Pero Pejiç: Titulli e ka kaluar tunelin

Intervista - - FAQE 1 -

Sa më e vjetër të jetë vera, aq më e mirë. Eshtë kjo, një shprehje që i shkon mjaft mirë edhe Pero Pejiçit. Sulmuesi 34- vjeçar i Kukësit është golashënuesi më i mirë i kampionatit me 23 gola. Golashënuesi më i mirë i sezonit ishte vendimtar edhe në takimin e fundit nga Flamurtarit, ku me golin e tij arriti t’i japë fitoren skuadrës së verilindorëve. Me tre ndeshje të mbetura deri në fund të kampionatit, kroati beson se skuadra e Kukësit nuk do t’a humbasë kampionatin në fund dhe pas barazimit të Partizanit me Laçin, gjërat janë bërë akoma më të lehta.

Eraldo Harlicaj: - Përshëndetje bomber, në anglisht apo shqip?

Pero Pejiç – Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën. Nuk është problem për mua, por do të preferoja në shqip duke qenë se jeni një gazetë shqiptare. Gjithsesi do më ndihmosh pak me fjalët. ( Buzëqesh). - E vështirë gjuha shqipe? - Shumë e vështirë, të them të drejtën. Megjithëse kam shumë kohë në Shqipëri dhe e kam mësuar. Ndoshta jo për- fekt, por di të merrem vesh dhe të komunikoj pa problem.

- Sa vite tu bënë Shqipëri?

- Emmm, më lër të mendoj pak. Kam kohë, e kam filluar me Dinamon në vitin 20072008, dmth prezantimin e parë e kam pasur para 10 vjetësh. Më pas kam kaluar te Tirana, Skënderbeu, Kukësi dhe tani përsëri me Kukësin.

- Jeni shqiptarizuar në një farë mënyre? - Në një farë mënyre po. - Të pëlqen jetesa në Tiranë?

- Po, më pëlqen qyteti. Aq më tepër se unë jetoj me familjen time këtu dhe jam rehatuar mirë.

- Për të kalur te ekipi, po tregoni një formë të përkyer…

-E vërtetë, po kalojmë një moment mjaft të mirë dhe kryesojmë me meritë të plotë. Kemi 33 ndeshje pa humbje dhe jemi duke thyer rekorde. Jemi në vend të parë, një pikë larg Skënderbeut dhe dy pikë larg Partizanit. Kanë mbetur edhe 3 ndeshje deri në fund të sezonit. Të shohim se si do të shkojë. Nuk ka mbaruar asgjë akoma. në

- Mund të themi se keni dy ndeshje, pasi Korabi është një ekip i lehtë në letër…

- Një ekip aq i lehtë sa na mori dy pikët në Kukës. Nëse nuk do të barazonim me Korabin në shtëpinë tonë do të kishim luksin të ishim 3 pikë përpara dhe me 90 për qind kampionati do të ishte i fituar tani.

- Parashikoni një ndeshje të vështirë me dibranët?

- Po, pasi ne do të luajmë vetëm finale deri në fund të sezonit. Korabi është nje ekip që luan pa presion, me djem të rinj që duan të tregojnë veten.

- Pas Korabit, keni finalen me Skënderbeun…

- Duhet kohë për të shkuar te Skënderbeu, pasi kemi ndeshjen me Korabin përpara. Nuk duhet të neglizhojmë asgjë. Besojmë se do të arrijmë të fitojmë ndaj dibranëve dhe pastaj do të kemi kohë për të menduar për korçarët.

- Ju keni luajtur atje dhe keni emocionet e “ish- it”…

- Kam luajtur me Skënderbeun, por nuk ndjej ndonjë emocion të madh, pasi tashmë luaj për Kukësin dhe mendoj vetëm për të mirën e ekipit tim.

- A jeni i kënaqur me sezonin aktual?

- Jam i kënaqur, pasi skuadra është në rrugën e duhur, por edhe ne aspektin personal kam pasur momente të mira, pasi kam shënuar 23 gola në 33 ndeshje. Shifër e mirë për mua. Gjithsesi mendoj se mund dhe duhet të kisha shënuar më shumë.

- Goli ndaj Flamurtarit ishte për koleksion, sa më shumë kalojnë vitet gola më të bukur shënoni…

- ( Qesh) Po më vjen mjaft mirë për këtë. Kjo është puna ime të shënoj gola. Bëj detyrën, më vjen mirë që vihem në shërbim të ekipit. Nëse golat e mi nuk i japin fitoren ekipit, atëherë gjithçka është kot.

- Ku do të jeni sezonin e ardhshëm?

- Nuk e di. Futbollit nuk i dihet asnjëherë. Nuk dua të them asgjë, pasi akoma nuk është mbyllur sezoni aktual.

- Kukësi do e fitojë titullin në fund?

- Do të mundohemi, jemi më afër se kurrë. Shpresoj ta bëjmë këtë gjë. Them se duhet ta fitojmë, pasi kemi kryesuar për shumë javë dhe kemi sakrifikuar shumë, si presidenti Safet Gjici, ekipi, stafi dhe tifozët. Duhet ta marrim, pasi e meritojmë. Nuk besoj se do e lëshojmë. Titulli e ka kaluar tunelin e Kukësit, po vjen!

- I keni bërë llogaritë me Partizanin, por tani shihni Skënderbeun pas shpinës?

-E drejtë, situatat kanë ndryshuar dhe futbolli prandaj është i bukur. Skënderbeu ka bërë një fazë të katërt perfekte, pasi ka fituar ndeshje dhe transferta shumë të vështira. Partizani gaboi me Laçin dhe kjo na dha neve mundësi të shkëputemi. Por e përsërir asgjë s’ka mbaruar.

- Por, Partizani për të qenë realist, a mund të themi se ka humbur kampionatin?

- A e thamë edhe për Skënderbeun? - Po, u tha… - Atëherë, dy pikë janë larg. Ndërsa janë 9 pikë në lojë. Përderisa matematika i lejon të shpresojë atëherë janë në lojë.

- A ju dha barazimi me ta një avantazh të madh?

- Po, kjo është e vërtetë. Barazimi me ta na dha një avantazh të madh në tabelën e klasifikimit.

- Presidenti Gjici ka thënë se do e bëjnë rrugën nga tuneli deri në Kukës në këmbë nëse fitoni titullin, a jeni përgatitur?

- ( Qesh) Kemi gjithë sezonin që po përgatitemi. Rrugë e gjaë, por nëse e bën presidenti edhe ne e ndjekim pas.

- Kukësi është përfolur se është ndihmuar nga arbitrat këtë sezon…

- Po të gjithë rivalët kështu thonë dhe ne themi të njëjtën gjë për to. Ne kemi pasur ndeshje që jemi penalizuar, ashtu siç kemi pasur sfida që jemi ndihmuar nga gabimet e arbitrave. Nuk del një ekip kampion për shkak të arbitrave, harrojeni.

- Po në lidhje me skandalin e fundit që ka shpërthyer për tentativë ryshfeti të lojtarëve të Partizanit, çfarë mund të thoni?

- Asgjë, pasi është klubi mbrapa që vendos dhe flet.

Unë jam futbollist dhe mendoj vetëm për të shënuar gola dhe për të fituar ndeshjet në fushën e lojës.

- Arritët të fitonit duelin e golave me Ekubanin, a jeni i kënaqur?

- Ekuban është një lojtar shumë i mirë. I fortë dhe një ndër pikat më të forta të Partizanit.

Fitimi i këpucës së artë nuk ka qenë një objektiv primar për mua, por tani që ka ardhur nuk do të thotë se nuk e preferoj dhe nuk e dua.

- Diçka të fundit për tifozët kuksianë?

- I kërkoj të na mbështesin fuqishëm edhe në këto ndeshje që kanë mbetur për të festuar të gjithë bashkë titullin kampion. - Sukese Pero! - Faleminderit për intervistën dhe punë të mbarë edhe ju!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.