DONALD LU: Më gënjyen prapë...

Intervista - - FAQE 1 - Bisedoi me shaka Kaso KOSA

Dhe pse ambasadorin Lu e kam intervistuar disa herë, sërish këmbët më çuan te rruga e Elbasanit. Kësaj rradhe kisha shumë arsye për t’i bërë intervistë, pasi ishte dhe fundmuaji ku ai kishte bërë një premtim të madh. Sapo gjendem tek rruga e Elbasanit e shoh nga larg që po hynte në supermarket.

“Përshëndetje zoti Lu!”. Ai hiç… I fola dhe njëherë se pashë që bëri sikur s’më dëgjoi. “Përshëndetje zoti Lu. Kasua jam, më mban mënd? Mbase nuk është vendi këtu, por një intervistë e doja patjetetër me ju. Keni dalë për të bërë pazar?”

“Më pëlqejnë këta lloj gazetarësh si puna jote Kaso. Më pëlqejnë për faktin se nuk lenë gjë t’ju kalojë dhe humbasi. Dola të bëj pazar tek ky supermarketi pasi ka një peshk të mirë o Kaso që nuk i thua dot jo.

“Pikërisht dhe unë për punën e peshkut kam erdhur apostafat. Sot është 31 janar zoti Lu dhe…”

“Pse dhe juve ju pëlqen peshku Kaso? Më pëlqejne shijet e tua të holla për peshkun. Ke shije amerikane Kaso…”, më bëri kompliment ai, më futi krahun dhe u ulëm te kafeneja ngjitur me supermarketin…

Kaso Kosa: -Zoti Lu, si vajti ajo puna e peshkut, domethënë e atyre politikanëve që do arrestoheshin në janar sipas asaj që deklarove ti?

Donald - - E dija që këtu do dilje, e dija. Më gënjyen Kaso, më gënjyen prapë. Sa shumë gënjejnë këta politikanët dhe qeveritarët tuaj, sa shumë!. Ju besova Kaso, më beso.

- Kush të premtoi dhe kush ju gënjeu zoti ambasador?

- Po ku i mbaj mënd unë tani o Kaso. Të gjithë më gënjyen. Këtu ta kanë të gjithë me të futur dhe kur ma futin mua merre me mënd se ç’bëhet me të tjerët.

- i qe puna që deklaruat për arrestimin e peshqve zoti Lu?

- Dëgjo Kaso : Unë tashmë jam bërë pak shqiptar dhe kur dëgjova Llallën që thoshte çdo vit se në shtator do arrestohen koka të mëdha, mendova me vehte pse mos them dhe unë njëherë për këto koka, ose peshq të mëdhenj siç i quani ju shqiptarët. Ndaj edhe bëra atë deklaratë…

- Keni një ide zoti Lu se kush janë peshqit e mëdhenj dhe pse gjithmonë ata shpetojnë nga “grepi”?

- Peshq të mëdhenj? Po ata janë mo Kaso. Ata që më kanë gënjyer dhe premtuar se do t’i kapin në janar. E kap dot peshku peshkun?

- Pra ju po thoni se Rama dhe Xhafaj janë peshqit e mëdhenj që do kapin peshqit e mëdhenj?

- Këtë e the ti, jo unë. Ja hidhu një sy peshqve që kam marrë sot. Të ngjan ndonjë më Ramen dhe Xhafën?

- Në fakt ky i madhi ja ky i madhi këtu në cep më ngjan me Berishën. A është peshku i madh Berisha, zoti Lu?

- Kaso, dëgjo ketu të të them se ç’ka thënë Arvizuja. Berisha është burrë shteti, me një fjalë është peshkaqen dhe ne nuk kemi thënë se do arrestojmë peshkaqenët. Hajde dalim që këtu Kaso dhe e vazhdojmë në makinë intervistën se po më qelbet peshku.

- Makinën e paske të blinduar zoti Lu. Kanë hipur ndonjëherë peshqit e mëdhenj tek kjo makina jote?

- Mos më provoko Kaso se ata nuk kanë punë të hipin këtu sepse shkoj unë hipi në makinat e tyre, domethënë kur ata më thonë ndonjë emër cironke… - Po me Artën jeni takuar dhe a keni fol për arrestimet që keni deklaruar?

- Mos ma kujto Kaso, mos ma kujto Artën. Se një ndër ta që më tha të them për në janar ishte dhe ajo para se të zgjidhej. Ndaj ngulmova shumë që të zgjidhej dhe ajo. Këtu ta futin dhe gratë jo vetëm burrat.

- Po edhe Arta deklaroi para disa ditësh se prisni dhe do shikoni surpriza. Ku ta ketë fjalën ajo dini gjë zoti Lu?

- Ajo e ka fjalën tek fjala që i thashë unë dhe tek fjalët që na thanë ne.

- Asgjë nuk kuptova zoti Lu. Ma shkoqit më mirë këtë muhabet të lutem.

- Po ç’të të shkoqis o Kaso? As unë nuk mbaj mënd ç’më kanë thënë dhe çfarë iu vërtetë kam deklaruar unë se në janar do arrestohen peshqit e mëdhenj?

-E vërtetë zoti Lu dhe jo aq, por nga opozita aludojnë se peshku i madh je ti? Po kësaj ç’i thua, zoti ambasador?

- E thënë nga një sardele e vogël siç është Luli nuk më intereson. Unë mund të ngjasoj me çdo gjë tjetër, por, ama, si peshk nuk ngjasoj.

- Zoti Lu, po atë « Tik Tak » çfarë e kishe në fund të statusit që bëtë mbrëmë?

- Tik tak more Kaso, janë tingujt e akrepave të orës. Që do të thotë se tik taku po bie, po se për kë unë këtë se di. Në një farë mënyre e thashë dhe për veten time.

- Po për ty pse zoti Lu? Ç’lidhja ka me ju?

- Ka, Kaso, ka. Ai adashi im nuk do rrijë urtë pas asaj që ju thashë shqiptarëve. Kam marrë vesh se mua do më peshkojë të parin për të më hequr prej këtu. Aq më tepër që unë i thashë Ramës të votonte kundra SHBA. Po unë nuk iki jo…

- Pse ku do rrini zoti Lu? U fol dje se do kërkonit pashaportë shqiptare për të jetuar këtu, e vërtetë zoti ambasador?

- Edhe është edhe s’është, por më shumë është. Ku të vete në Ameriknë unë o Kaso? Kam këllqe të punoj akoma unë atje? Këtu i kam të paktën peshqit e mëdhenj si majtas djathtas dhe do ma bëjnë nderin që iu bëra… Është Rama peshku i madh tani? Është. Është Basha cironkë e vogël? Është. Nesër Rama bëhet cironkë dhe Luli bëhet peshk i madh. Ku të vetë unë me këtë rezervat me kaq prodhim, nuk më thua?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.