Vahide Perçin: Më shumë rëndësi ka talenti se pamja

Intervista - - TELENOVELA -

Vahide Perçin është aktorja karizmatike 52 vjeçare që interpreton rolin e Gonylit në telenovelën turke “Nëna”. Vahide ka lindur në provincat e Izmirit dhe i filloi studimet e saj në Fakultetin Ekonomik, por më pas filloi aktrimin dhe vazhdoi Fakultetin e Arteve të Bukura. Pas mbarimit të universitetit ajo shkoi në Ankara dhe më pas në Adana ku interpretonte në teatër. Karrierën televizive e ka filluar në vitin 2003 në serialin “Një përrallë Stambolli” dhe shumë të tjerë që erdhën më pas. Në vitin 2013 ajo zëvendësoi Merjem Yzerlinë në rolin e Hyremit, në telenovelën “Sulltani i Madhërishëm”. Kjo ishte edhe telenovela e parë ku ajo interpretoi krahas vajzës së saj, Alize Gordym, ndërsa e dyta është telenovela” Nëna”, ku Alizeja 23 vjeçare luan rolin e Gamzes. Vahide ka qenë e martuar nga viti 19912013 me aktorin Altan Gordym. Në vitin 2011, Vahide u diagnostikua me kancer në gjoks, por falë trajtimeve mjekësore arriti të shërohej.

- Kur morët lajmin që ishit sëmurë ju po interpretonit në dy seriale, “Zonja Ajan” dhe “Mirëdita jetë”, xhirimet e të cilave i latë përgjysmë. Ç’ndodhi më pas?

- Bëra 16 seanca kimioterapie, humba gjithë flokët, vetullat dhe qerpikët dhe pas kësaj e rimora veten, iu riktheva përsëri sheshxhirimit dhe mbarova filmat.

- Ne ishim mësuar me flokët tuaj ngjyrë kafe, por kur ju dolën flokët ju i ngjyet ato të verdha.

- Kur flokët e mi filluan të më dilnin ata ishin të bardhë. Kështu fola me producentët e serialit “Mirëdita jetë” dhe u sugjerova t’i bëja flokët e verdhë. Nuk besoj se ka aktore turke me flokë të shkurtër të verdhë, aq më shumë të moshës së mesme. Më pëlqyen dhe i mbajta.

- Cili ishte reagimi i telespektatorëve të filmit?

- Unë e kuptova më mirë se sa fansa kisha pasi u sëmura. Të gjithë ata prisnin të shihnin nëse e kisha marrë veten dhe nëse do të isha në gjendje të performoja ashtu si më parë. Mendoj se teleshikuesit kishin shumë besim tek unë, aq sa për ta nuk kishte rëndësi ngjyra e flokëve.

- Ju keni thënë në një intervistë se keni qenë pak si çunak kur ishit e re...

- Po dhe kështu jam ende. Mendoj se këtu ndikon mënyra e edukimit. Unë jam rritur në një familje ku mbizotëronin burrat dhe ku gratë ishin të pakta, kështu që kurrë nuk kam qenë si ato vajzat që luanin me kukulla dhe që visheshin në mënyrë femërore. Kjo vazhdon të pasqyrohet në mënyrën time të të veshurit dhe marëdhëniet e mia. Shumë njerëzve u pëlqen ky stil, por për mua është diçka e natyrshme, që nuk e ndryshoj dot.

- Ç’nënkuptoni me feminilitet, të jeni pak më koketë?

- Po, mbase. Unë nuk jam nga ata persona që kërkojnë të duken sa më bukur dhe sa më të paraqitshme. Për mua si aktore ka më shumë rëndësi loja sesa pamja e jashtme. Për shembull në shkollon e aktrimit na mësonin të aktronim edhe vetëm duke përdorur sytë, pa bërë gjeste apo gjëra të tjera. Unë jam një grua simpatike, gjë për të cilën jam e ndërgjegjshme, nuk ka nevojë ta teproj, apo t’ua shfaq njerëzve këtë. Unë kam filluar të plakem si një grua 50 vjeçare. Ajo që më bën mua të bukur është loja ime, të qenit njerëzore, e shëndetshme dhe zemërmirë.

- E kuptove që ishe një grua e bukur që në rini, apo më vonë?

- Nuk e kam menduar veten kurrë si grua të bukur. Vitin e shkuar u takuam me shokët e universitetit, unë isha e vetmja që nuk kisha ndryshuar. Unë shkova në takim me një çantë shpine. Unë nuk jam shumë sociale, nuk kam shoqëri të gjerë. Objektivi im i vetëm në jetë ka qenë të isha aktore e mirë.

- Kush ka qenë njeriu më i afërt për ju?

- Gjyshja ime, ajo më rriti. Ime më kishte të vjella nëntë muaj rrjesht dhe më pas qëndroi edhe shumë vite të tjera në spital. Mbaj mend që kush isha 4- 5 vjeç ajo erdhi ca kohë në shtëpi dhe pastaj u rikthye përsëri në spital. - Po babai? - Babai ishte kryetari i familjes sonë, por nuk ishte e lehtë edhe për të. Ne prisnim të kthehej nëna në shtëpi. Ajo qëndroi atje shumë vite dhe më pas mundëm të qëndronim bashkë dhe të plotësonim ato që s’kishim përjetuar bashkë. Lidhja jonë vajzë- nënë ishte shumë e fortë. Megjithëkëtë ne ishim një familje e lumtur, gjyshi na mësonte se duhet të ishim të qeshur dhe të gëzuar edhe për faktin e thjeshtë se ishim gjallë dhe të shëndetshëm.

- Ju jeni nga Izmiri, por jeni një familje emigrantësh, apo jo?

- Po, prindërit e mi janë me origjinë greke. Unë humba nënën në vitin 2003 dhe babanë në vitin 2007. E konsideroj veten me fat sepse ata nuk më panë kur u sëmura, përndryshe do ta kishin përjetuar keq.

- Keni frikë nga sëmundjet meqë nëna ishte shëndetligë?

- Jo, megjithëse nuk e besoj edhe vetë që jam kaq e shëndetshme. Unë durova 16 cikle kimioterapie. Nuk haja mish, por fillova të haja pasi fillova kimioterapinë. Unë bëra atë që më thanë të bëja dhe çfarë ishte në dorën time. Nuk qava dhe nuk kisha frikë.

- Ju përdorni edhe shumë pak grim...

- Kjo është e vërtetë, zakonisht nuk përdor fare grim. Edhe kur jam në sheshxhirim përdor një grim të lehtë, pak krempudër, një laps sysh, pak rimel, bile nuk vë as buzëkuq. Mendoj se grimi i shumtë nuk më shkon.

- Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

- Jam mësuar të mos bëj plane. E jetoj jetën ditë pas dite. Unë nuk kam ëndrra, por kam objektiva dhe i ndjek ato. Përpiqem t’i buzëqesh sa më shumë, vetes, jetës...

- Ndërkohë, si ndjeheni pas

- Mendoj se jemi më të lirë që të dy dhe më të lumtur.

- Vazhdoni bashkëpunimin me ish burrin tuaj, Altan Gordym?

- Po, sigurisht. Ne drejtojmë një shkollë aktrimi së bashku, përveçse kemi edhe punën tonë dhe rolet. Gjithashtu jemi duke mësuar të kërcejmë flamenko.

- Thuhet që burrat e kanë të vështirë të përballojnë periudha të tilla siç është sëmundja e partneres së tyre...

- Nuk dua të flas për këtë tani. Altani është njeri i respektueshëm dhe një baba shumë i mirë. Ne vendosëm të divorcoheshim me marrëveshje të përbashkët. Ne kemi jetuar bashkë për 20 vjet duke mbështetur njëri- tjetrin, gjë që e bëjmë ende.

- Çfarë të pëlqen tjetër përveç aktrimit?

- Më pëlqen edhe të pikturoj, më pëlqen era e bojrave të vajit nëpër shtëpi. Por më shumë se gjithçka më pëlqen deti. Mesa duket ka lidhje me fëmijërinë, ne gjithmonë kemi jetuar pranë tij. Gjithashtu më pëlqen të gatuaj.

- Kush ju mësoi të gatuanit?

- Mësova vetë, pas martese. Gjithmonë më ka pëlqyer gatimi, aroma e ushqimit, biskotave, kekut nëpër shtëpi. Jam nga ato që mund të rri natën pa gjumë dhe të gatuaj diçka të mirë për të nesërmen.

- Në serialin “Nëna” ti luan bashkë me vajzën tënde, Alizenë, e cila është në rolin e Gamzes. Si e vlerëson lojën e saj aktoriale?

- Nuk mund ta vlerësoj unë, këtë gjë duhet ta bëjë spektatori. Unë dhe i ati i mësuam profesionin, tani është e pavarur dhe di se vetë se ç‘ bën.

Ndërkohë, Alize Godrym që është pranë të ëmës në këtë intervistë shton “Ishte nder për mua që luaja përkrah nënës sime. Në sheshxhirim ne nuk jemi nënë e bijë, as mjeshtrja me nxënësen. Unë nuk e shoh atë si nënë në serial dhe ajo nuk më sheh si vajzën e saj, por si një kolege”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.