Babai më martoi me burrë pijanec e të martuar

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

E nderuar redaksi dhe ju lexues të gazetës! Po ju shkruaj të tregoj historinë time se po më plas shpirti.

Jam njëzet e nëntë vjeç, jam e martuar dhe kam tre fëmijë të mitë dhe tre të burrit që pati mirësinë t’i kishte ai kur unë u martova me të. Më saktë më martuan me atë burrë sepse nuk ishte zgjedhja ime. Po nuk thotë kot populli “Në vajzën ka pjesë edhe qeni”.

Unë kam lindur në një fshat malor në një familje fanatike deri në idiotizëm. Kam një vëlla që është katër vite më i madh se unë e ka dymbëdhjetë vite që rri në Greqi. Në shtëpi ka ardhur vetëm dy herë nga lutjet e mamasë time. Kur kam lindur unë në shtëpi ishin gjyshi me gjyshen, një teze e babait e pamartuar, dy vëllezër të babait, katër hallat e mia të pamartuara, mamaja dhe vëllai im. Të gjithë mbaheshin me rrogën e babait tim dhe me pensionin e gjyshit. E mendoni dot sa gëzim ka patur në atë shtëpi ku edhe buka ishte me racion.

Shumë shpejt hallat u martuan një nga një, u martua edhe xhaxhi im po në shtëpi mbetëm po shumë njerëz bashkë. Gjyshi nuk pranonte që të ndaheshin dy djemtë e martuar. Kur unë u bëra shtatë vjeçe xhaxhi im vdiq aksidentalisht duke zënë peshk, sepse ne kishim lumin pranë. I shkreti shkoi të zinte peshk se po prisnim një festë e që mos ta kalonim festën me bukë thatë deshi të zinte peshk me dinamit.

Një gabim njerëzor dhe dinamiti i shpërtheu në dorë dhe në shpi e sollën copa - copa bashkëfshatarët tanë. Ai la gruan dhe dy fëmijë jetimë. Pas kësaj tragjedie në shtëpinë tonë as që bëhej më fjalë që babai im të dilte në shtëpi më vete.

Vetëm se në atë kohë të iknin të gjithë në Greqi e babai im asokohe tridhjetë e pesë vjeç u bashkua me disa djem të fshatit e iku dhe ai. Kur erdhi pas gjatë muajsh unë sapo kisha mbushur shtatë vjeçe dhe atëherë kam marrë lodrën e parë dhuratë. Në fakt edhe atë ia kishte dhënë një grua greke që i ishte rritur vajza e saj. Gjithsesi në klasën e dytë shkova me qejf sepse kisha këpucë të pagrisura, kisha rroba si gjithë bashkëmoshatarët e mi dhe kisha çantë shkolle jo trastën që më kishte sajuar ime më në klasën e parë.

Babai kur u kthye çantat ia dha nuses së xhaxhit, i tha t’i hapte të mbante çfarë i duheshin asaj për vete e fëmijët. Por, Dima, gruaja e xhaxhit dhe pse i kishte rënë ajo brengë të mbetej e ve në moshën njëzet e tetë vjeç dhe me dy fëmijë të vegjël ishte shpirt njeriu, ia dha çantën gjyshes që t’i ndante ajo gjërat. Dhe kështu gjyshja i ndau në mënyrën më të mirë të mundshme me një fjali:

-Ty të ka munguar burri për gjashtë muaj, e ti tjetra do të të mungojë gjithë jetën, po unë po i hap këtu e secili të marrë ç’t’i pëlqejë, - dhe mes lotëve i zbrazi çantat mbi qilim.

Ne fëmijët u sulëm tek lodrat, dhe mamaja e Dima mblodhën rrobat e pasi i lanë (sigurisht rroba të falura) i ndanë me njëra-tjetrën. Babai ndenji në shtëpi e iku sërish në Greqi dhe erdhi pas gjashtë muajsh të tjerë. Kur u kthye tha që donte të blinte tokë në fushë se aty nuk mund të rriteshin fëmijët.

-Qysh do ikim e do lemë vatanë?, - tha gjyshi përnjëherësh.

-Nëse ti do vatanë ruaje, mua më duhet të rris e të kujdesem për dy fëmijët e vëllait dhe për katër të mitë.

-Pse unë nuk i dua nipër e mbesa, - iu kthye gjyshi gjithë inat.

-Nuk thashë që nuk i do, po shyqyr që m’u hapën sytë në Greqi. Në fushë çdo bimë nxjerr prodhim, çdo bagëti e paguan veten, jo si këtu mes malesh ku mezi shohim diellin.

-Po si do kujdesesh për fëmijët e vëllait ti, kur do t’i lësh këtu mes këtyre maleve që po shan, - tha gjyshi. -Nuk do t’i lë këtu, do t’i marr me vete, ku të hanë ë fëmijët e mi do rrinë edhe të vëllait, - tha babai.

Kështu pas dy muajsh debatesh pa fund, im atë kishte blerë një tokë në fushë.

-E kam blerë për ta ndarë më tresh. Unë dhe H., (xhaxhi i vogël) do jemi anash, e Dima me fëmijët do e ketë shtëpinë dhe tokën mes nesh. S’do ketë as proble ë, ne do na ketë gjithmonë aty. Ju tre pleqtë zgjidhni në doni të rrini këtu apo të vini me ne. Për një vit babai e xhaxhi punuan e bënë një shtëpi të madhe në krye të tokës.

Unë në atë kohë isha në klasën e shtatë dhe derisa mbarova klasën e tetë ëndërrova se do vazhdoja edhe shkollën e mesme sepse fshati ku shkuam kishte shkollë të mesme. Vëllai i madh nuk e vazhdoi të mesmen sepse iku në Greqi të punonte, unë që doja shkollën më thanë të mbyllja gojën e të mësoja punët e shtëpisë.

-Shkolla nuk është për vajza, ti ndihmo mamanë tënde sa të të dalë fati, pastaj kush do i punojë arat vetëm mamaja jote me Dimën - tha një herë të vetme babai. S’pati më nevojë të nuk guxoja të kundërshtoja, nervat e mia i nxora duke punuar nga mëngjesi deri në darkë në ara.

Sapo mbusha të shtatëmbëdhjetat një grua nga fshati kishte folur me mamanë për të më prezantuar të vëllanë. Sigurisht babai im ishte gati, mjaftonte të më hiqte qafe.

Një ditë erdhi më thirri vajza e komshies gjoja për të shkuar të dyqani, sigurisht me lejen e mamasë e të babait që e dinin. Rrugës takuam A., dhe me një rrugë që zgjat pesë minuta ku më shumë foli A., fati im u vendos. U fejova për një muaj dhe u martova pas gjashtë muajsh, një muaj para se të mbushja të tetëmbëdhjetat.

Edhe pse isha shumë e re ditën që u martova shpresova se shpëtova nga tutela e babait. A., ishte dhjetë vite më i madh se unë, po ishte djalë i matur. Ishte shumë xhentil. Pastaj shyqyr ishin mirë nga ana ekonomike. Natën e parë të martesës edhe pse dridhesha si purteka, sikur A., do më vriste, ai arriti të më bënte të qeshja.

Ndërsa bëja punët nëpër shtëpi, se helbete isha nusja e duhej të rrija gjithë ditën në këmbë, A., vinte e më pëshpëriste fjalë dashurie në vesh. Zemra sa s’më pushonte kur e shihja të më shfaqej para syve, e dija që do vinte të më thoshte ndonjë fjalë që më ngrohte zemrën. Një javë pasi u martuam shkuam në plazh. Ishte hera e parë që po shihja detin me sy. Për dhjetë ditë shëtitëm gjithë bregdetin e jugut. Im shoq më mësoi të mos kem turp të dal me rroba banje, më mësoi të buzëqeshja, më mësoi të sillesha si femër jo si argate që di vetëm të punojë në ara.

Kur u kthyem nga plazhi isha gruaja më e lumtur e botës. Edhe vjehrra më tha:

-Shndriske si diell, e shoh që e paskeni kaluar mirë, - dhe më përqafoi fort. –Tani palos rrobat e tua avash avash dhe për sonte pushoni. Nëser A., duhet të shkojë në dyqan se edhe unë me plakun tim do shkojmë në plazh.

(VAzhdon javen tjeter)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.