Babai më martoi me burrë pijanec e të martuar

Intervista - - HOSTIRYI NGA JETA -

( Vazhdon nga java e kaluar)

- Shndriske si diell, e shoh që e paskeni kaluar mirë, - më tha vjehrra dhe më përqafoi fort. – Tani palos rrobat e tua avash avash dhe për sonte pushoni. Nëser A., duhet të shkojë në dyqan se edhe unë me plakun tim do shkojmë në plazh. ( VAzhdon javen tjeter) Do rrimë tri ditë në Vlorë të motra ime dhe pastaj do kthehemi.

Kështu atë natë iu ktheva punëve të shtëpisë, që më dukeshin gjëja më e lehtë për t’u bërë. Isha robtuar me punë burrash në shtëpinë e babait. Të nesërmen A., mori makinën dhe u nis për të zëvendësuar të atin në dyqan, por s’ishte e thënë. Rrugës një furgon ishte përplasur me makinën e tij dhe aksidenti ishte tragjik, jo vetëm për burrin tim, por edhe për katër pasagjerë të furgonit.

E mendoni dot një javë para se mbushja të tetëmbëdhjetat dhe tri javë pasi u martova mbeta e ve. Nuk di a mund të më thotë ndonjëri, a ndien dhimbje Zoti. Jam rritur si skllave, dhe sapo gjej një njeri që më do, ma merr Zoti se e do ai për vete. Dy javë pas varrimit të dashurisë time u ktheva në shtëpi te prindërit e mi. Për dy muaj pothuajse nuk fola, vetëm qaja. Ngado që shkoja sikur më ndiqte zëri i A., që më pëshpëriste nëpër shtëpi. Por edhe këtë lumturi që A., më la pas babai im do ta mbyste përnjëherësh.

- Kam një shok që i ka vdekur e shoqja, mendoj se do të kërkojë dorën tënde, - tha një natë ndërsa po hanim bukë. Nuk e kapa fillin e muhabetit sepse isha në ëndërrimet e mia, por babai e përsëriti sërish këtë radhë duke m’u drejtuar me emër.

- Si të martohem, po unë sapo u martova, sapo u ktheva prit njëherë, kaq shumë të rëndoj? – ia prita menjëherë mes lotëve.

– Nuk dua vajza në shtëpi, jeni veç për bela, do martohesh me të parin që të të kërkojë, - tha babai.

– Po prit pak o burrë, i tha mamaja me gjysmë zëri, - kush është ky, a ka shtëpi e katandi, a punon, a ka familje të mirë, të dimë një herë diçka për të.

- S’keni nevojë të dini asgjë. E njoh unë. Është burrë për shtëpi, nuk dot’i mungojë asgjë.

- Po ti the që ka qenë i martuar, sa vjeç është, - i tha gjyshi, - dhe a ka fëmijë?

- Më duket se është dyzet e nëntë dhe ka tre fëmijë, - tha babai im qetësisht.

- Epo unë vras veten e nuk martohem me një plak. Ti vetë je dyzet e shtatë vjeç e unë duhet ta marr burrin dyzet e nëntë, - thashë menjëherë.

Në kokë më fluturoi luga me të cilën po hante babai. Sa hap e mbyll sytë u ngrit e më dha ca shpulla të mira në sy të gjithë familjes.

– Do martohesh me atë që të them unë, ose do tëtë vras vetë me duart e mia, - tha dhe më shtyu me gjithë forcën. Rashë përdhe, por koka më ra në cepin e një stoli e u çava. Gjaku filloi të më rridhte çurgë. Gjyshi, gjyshja e të gjithë familja u çuan sa për të na ndarë, e sa për të më ngritur. Mamaja mundohej të më ndalte gjakun. Mes gjithë asaj amullie gjyshi u përpoq të qetësonte babanë e më pas u mundua me mua. Ashtu e përgjakur i ulërisja se nuk do të martohesha me atë plak.

- Do e shohim se me kë do martohesh, prit sa të zbardhë, - tha babai. Atë natë nuk fjeta, e me mua ndenji gjyshja zgjuar. Të nesërmen ndenji tezja e babait me mua zgjuar se kishin frikën se mos bëja ndonjë gjë. Sa mirë do ishte të më kishin lënë vetëm, do kisha ndjekur tim shoq, dashurinë time e do isha me të.

Pas një jave në shtëpi erdhi shoku i famshëm i babait. Në fillim mendova mos ishte ndonjë nga lagjia tjetër e fshatit, por kur babai më kërkoi mua të çoja kafetë e kuptova që ishte dhëndërri plak që më kish gjetur. I çova kafetë e derdhura me shpresën që ai do thoshte se nuk më donte përderisa isha aq duartharë, po jo e kish menduar që do më mësonte vetë ai të mos derdhja kafenë.

Si përfundim u martova pas gjashtë muajsh. Sigurisht pa shumë ceremonira. Nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje. Kur arrita në shtëpinë e burrit të dytë përpara më dolën fëmijët e tij. Vajza e madhe e tij ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. E mendoni dot ç’tmerr më pa shpirti jo vetëm atë natë, por edhe të gjitha netët që më duhet të fle përkrah burrit tim. Mbeta shtatzënë shumë shpejt dhe Zoti deshi qe vajza te më ngjante mua. I kaloja ditët duke u marrë me vajzën time, ndërkohë që filluan të ankoheshin e të më shanin fëmijët e burrit derisa filloi dhe ai me zanatin e babait të më qëllojë. Kur vajza u bë një vjeçe, burri më detyroi t’i ndaja gjirin vajzës se donte të bënte fëmijë tjetër. Ai mori vajzën e çoi te mamaja ime dhe kështu i realizoi ato çfarë donte.

– S’ke ku të shkosh me dy fëmijë, se me një fëmijë ti merr plaçkat e më ikën. Pastaj edhe unë nuk i rris dot fëmijët kur të plakem, tani jam akoma në moshë të punoj për ta, - thoshte. Ç’moshë zeza pesëdhjetë e dy vjeç, po ja atëherë i dukej vetja mirë.

Ashtu mbeta shtatzënë me djalin e kur djali u bë një vjeç e njëjta metodë si me vajzën. Pas katër vitesh martese u bëra me tre fëmijë. Jeta ime është një ferr i vërtetë. E vetmja gjë që më ngroh shpirtin janë fëmijët. Ata më duan e qajnë me mua kur im shoq ia kthen ndonjë gotë rakie dhe zbraz nervat mbi mua. Më ka rastisur të takoj ish vjehrrën time në rrugë dhe më ka dhënë peshqesh për fëmijët. Burri sapo e mori vesh m’i mori dhuratat e i hodhi në zjarr. Bëhet keq kur mendon se kam qenë e lumtur me A., dhe ky vetë s’është i zoti për asgjë veç të më bëj të qaj. Edhe dy vajzat e mëdha të burrit pasi u martuan, më thonë që kanë shpëtuar prej tij sa herë që vijnë në shtëpi. Djali i burrit po kërkon të ikë, se nuk e duron dot të atin. Edhe fëmijët e mi sapo të rriten do të ikin se nuk do të durojnë dot tutelën e tij, po unë e shkreta jam e detyruar të duroj. Tani ka filluar të bëhet xheloz sepse e sheh që unë jam në lule të moshës. Në shtëpi te babai sigurisht nuk kthehem dot, burri jo vetëm që plaket, por po i shtohen huqet çdo ditë e më shumë. Jam pa shkollë, pa zanat e s’kam ku përplasem asgjëkundi.

L.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.