Festat e fundvitit më risollën dashurinë time

Intervista - - FAQE 1 -

Të nderuar lexues, dhe ju botues të gazetës! Dua të ndaj historinë time me ju sepse jam me të vërtetë e lumtur. Kam tre vite që kam mbaruar fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe punoj në një bankë. Kam lindur në Lushnje dhe jam rritur në një familje relativisht të qetë, jo shumë mirë nga ana ekonomike, por kam kaluar fëmijëri të lumtur me përjashtim të viteve 1997- 2000.

Kur erdha në Tiranë isha tetëmbëdhjetë vjeçe, shumë e lexuar sepse në shkollë kam qenë gjithmonë nxënësja më e mirë, por e padjallëzuar dhe e pa eksperiencë në luftën e bërrylave që gjeta në konvikt e në fakultet.

Vitin e parë të fakultetit kam vuajtur në kuptimin e plotë të fjalës sepse kisha menduar tjetër gjë. Kisha menduar shoqe dhomë që donin të mësonin, ndoshta jo sa unë, por do kisha me kë të bëja pesë pare muhabet. Kisha menduar shoqe kursi në shkollë që do i kisha jo vetëm për të kopjuar te unë për provime, por edhe që të dilja shëtitje apo për pazare me to. Gjithsesi unë nuk ndryshoj dot shoqërinë. Kur mbaroi viti i parë i fakultetit dhe u ktheva në shtëpi me pushimet verore u thashë prindërve që isha gati të lija shkollën për shkak të trysnisë që ndieja nga shoqëria.

- Ç’është kjo, - tha babai, - po ti provimet i ke nota të mira. Teta e nënta s’janë nota të këqija në fakultet, ti prisje të merrje veç dhjeta si në gjimnazin e qytetit këtu?

- Jo, jo s’është puna aty babi, ndihem vetëm, ndoshta jam unë problemi, ndoshta s’di unë të sillem me shoqet. Po më duket sikur do mbytem në dhomën e konviktit.

- Ua çupa ç’thotë, - ia pri- ti mamaja, - po ne të mësuam të lexosh gjithë kohën që të bëhesh e fortë, e të kuptosh se si funksionojnë gjërat, po jo që të biesh në depresion në Tiranë.

Debati zgjati rreth dy orë me prindërit. Kur u ulëm të flinim mamaja më pyeti në errësirë:

- Mos të ka rënë në kokë për ndonjë djalë e ai do tjetër vajzë a ç’është kjo moj bijë?

- Po pse vetëm djemtë të japin shqetësime o mama, - ia prita menjëherë. – Kjo indiferenca totale e njerëzve dhe sapo të shohin me libra në dorë të thërrasin budallaqe, ti si do ndiheshe? – ia ktheva menjëherë.

- Epo nëse është kjo ajo që të shqetëson e zgjidhim kollaj, veç mos të kesh probleme dashurie, - tha ajo dhe zëri sikur iu qetësua.

- E si u zgjidhka kjo, me shkopin e zanës? - i thashë, - nejse të flemë se vajti vonë.

Të nesërmen në mëngjes sapo u zgjova bëra punët e shtëpisë, si gjithmonë se mamaja e babi kishin ikur në punë, motra e vëllai flinin akoma, u ula si zakonisht me librat e mi.

Rreth orës njëmbëdhjetë më thërret poshtë pallatit një shoqe gjimnazi. U vesha e dola xhiro me të. Po më tregonte gjithë ç’kishte ndodhur e unë nuk i dija, kush ishte martuar e kush dashururar nga shoqëria e shkollës. Po më tregonte edhe për një histori të vetën që sapo kishte filluar.

- E mban mend D., ka mbaruar kur ne ishim në vitin e parë dhe punon me të atin. Ai që i kishim vënë nofkën “mister gjatësia”.

- Po më kujtohet, - i thashë, - po ti s’ka takë të të afrojë me të, aq i gjatë është, - dhe qeshëm të dyja.

- Duket që e kemi filluar seriozisht, mamaja e tij kish folur me mamanë time dhe po dalim pak më lirshëm, por sinqerisht më pëlqen, - tha dhe e pashë që iu skuqën pak faqkat. E përqafova fort se e pashë që ishte shumë e lumtur, por i vinte turp dhe i përshpërita në vesh: - Epo nuk duhet të kesh turp që je dashuruar, mjafton të pëlqeni njëri- tjetrin dhe do shkojë mirë. Dhe e pata pak zili shoqen time për lumturinë që i pashë në sy.

Atë ditë u ktheva shumë e qetë në shtëpi, lumturia që kisha parë në sytë e shoqes time më kishte qetësuar. Kur mamaja u kthye në shtëpi erdhi gjithë vrull.

- Vajzës e Fanikës, Eneida që është na inxhinieri në vitin e dytë sivjet, nuk i pëlqen të rrijë në konvikt dhe do të marrë një shtëpi me qera me ndonjë shoqe. Ti sikur e njeh, dhe do shtrëngohemi pak e do rrish e qetë në shkollë.

E përqafova fort time më, sepse e kishte gjetur zgjidhjen brenda natës, pranonte çdo sakrificë për mua dhe do më duhej t’ia shpërbleja në çdo lloj mënyre.

Pa u zgjatur, kur filloi viti i dytë unë shkova direkt në shtëpinë që kishin gjetur me qera familja e Elës. Të dyja ishim të lumtura, kishim gjërat tona nëpër dhoma, gatuanim kur donim, lexonim secila në dhoma të ndara dhe ishte gjithçka mirë. Ndërsa shkoja në shkollë çdo ditë në të njëjtën rrugë kisha vënë re një djalë që dilte e më shihte çdo ditë nga dritarja e zyrës ku punonte. Pas afro një muaji që dilte e më ruante sa herë shkoja në shkollë e kthehesha një ditë doli me vrap e më zuri në cepin e pallatit ku kishte punën.

- Të lutem, ndalon dy minuta, nuk ta di as emrin e s’di si të të them, po a mund të prezantohemi? – tha me një frymë ndërsa e ndjeva që zëri i dridhej.

- Quhem Ela, - i thashë. – Ka ndonjë gjë?

Fytyra i qeshi e nuk më la të vazhdoja më tej.

– Unë jam Aldo. Kam një muaj që të shoh nga dritarja e punës, po nuk po gjeja mënyrë tjetër për të të folur. A mund të pimë një kafe bashkë? – Me siguri në fytyrën time ai pa frikë, sepse menjëherë tha: - Në një vend të hapur, pa frikë, nuk dua të të bëj keq, të lutem. Një kafe është, nëse s’të pëlqen e mbyllim dhe nuk të shqetësoj.

E lamë të takoheshim të nesërmen kur të kthehesha nga shkolla. Sigurisht në mëngjes doli më tha “mirmëngjes” dhe kur u ktheva e gjeta tek më priste në derë të punës. – Shkojmë te kafja ngjitur, ka shumë levizje s’dua të kesh frikë nga unë.

U ulëm në kafe dhe pa e kuptuar ndenjëm tre orë. Kur u ndamë Aldo më tha që donte të takoheshim sërish dhe kështu ndodhi. Takoheshim çdo ditë dhe lidhja jonë po ecte mirë. Ai ishte në punë të mirë dhe vazhdonte shkollën me korespendencë. Kishte punuar e jetuar në Greqi për pesë vjet pasi kishte mbaruar gjimnazin, sepse i duhej të ndihmonte familjen, por më pas i ishte futur shkollës se nuk donte të punonte në ndërtim gjithë jetën. Viti i dytë i shkollës mbaroi pa e kuptuar fare si kur filloi e kur mbaroi sepse isha gjithë kohën me Aldon në mendje, por edhe shkollën nuk e lashë pas dore.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.