Xhani Shqerra: Shqiptarët bëjnë mrekulli

Intervista - - FAQE 1 -

Fabjola Kuburi:- Xhani, pas disa eksperiencave televizive të suksesshme vjen me “Shopping night” edicioni i dytë, ështe e mrekullueshme sa duhet për ty eksperienca në “Shopping night”?

Xhani Shqerra:- Në fakt është mëse e mrekullueshme dhe këtë e them me plot bindje jo vetëm nga pritshmëria ime por edhe ajo e publikut. Kjo është parë që në mbështetjen e edicionit të parë që ishte vitin e kaluar e cila ka ardhur në rritje këtë vit. Mirënjohës ndaj publikut tonë. Për mua është një plus shumë i madh sepse kjo tregon që të përfshin si format, të bën që të duash, te bëhesh pjesë e tij. Krahas kësaj realizimi vjen nga profesionistë, unë nuk jam i vetëm në realizimin e këtij formati, janë shumë njerëz që punojnë deri në orë të vona për të sjellë më të mirën. Sigurisht që e mira vjen në rritje. Ne jemi përmirësuar shumë nga edicioni i kaluar dhe shpresoj të vazhdojmë me këto ritme.

- Na trego pak më shumë për këtë emision, çfarë synon realisht të sjellë tek publiku?

-“Shopping Night” përveç argëtimit ka si synim të edukojë shijen dhe të japi një lloj informacioni për etikën e veshjes dhe kjo vjen në formën e zvarritjes dhe mbetet gjithmonë në kuadrin e këshillës. Nuk është se duhet të jetë me patjetër e duhura apo e mira absolute megjithatë përshtypjet dhe vlerësimet kanë qenë shumë të mira dhe ka arritur të jetë një formë edukimi apo thyerje tabush siç është pjesëmarrja e meshkujve në këtë garë dhe ne ia kemi dalë.

- Në përgjithësi, a dinë të vishen shqiptarët?

- Nëse do bënim një rezyme të realizimeve që bëhen, ne shqiptarët dijmë të bëjmë mrekulli, qoftë në veshje, në art, kudo. Kam përshtypjen, që ne shqiptarët jemi shumë të aftë për të bërë gjëra të bukura.

- Mendon se njeriu është me fat kur di ta jetojë jetën pa e vrarë mendjen për mendimin e të tjerëve, duke filluar që nga veshja?

- Njeri me fat mund të konsiderohet ai që jo vetëm nuk e ka mendjen tek gjykimet e të tjerëve duke filluar nga veshja por duhet të ketë krijuar një lloj personaliteti të vetin në atë çka bën, çka vesh dhe çka sillet.

- Cilit prej emisioneve do i riktheheshe me kënaqësi?

- Unë do t’i rikthehesha të gjithë spektakleve që kam marrë pjesë apo formateve sepse secila ka vlerën dhe rëndësinë e saj, jo vetëm në jetën time por edhe në atë çfarë kam dashur të bëjë, rritjen profesionale. Kanë qenë të lidhura ngushtë me personalitetin tim kështu që të gjitha janë njësoj për mua.

- Je edhe ti i mendimit se disa personazhe publike në Shqipëri i ka prekur deliri i madhështisë?

- Në fakt më ndodh edhe mua të përballem me këtë fenomen dhe zakonisht më ndodh kur bëj ftesat për në “Shopping Night”. Janë njerëz që kanë vite në art, janë emra të njohur, të nderuar dhe të respektuar dhe e mirëpresin ftesën, madje janë shumë dashamirës kundrejt asaj që i ofrohet dhe vlerësojnë qoftë edhe një ftesë modeste si ajo e “Shopping Night”. Ka të tjerë pastaj që janë “In” janë të momentit, por që do thoja vijnë nga hiçi të cilët ngurojnë ose i japin rëndësi emrit a ku ta di unë. Këto janë fenomene që bota jashtë e ka treguar që nuk zgjasin shumë në treg dhe është për të ardhur keq që në një vend kaq të vogël sa Shqipëria të kemi këtë lloj qasje me kolegët.

- Cili prej tyre të duket më

i thjeshti?

- Më i thjeshti është pikërisht ai që e di se sa vlen por që asnjëherë nuk do të tregojë se kush është dhe që në fakt janë të shumtë këta personazhe me të cilët unë kam fatin që të shoqërohem edhe në jetën e përditshme. Kështu që nuk do doja të veçoja vetëm një.

- Je dakord me shprehjen: “Mos prit mirënjohje nëse bën mirë”?

- Ai që bën mirë dhe që e ndjen që nuk ka asnjë lloj pritshmëria për t’iu kthyer mbrapsh diçka.

- Vendi yt i preferuar për të shijuar një kafe...? - Me siguri buzë detit. - Cilin person do të zgjidhje për t’i rrëfyer diçka? - Vetes time ( qesh). - Je rrëmujaxhi i thekur apo maniak pas rregullit?

- Unë jam shumë i rregullt në rrëmujën time, di saktësisht ku i kam gjërat në atë rrëmujë.

- Nëse do të kishe mundësi, çfarë do të doje të zhdukje?

- Do më pëlqente të zhdukja mosmirënjohjen aq më tepër që këto vitet e fundit është në rritje si fenomen gjë për të cilën edhe për këtë më vjen keq. - Po të shpikje? - Do më pëlqente të shpikja diçka për të zhdukur cinizmin.

- Je i dashuruar në këtë moment?

- Jam i dashuruar me jetën, me gjërat që më rrethojnë, me njerëzit që më mbushin ditën. Nëse më pyesni për dashurinë me një vajzë jo, aktualisht nuk jam i dashuruar.

- Kur një moderator quhet “i dështuar”?

- Një moderator nuk është se njeh dështim është thjesht çështje periudhash, momentesh sepse grafiku i suksesit nuk mund te jetë gjithmonë lart. Ka ngritje dhe zbritje ashtu si vetë jeta. Mirë është që të mësosh nga këto ulje- ngritje dhe të jesh sa më i vërtetë në gjërat që bën. Të mësosh nga këto tatëpjeta që në botën tonë janë frymëzuese.

- Nëse do të të pyesja për historinë e jetës tënde, cilën pjesë do të veçoje si më interesanten për të më treguar?

- Kam përshtypjen se të gjithë janë të lidhur me fëmijërine dhe jo për sindromë Piter Pani. Brumi im në fëmijëri ka qenë shumë i mirë, ka qenë ai që më ka dhënë mundësinë për një qasje shumë të afërt ndaj artit dhe formave të komunikimit. Qoftë me këngën apo me televizionin, t’i rikthehem më pas si i rritur.

- Çfarë mendon se natyra ta ka dhënë me shumicë?

- Më ka dhënë me shumicë pozitivitetin. Gjithçka mundohem ta marr me pozitivitet edhe situatat e vështira apo të pështira. I ofrohem botës me pozitivitet, kështu që kjo është një e mirë që unë e kam pak me tepricë.

- ... dhe, çfarë të mungon totalisht?

- Më mungon xhelozia dhe të paturit zili. Nuk e kam, nuk di ta kem, do doja shumë ta kisha në ndonjë rast.

- Dimë që të pëlqen fotografia... Për të njohur apo për të treguar më tepër veten?

- Edhe fotografia është një formë komunikimi dhe unë e kam pëlqyer që në vogëli pa e kuptuar se çfarë ishte. Mbase kishte të bënte me manitë e protagonizmit por që me kalimin e viteve me eksperiencën time si model apo fotomodel sigurisht që është rritur. Ajo që do vlerësoja sot janë kujtimet të cilat i kemi nëpër rrjete sociale këto kujtime. Do më pëlqente t’i ktheheshe fotografisë së printuar dhe formës së saj klasike dhe trë më kujtonin gjithçka që ka të bëjë me atë moment.

- Dimë që mund të presim akoma shumë prej teje... Kemi të drejtë apo jo?

- Gjëra të bukura dhe të dobishme mbi të gjitha. Projektet mbi komunikimin janë të shumta dhe jam duke punuar për të finalizuar një nga projektet më të reja që ka të bëjë gjithmonë me komunikimin dhe kësaj here me anë të një webi që do ketë trajtën e një reviste online. Shihemi edhe aty.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.