrë atë vullnet për të punuar. Nga ai djali i superllastuar i prindërve, të punoja në dy apo tri punë, qysh kur lindte dielli e deri sa perëndonte. Kështu arrita të merrja shtëpi të madhe për të marrë prindërit dhe i mora edhe ato. të

Ata erdhën u lumturuan kur panë se ku punoja e jetoja, panë se si ishte Italia, por thellë në zemrën e tyre plaga e tyre nuk ishte shëruar. Ndenjën dy muaj te unë dhe u kthyen në Shqipëri. U kthyen dhe me një synim të gjenin nuse për djalin. Donin nuse të mirë për shtëpi dhe duhej t’i bënte shërbim djalit, se djali lodhet gjithë kohën në punë thoshte mamaja ime. Ndërsa unë jetoja në Itali, sa herë kthehesha, më prezantonin me dhjetëra vajza, por asnjëra s’më ngjiste.

Kështu vitet kaluan dhe unë mbusha njëzet e tetë vjec. Prindërit e mi tashmë nga thjesht dëshirë për të më martuar e kthyen në sherr atë maninë e nuses.

Më në fund u binda për një vajzë që banonte në fund të rrugës time. Prindërit e njihnin vetë e thoshin që është shumë e mirë, vetëm se është pak e shkurtër, por është vajzë për shtëpi. Prindërit i kishte njerëz të mirë, mamaja një grua punëtore që pastronte dy shtëpi, kujdesej për një plakë që i kishte fëmijët jashtë Shqipërisë dhe pastronte dhe dy klinika dentistësh. I ati punonte në dy punë që të çonte fëmijët në shkollë. Po as vajza e as djali nuk kishin lidhje më shkollën.

Po as unë s’kisha lidhje me shkollën, kështu që pranova të takoja këtë vajzë. Nuk e mbaja mend se kur kisha ikur unë ajo kishte qenë e vogël dhe sigurisht kishte lozur afër shtëpisë së saj.

Ishte një topolake e vogël, me fytyrë si bebe që ma mori zemrën qysh në takimin e parë. Fliste ëmbël dhe bënte shaka sikur të më njihte prej kohësh. Këtë radhë u binda që prindërit më kishin prezantuar me vajzën e duhur. U takuam atë muaj që unë ndejta në Shqipëri çdo ditë, paradite e mbasdite. Folëm në telefon për tre muaj rresht dhe në fund vendosëm të fejoheshim. U thashë prindërve të mi të shkoni e ta kërkonin te familja e saj e pasi të mbaronin ato ceremonitë e para, të shkoja unë për fejesën e për të bërë celebrimin që të bënim dokumentet.

Dy ditë pasi unë u fejova babai im kaloi një infarkt që nuk i dha shansin që të gëzohej më tej me asgjë në jetë. E bashkoi me dy fëmijët e tjerë.

Pas ceremonisë mortore të babait u ktheva në Itali, po iu ktheva ritmit tim të punës dhe sikur e kalova. Me mamanë çdo natë, edhe të fejuarën time e merrja gjithë kohën në telefon. Një muaj pasi ika më tha që ishte shtatzënë.

(Vazhdon javen tjeter)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.