Kunata më mori djalin

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vazhdon nga java e kaluar)

Atë natë ndenjëm pothuajse zgjuar që të tre. Burri im me të motrën në një anë që përpiqeshin të më bindnin mua e unë e pavendosur për të ndërmarrë këtë hap. Nejse muhabeti përfundoi që më në fund thashë “po” edhe unë, e kunata të nesërmen në mëngjes gjithë qejf shkoi e i tha të ëmës në vesh për çfarë kishim biseduar. Të lutëm mos i thuaj askujt nënë, sa s’kam fo- lur me Halimin e pastaj themi gjithandej se ndoshta kundërshtojnë njerëzit e Halimit thonë pse e marr unë nga të mitë e nuk marr nga të tyret.

Vjehrra ime me të dëgjuar ato që i tha e bija, u çua nga krevati, sikur i kaloi sëmundja.

-Kur më pa në oborr erdhi me hapin çalë çalë e më përqafoi.

-Më ke shëruar plagën më të madhe që kam në zemër. Qysh nga ky moment vdes e lumtur se i lashë të gjithë fëmijët e mi të rehatuar, -tha dhe më kapi dorën ma puthi e pastaj iku në shtëpi.

Pas një javë Tixhja erdhi me të shoqin dhe erdhën drejt e te shtëpia jonë. Dihet se biseda ishte me neve. Qysh në kur hyri Halimi tha:

-Dua të të falenderoj por nuk e di se si, sepse nuk ka asnjë fjalë që ta mbajë falenderimin në këtë rast. -Epo ja, më mbaj mirë fëmijën dhe mbaroi falenderimi - i thashë dhe qesha. Thellë në veten time më dukej sikur po ma merrnin qysh atë çast, sikur po më shkulej zemra po kisha thënë një herë po dhe nuk mund të ktheja më mbrapsht. Atë natë ata thanë që do na e sillnin fëmijën ta shihnim herë pas here, do shkonim ne ta shihnim sa herë të donim. Sigurisht do ta merrnin direkt nga materniteti që fëmija t’u thërriste atyre “mami e dokumentet që duheshin bërë për adoptimin. U sqaruam për gjithçka. –Edhe një gjë të fundit, nëse keni nevoje për ndonjë gjë, për doktor a ilaçe a vizita apo ku di unë, - tha Halimi, - mos na kurseni, Ne duam që gjithçka të shkojë mirë. –Epo me katër të parët s’kemi patur asnjë problem, - tha burri im, - shpresoj mos të kemi këtë radhë.

Pas dy javësh shkova të takoja prindërit se pastaj nuk do të shkoja dot më me barkun fuçi. U tregova prindërve e vëllait të madh se ç’kishim vendosur. Që të tre më folën se si kisha mund të bëja pazar me fëmijën tim.

-Po nuk e kam shitur – thashë përnjëherësh, - nuk kam marrë para për të, po meqë ata po mendonin ta merrnin në shtëpinë e fëmijës pa e njohur fare se i kujt është po jua japim neve. Dhe ata janë shumë të lumtur për këtë.

-Po qysh moj, ti qenke me e mençur dhe më bujare se sa Zoti. Epo ta dish moj bija ime se Zoti di kujt ia jep fëmijën dhe kujt s’ia jep. Është ai rregullator i çdo gjëje që ndodh në Tokë, - tha babai.

-Edhe ti u baba me atë Zotin tënd, ne se kemi parë asnjëherë, lere fare tani. Po nuk jepet shpir- ti moj motër nuk e di ku të çon mushka, po t’u priftë e mbara dhe atij fëmije ju priftë e mbara, - e mbylli vëllai im i madh.

Kështu erdhi koha për të lindur dhe festa e gëzimi i Tixhes me Halimin ishte akoma më i madh kur morën vesh që fëmija ishte djalë. Dola nga materniteti me djalin në krahë. Shkuam në shtëpinë e Tixhes, aty i dhashë gji për herë të fundit e unë bashkë me burrin u kthyem në shtëpi. Tixhja në ishte ftohtë e dimër e kishte frikë se i sëmurej djali. Po kur erdhi për herë të parë, në verë djali ishte rritur e bërë si rrumbullak. Vetëm qeshte. E mora në krahë dhe ai u kthye të më shihte e s’më ndante shikimin. Më kapte për ësh e qeshte. Qysh nga ai moment Tixhja ma mori nga krahët e nuk ma la më. U ndie keq se iu duk sikur djali më njohu e nuk do ta donte më, apo se po i merrja djalin nuk e di. Po qysh nga ajo kohë ë vinte gjithmonë e më rrallë. Edhe kur shkonim me burrin te shtëpia e saj gjithmonë thoshte se kishte orarin për ta vënë në gjumë, apo sajonte gjëra të ndryshme. E shikonim djalin vetëm kur ishim në dasma se atje nuk ma ndalte dot në sy të të tjerëve.

Të dy me burrin e pamë që ne ishim prishur me Tixhen e Halimin. Megjithatë jam e sigurt që djalit tim nuk i ka munguar asgjë në jetë. Ata e kanë dashur dhe rritur me gjithë të mirat. E kam takuar para dy vitesh në një dasmë. Kur më dha dorën u kthye e më përqafoi. Nuk qeshë e zonja të ngrija sytë e ta shikoja se më shpërthyen lotët. Ai më përqafoi edhe pak e pastaj më tha:

-Më duhet të shkoj te mamaja tjetër, unë jam mirë mos u shqetëso, - dhe më lëshoi dorën.

Me siguri djali im që tashmë ishte bërë prind e kuptonte gjithçka.

V.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.