Ersida Calja: Dentistja e vipave

Intervista - - FAQE 1 -

Fabjola Kuburi:- Ersida, ti ke 4 vjet që po punon tashmë në klinikën tënde për dhëmbët , nën emrin “Brilant”. Mendon se po bën një punë “brilante”?

ERsida Calja:- Pikërisht sot bëj 4 vite nga dita që hapa klinikën time të parë dhe çdo ditë që kalon ndihem më e sigurtë për zgjedhjen që kam bërë, më e kënaqur dhe më e shpërblyer. Nuk do ta ndërroja me asnjë profesion tjetër. Jam 100% e kënaqur nga puna që bëj sepse është një punë të cilën e bëj me shumë pasion, përkushtim dhe dashuri. (Buzëqesh).

-Ersidë e dashur, ti je një prej doktorëve specialistë të gazetës tonë që u përgjigjet lexuesve çdo javë për problemet e tyre me një pjesë të rendësishme të trupit të njeriut, sistemin e përtypjes pra goja dhe dhëmbët, sa e vlerësuar ndihesh kur lexon pyetjet që të drejtohen në emër?

- Përshëndetje! Është kënaqësi dhe privilegj për mua të jem pjesë e përjavshme e gazetës Intervista. Kam qenë dhe jam lexuese e rregullt e kësaj gazete prej vitesh pa menduar ndonjehëre që një ditë do shkruaja për të. Padyshim është një kënaqësi e veçantë kur pacientët me drejtohen në emër po aq sa ndjej dhe një përgjegjesi për të qenë sa më profesioniste dhe e kuptueshme në përgjigjet e pyetjeve që lexuesit më drejtojnë çdo javë.

- Këtë profesion e ke të lidhur me vetë jetën tënde?

-Ky profesion erdhi krejt natyrshëm në jetën time, më tepër për të plotësuar një dëshirë të prindërve të mi, kryesisht të babait tim dhe sot është kthyer në një motiv për jetën time është një profesion që unë e dashuroj.

-Disa media të kanë cilësuar si dentistja që vishet më bukur dhe kanë të drejtë sepse unë të njoh dhe realisht shquhesh për pamje të bukur dhe veshje të këndshme, të përkëdhel ky fakt?

-Faleminderit për komplimentin. E vlerësoj aq më tepër e thënë nga ju. Ndoshta kjo lidhet me atë botën time një pasion për pikturën dhe këtë gjë e shpreh në mënyrën se si kombinoj veshjet e mia. Më pëlqen e bukura dhe kujdesi për veten tregon kulturë e njëkohësisht respekt për personat me të cilët ndaj kohën time.

-Nëse do të duhej të zëvëndësoje një mëngjes pune me diçka tjetër çfarë do të ishte?

- Gjëja e parë që më vjen në mendje janë mëngjeset e ëmbla kur më zgjon mbesa ime e vogël Amel. Mëngjeset e punës me shumë kënaqësi do doja ti zëvendësoja me familjen time pasi nuk janë shumë të shpeshta për shkak të largësisë.

- Ti je quajtur edhe si “dentistja e vipave”. Punon shumë me personazhe të njohur?

- Po, është e vërtetë që unë punoj me shumë personazhe publike si Venera Lumani, Lind Islami, Renato Mekolli, Stela Kotri, Laura Nezha, Arinda Gjoni, Ervin Gonxhi, Renada Caci, DElinda zhupa, Brunilda Lahe, Alesia Noka.

-Janë bashkëpunues apo tekanjozë?

- Jo, nuk mund të qahem sepse janë shumë bashkëpunues. Jam shumë e kënaqur nga të gjithë dhe i falënderoj që më kanë zgjedhur mua si dentisten e tyre.

- A ështe vështirë të jesh një dentiste e mirë në Shqipëri?

-Vështirësi sigurisht që ka ashtu e tij por kjo varet nga ambiciet personale që ka gjithësecili. Sot ka mundësi nga më të ndryshmet si jashtë për të qenë një profesionist në fushën e stomatologjisë. Gjatë gjithë kohës organizohen konferenca dhe kurse ku ne stomatologët kemi mundësi të mësojmë teknikat më të fundit në fushën tonë. Nëse një dentist punon mirë, i përkushtohet profesionit, përdor teknikat e reja atëherë pa dyshim nuk do ta ketë të vështirë për tu zgjedhur nga pacientët. Një punë e mirë gjithmonë do të bëjë diferencën.

- Cili është problemi më i vështirë që ke hasur në punën tënde dhe të ka bërë të mendohesh dy herë nëse do vazhdosh?

- Çdo ditë hasemi me raste nga më të vështirat dhe të komplikuara që kërkojnë zgjidhje pasi dhe vet profesioni është i tillë. Pavarësisht momenteve të vështira asnjëherë nuk e kam çuar nëpër mend që ta braktis këtë profesion. Pikërisht e bukura e këtij profesioni këtu qëndron kur ti arrin të zgjidhësh raste nga më të komplikuarat dhe në fund ndien një lloj kënaqësie të veçantë. Do të veçoja vetëm kohën kur isha studente dhe gjatë praktikës me pacient në lëndën e kirurgjisë nuk e duroja dot gjakun dhe në disa raste kam kaluar dhe gjendje lipotimie por me kalimin e kohës u mësova dhe sot mund të them që kirurgjia është nga më të preferuarat e mia.

- Realisht, çfarë problemesh akute has tek pacientët e tu?

- Problematikat janë nga më të - pas grupmoshave mund të them që tek fëmijët dhe të rinjtë vihen re më shumë mungesa e higjenës që çon në proçese karioze të gjeneralizuara dhe ajo që vihet re shumë janë dhe problemet me keqrreshtimet e dhëmbëve. Tek moshat më madhore vihen re probleme me mishrat e dhëmbëve, paradontoza dhe gurëzat. Kryesisht shkaku i problemeve janë mungesa e higjenës orale dhe e vizitave tek stomatologu.

- Ka ditë që ti i thua vetes, “Ersida, e teprove me lodhjen”?

- Këtë gjë ja them shpesh herë vetes por ma vën në dukje edhe njerëzit që kam afër pasi kur përfshihem në punë e humbas sensin e kohës. Pjesën më të madhe të kohës sigurisht që ja kushtoj punës.

- Nëse do “arratiseshe” larg cili është vendi që do preferoje të shkoje?

-Kam patur fatin te vizitoj një sër shtetesh të huaja qoft në funksion të punës qoft për qejf por ëndërr mbetet Neë Yorku dhe nëse do të doja të arratisesha me shumë dëshirë do e zgjidhja .

- Duke marrë parasysh faktin që profesioni që ke të ha shumë kohë çfarë marrëdhënieje ke me punët e shtëpisë dhe me gatimin saktësisht, je një amvisë e mirë?

- Pavarësisht faktit që është një profesion që të merr shumë kohë përsëri në mbrëmje e gjej mundësinë të merrem me punët e shtëpisë dhe me gatimin. Në këtë pjesë jam munduar të marr sado pak nga mamaja ime pasi ajo është një amvisë e shkëlqyer dhe për mua është një shembull.

-Domethënë, lum ai që do të marrë Ersidën për nuse…!

-Epo dashuria vjen nga stomaku (qesh) - Si e pret Ersida të ardhmen? - Të ardhmen tonë jemi ne që e krijojmë. Jam shumë optimiste dhe themelet e të ardhmes kam disa vite që po i ndërtoj me punë, mund dhe kam shumë objektiva dhe mendoj të gjitha do vin me kohën. E rëndësishme është të kemi shëndetin.

- Në fund cila do ishte këshilla jote për të gjithë lexuesit që duan të kenë një buzëqeshje të bukur?

-Parandalimi gjithmonë është më i mirë sesa mjekimi kështu që këshilla që do i jepja lexuesve është të kujdesen çdo ditë për mirëmbajtjen e higjenës së tyre orale dhe të bëjnë kontrolle periodike tek stomatologu.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.