DITARI I ILIR METËS:

Petrit Vasili u tregua burrë

Intervista - - FAQE 1 -

Eh mo ditar, ja ku erdhi dita të të kthehem përsëri. Sa ka kaluar që nga koha kur të hapa dhe të mbylla për herë të fundit. Në fakt, vetëm të hapa, se tani që po shoh, po vërej që të paskam lënë pa mbyllur. Ti si ke kaluar? Mirë besoj. Më mirë që të kam lënë hapur, se ke marrë ajër. Njeriu ka nevojë për ajër, se ndryshe bukoset dhe s’merr frymë si unë.

Eh ç’na gjeti o ditar! Mbeta si peshku pa ujë. Na ra në kokë gjithë kjo gjëmë.

Nuk e di si do e përballojmë si familje dhe si parti. Ishim mësuar me pushtet. Nuk rri dot pa më marrë në telefon dhe të më thonë anëtarët e partisë sime, se duan punë. Pale sa demokratë më kanë marrë në telefon këto katër vite që kaluan. “Jam një ish demokrat, por tani jam me ty, o hero”, më thoshin. Dhe unë i ndihmoja. Mjafton që të më votonin.

Eh o ditar, ikën ato ditë dhe netë. Unë mezi po e përballoj këtë situatë. Ama, të shikosh Monin. Asaj i ka ikur mendja fare. Del në ballkan dhe flet me vete. Mezi e kam gjetur pardje. Unë e kërkoja të ballkoni i dhomës së gjumit numër 6. Ajo kishte dalë te dhomë e gjumit numër 9. Sa të bridhja gjithë dhomat unë, kishte llafosur dy orë me vete Moni.

Kur ju afrova, s’më njohu. « Kush je ti? » , më tha. Jam unë Likja o shpirt, i thosha. Por s’më kujtonte fare. Kush Like, kush Like?”, përsëriste. Mezi e solla në terezi me fjalë të mira, që më kujtoi.

Eh ç’na gjeti neve, o ditar.

Para tre ditësh na erdhi në shtëpi Petriti. Kishte kohë që s’kishte ardhur. Kishte ca orë, dmth. I ra ziles së derës së jashtme. Nga kamerat pashë një njeri të zbehtë. « Kush është ky te dera » , i thashë Monit. Do jetë ndonjëri me verdhëz, mos e hap derën, bërtiti Moni. Zilja vazhdonte të binte. S’ma mbante ta hapja derën. Po sikur të na fuste verdhëzën? Kështu si jam bërë unë kockë dhe lëkurë edhe verdhëzën kam mangët.

Nejse, që mos ta zgjas. E kuptova që ishte Petriti, kur nxori para kamerës një thes.

« Qenka Petja, moj grua”, i thashë Monit. Hapëm derën dhe ç’të shikonim. Petriti me një zarf në dorë dhe me thesin plot. Më dorëzoi zarfin duke qarë. “Po jap dorëheqjen nga kryetar i partisë sonë, o shef, më tha”

Moni aq donte. Filloi të qante edhe ajo nga ai moment sublim dhe plot emocione. Petja nxorri një shuk me lekë dhe ja dha Monit të fshinte sytë. « Mos qaj, i tha Monikë e shtrenjtë. Merre ti nashi partinë dhe na udhëheq në mbushje thasësh të tjera » .

I madh Petriti, për zotin. Burrë tamam përendimor.

“Partia duhet të drejtohet nga një grua”, më tha. Ja kështu.

Ika tani o ditar, se më duhet të shkoj pranë Monikës që ta qetësoj. Hë se u kujtova.

Petriti kur më dorëzoi ato që kishte brenda thesit, më tha: Mos qoftë herë e fundit kjo e dorëzimit, o shef. Është besnik ai djalë, të kam thënë. Natën e mirë, o ditar! Ç’natën e mirë zeza. Ku na dlihet gjumë neve. Jemi bërë që po të na shtydhësh, vetëm vrer nxjerrim nga stresi. Më ka gjetur belaja. S’di as nëse do më mbajnë si President, apo do ma ngopin dhe do vendosin Tosin. Eh ç’na gjetiiiii!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.