Dashuria e fshehtë e bamirësisë

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Përshëndetje lexues të gazetës «Intervista»! Jam një lexues i përhershëm i kësaj gazete dhe një ndër rubrikat e mia të preferuara është «Histori nga jeta». Meqënëse kam lexuar shumë histori të bukura në këtë rubrikë mendova të shkruaj edhe unë një histori të bukur që më ka ndodhur këto kohët e fundit.

Jam në moshën 60-vjeçare, kam tre fëmijë të martuar dhe jetoj vetëm me gruan. Nuk është se shkojmë keq së bashku se kemi shumë vite të martuar,por më shumë kemi miqësi tani në këtë kohë, sesa dashuri të zjarrtë si dikur.

Kam qënë besnik i gruas gjithë jetën. Asnjëherë nuk e kam tradhëtuar, edhe pse mund të kem patur raste të mira madje dhe raste kur më është lutur ndonjë grua. Edhe gruan e kam patur besnike, madje fanatike e madhe e besnikësrisë. Megjithatë mua më ka ndodhur një gjë shumë e bukur këto kohë.

Si gjithmonë me gruan në darkë dalim e bëjmë një shëtitje dhe pastaj ulemi tek i njëjti klub për të pirë ndonjëherë kafe e ndonjëherë, kur është vapë, ndonjë pije. Kemi kohë që nuk e kemi ndërruar lokalin,sepse jemi bërë si të shtëpisë dhe ndjehemi mirë aty. E kalojmë këtë kohë ose duke folur për ato që kemi bërë gjatë ditës,ose duke lundruar në FB dhe më të shumtën e rasteve duke soditur njerëzit që kalojnë, sepse aty bëhet një xhiro e madhe e ka shumë njerëz. Ka disa muaj që në një nga këto mbrëmje më tërhoqi vëmendjen një grua jo më shumë se 30-vjeç, e cila vraponte pas një fëmije rreth 10-vjeç. Përdore kishte një fëmijë tjetër që po e tërhiqte që të nxitonin e ta kapnin fëmijën tjetër. Më tërhoqi vëmendjen, sepse m’u dhimbs fëmija i vogël, i cili me hapat e tij të vegjël mezi i mundtte hapat e mëdha të së ëmës. Nuk ia ndava sytë deri sa pashë se e zuri fëmijën dhe më bëri përshtypje se nuk iu hakërrue aspak. Vetëm e kapi nga dora tjetër që kishte bosh e vazhdoi shëtitjen e saj. Ajo u largua dhe ne u ngritëm për të shkuar në shtëpi.

Këtë grua ma zinin sytë për ndoshta ishte fati që ma nxirrte para syve, nuk e di. Përnatë e shikoja me ata dy fëmijë përdore e më dukej se diçka nuk shkonte,sepse fëmijët nuk ecnin normal e nuk i bindeshin shumë. Rastisi një natë që të pinim kafe me një çift tjetër që i kishim komshinj.

-Sa na është mërzitur ky vend.u thashë sapo më zunë sytë nga larg zonjën me dy fëmijët e saj. Doja t’i ngacmoja që të merrja vesh ndonjë gjë për të.

-Pse? Këtu është shumë bukur dhe ajër shumë i pastër!- ia priti gruaja ime.

-Po ajri është i pastër, por përnatë të njëjtat fytyra e i njëjti lokal. Ja, për shembull, këtë gruan me dy fëmijët e saj përnatë i shohim.

-E shkreta!- ia priti gruaja e komshiut.- I ka të dy të sëmurë.

-Të sëmurë?- e pyeta shumë kurioz.

komshiu. se banon tek pallati i shokut të djalit dhe më ka folur djali për ta. Lërë fëmijët, por edhe burri e ka lënë sepse nuk e duronte jetën me dy të sëmurë në shtëpi.

-Po vetë, ama, është grua zonjë- ia priti gruaja e punëtore,në daç e sjellshme,e urtë,nuk i dëgjohet zëri e me hallet që ka ajo.

-Sa gjynah!- tha me të drejtë gruaja ime. I paskam rënë të gjitha hallet e botës. Po nga gjendja ekonomike si është?

-Jeton me lekët që i jep qeveria si kujdestare se i shoqi asgjë nuk i jep. Ai thonë se bashkëjeton me një tjetër e as që i bie ndërmend për të. Ja, e shkreta i nxjerr edhe në mëngjes edhe në darkë e u rri pas se i ikin e nuk dinë të kthehen.

Më preku thellë kjo histori. Nga paraqitja ajo ishte një grua e rregullt e dukej se ishte shumë e dëshpëruar. Me mbeti mendja aty dhe gjithë natën nuk më zuri gjumi. Prandaj që në mëngjes herët dola të pi kafe vetëm pa gruan tek i njëjti lokal. Po prisja që ajo të kalonte me fëmijët e ndoshta mund t’i ofroja ndonjë ndihmë. Prita gjatë në fakt e kur më mori gruaja në telefon i thashë se po pija kafe me një shok prandaj dhe isha vonuar.

Mirëpo ia vlejti ajo pritje. Në shëtitore nuk kishte aq shumë njerëz sa në darkë dhe për fat njëri nga fëmijët kishte një top në dorë, i cili i ra nga dora dhe unë u ngrita dhënë.

-Shumë faleminderit!- tha ajo me një zë të ëmbël. Ia zgjata topin djalit, por ai e shtyu përsëri topin. E mora përsëri dhe bëra t’ja jap.

-Lërë se po e fus në qese se nuk e do. Vetë deshi ta merrte e si duket tani nuk e do më. -Ujë!- tha fëmija i madh. -Oh e shkreta unë, paskam harruar shishen e ujit. Ndoshta ngaqë mora topin më ka dalë nga mendja uji.

-Kam unë shishen e ujit në tavolinë, po të duash i jap unë se nuk e konsumoj shumë ujin.

Ajo hezitoi pak dhe pastaj pranoi. Shkova të marr ujin tek tavolina dhe djali m’u vu pas. U ul tek njëra nga karriget dhe mori telefonin tim në dorë.

Ajo u nis me vrap për t’ja hequr nga dora.

-Jo,jo të lutem mos e prek se nuk është i yni. Jepja xhaxhit!

Ai e kishte telefonin në dorë dhe e shtërngonte fort e nuk kishte ndërmend ta zbatonte lutjen e saj.

-Po nuk ka gjë se e kam me kod dhe nuk e hap dot. Mos e bëj ta shtërngojë më tepër se do ta lëshojë vetë.

Ajo u bind. Djali e shikonte nga të gjitha anët telefonin.Prekte sipërfaqen për ta hapur, por nuk po e hapte dot.

-Po uluni dhe ju zonjë deri sa ta lëshojë ai telefonin.

Ajo ngurroi për një çast,por e pa se nuk kishte zgjidhje tjetër dhe u ul.

-Çfarë doni të merrni për të pirë?

-Jo, ju faleminderit nuk dua asgjë. Mjaft që ju bezdisëm dhe nuk iu lamë të pinit kafen rehat.

-Ç’është ajo fjalë. Edhe unë u mërzita vetëm. Kafja pa shoqëri nuk shtyhet!

Bëmë një bisedë të këndshme dhe, për çudi, dhe dy fëmijët ndenjën shumë mirë. Ua hapa telefonin dhe ata u kënaqën duke luajtur me të. U ndjeva shumë mirë në bisedë më të. Më lindi dëshira ta takoj përsëri që pa u ndarë, prandaj sajova diçka për t’i marrë numrin e telefonit,duke i thënë se kisha një të njohur që mund t’i ofronte ndonjë shërbim për fëmijët.

Në fakt nuk po e gënjeja sepse unë njihja një çift që ishin marrë me fëmijët autikë dhe kishin patur shumë rezultat. Ajo më besoi dhe ma dha numrin.

Pas disa ditësh i rregullova një takim me çiftin që iu thashë më sipër. Për fat nuk e kam gruan xheloze që të më kërkojë orar dhe mund të vonohem sa të dua,prandaj u mora shumë me rastin e saj. Nuk është si disa gra që e telefonojnë burrin në sekondin që dalin nga puna dhe i kërkojnë të vrapojë tek ajo. Ajo është një grua me botë dhe mentalitet evropian.

Pas takimit të dy burrë e grua i caktuan orare për fëmijët me një pagesë shumë të përballueshme.

-Do t’ju ndihmoj unë me pagesat!- i thashë.

-Jo ju lutem nuk keni pse. Nuk keni asnjë detyrim.

-E kam detyrim moral. Unë kam fëmijët e rritur e na mjaftojnë lekët mua e gruas madje dhe për të ruajtur. Pastaj që të ndjehesh më rehat mos e mendo se t’i kam falur,por t’i kam dhënë me të drejtë kthimi.

-Eh, po kur mund të kem shancin t’jua kthej? Situata ime me kalimin e kohës vetëm rëndesa do të ketë!- ajo dukej e dëshpëruar në pafundësi

-Kurrë mos thuaj,kurrë!- thotë një shprehje. -u mundova ta qetësoja.

një grua të përsosur dhe shumë të vuajtur. Mirëpo, siç iu thashë më lart unë kam qënë përherë besnik i gruas. Më dukej sikur po e tradhëtoja edhe pse asnjë prekje duarsh nuk kisha shkëmbyer me të. Mendova gjatë dhe gjeta një mënyrë me shumë takt për ta njohur me gruan time.

Ia shpjegova përpara zonjës se nuk doja të kisha mosmarrëveshje me gruan dhe thura një plan. I thashë të takonte gjoja rastësisht gruan time e t’i kërkonte që të gjente një psikolog për fëmijët e saj. Futa çiftin e psikologëve që t’i kërkon gruas sime që ta shoqëronte zonjën në seancat me fëmijët. Pra, pak a shumë diçka që të mos prishte marrëdhëniet me time shoqe,përderisa edhe nuk kisha ndonjë gjë të fshehtë me të.

Në fakt në thellësinë e shpirtit tim po lulëzonte një ndjenjë super e fshehtë për këtë grua që më ngjante me një heroinë. Një heroinë e heshtur që përjetonte gjithcka me veten e saj pa shqetësuar askënd.

Plani funksionoi dhe gruas sime i hyri aq shumë në zemër kjo grua (ashtu si më kishte ndodhur dhe mua),saqë tashmë e ka bërë si mike familje dhe shkojnë shumë bashkë. Ngaqë ne i kemi dhe fëmijët jashtë dhe nipat e mbesat i shohim rrallë e më rrallë i duket sikur po kujdeset për ta, kur kujdeset për fëmijët e saj.

Kjo është një gjë shumë e bukur e cila na gjallëroi jetën mua dhe gruas dhe nga ana tjetër po ndihmojmë një grua që burri i saj, përgjegjësi kryesor e kishte lënë në mëshirën e fatit.

E keqja e kësaj historie është tek ndjenja që unë fsheh për këtë zonjë. Një ndjenjë kjo që sa vjen e rritet e nuk e di si do t’ja arrij ta fsheh për shumë kohë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.