Mustafa Bunguri: Edhe unë si daja Taku…

Intervista - - FAQE 1 -

Ka një rol aq të bukur në “Portokalli” sa të gjithë u dashuruan pas batutave të tij. Daja Taku, interpretuar me aq mjeshtëri dhe origjinalitet nga Mustafa Bunguri, çdo javë të shfaqjeve në “Portokalli” sjell vetëm të qeshura dhe duartrokitje. Këtë herë në gazetën tonë kemi aktorin që interpreton këtë rol që është i angazhuar edhe në fusha të tjera, të na tregojë pak më shumë për veten dhe jo vetëm!

Fabjola Kuburi:- Daja Taku, Mustafain?

Mustafa Bunguri:- Ai Mustafa Bunguri ka lindur në qytetin e Bulqizës, dhe pse me origjinë është nga fshati Grevë i Peshkopisë. Në moshën 11-vjeçare u shpërngul bashkë me prindërit dhe tre motrat në Tiranë, ku përfundoi arsimin 9-vjeçar në shkollën Skënder Luarasi, dhe gjimnazin në shkollën e mesme Qemal Stafa. Aktualisht është student i Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku studion në degën Financë-Kontabilitet. Të duhet më për të?(Buzëqesh)

- Vijojmë më tej me informacionet. Si u bërë pjesë e “Portokalli”?

- Pranimi në “Portokalli” ka qenë padiskutim një ndër ngjarjet më të mëdha të jetës sime. Pranimi u bë nëpërmjet audicionit, ku dhe m’u dha aprovimi për të qenë pjesë e spektaklit.

- Pas prezantimit tënd, kalojmë pak te daja Taku. Përse u zgjodh ky emër?

- Emri “Taku” është emri im i dytë, thënë ndryshe pseudonimi im. Me këtë emër më kanë thirrur të gjithë, që në momentin që më kanë vënë emrin Mustafa (qesh).

- Ti vetë je dajë. Si i ke marrëdhëniet në nipin?

- Po, edhe Mustafai është dajë. Madje jam bërë dajë ditën që kam dhënë shfaqjen e parë në skenën e “Portokalli”. Marrëdhënia ime me nipin tim është shumë e mirë. Përveçse është frymëzim për mua, është padiskutim njeriu që kam më shumë përzemër.

- Kur të rritet do të ta përmendë këtë punën e nipit dhe dajës në spektakël...

- Mendoj se do kujdesem personalisht që ai të mos e përdorë YouTube derisa të rritet aq sa për të kuptuar humorin e “Portokalli”. (Qesh)

- Cilat janë eksperiencat e tua të mëparshme?

- Unë kam bërë tre punë gjatë sezoneve verore, në periudhën e gjimnazit. Kam qenë shitës, ndihmëskuzhinier dhe shef kuzhine. Për sa u përket eksperiencave në aktrim, përveç “Portokalli” kam marrë pjesë në Festivalin Teatror Rinor “Gjergj Trola” në vitin 2017, kam interpretuar në shfaqjen “Propozimi” të Anton Chekhov, në rolin e Llomovit ose ndryshe Ivan Vasileviç. Konkuruan 14 gjimnaze të Tiranës me një shfaqje teatrale. Me jurinë e përbërë nga Tinka Kurti, Neritan Liçaj, Alert Çeloaliaj dhe regji - min e parë si “Aktori më i mirë”.

- Ideja e rolit ka qenë jotja, apo jo?

- Po, idea e rolit të dajës ka qenë e imja, por sigurisht që gjatë audicionit janë dhënë shumë ide për pasurimin e rolit, nga regjisori i shfaqjes Altin Basha, si dhe dy skenaristët Jani Duri e Vangjel Kozma.

- Po batuta e përshkrimit të nipit si “top i vogël i dhjamosur”... si lindi?

- Emërtimi i nipit të vogël si “top i vogël i dhjamosur kakëbërës” ka qenë batuta më spontane në tekstet e mia. (Qesh)

- E dëgjon shpesh në rrugë këtë batutë?

- Po, e kam dëgjuar disa herë, kur fëmijët e emërtojnë njëri-tjetrin kështu. Edhe pse është një spektakël që nuk duhet të ndiqet nga fëmijët, më vjen mirë kur dëgjoj batutat e mia tek përdoren nga njerëzit.

- Skenarin për rolin e përgatit të gjithin vetë?

- Skenarët në “Portokalli” i kam shkruar vetë, përjashto 2-3 skenarë që janë shkruar nga Ledio Lako apo Marin Orhanasi. Por sigurisht që tekstet janë redaktuar dhe pasuruar, si nga regjisori ashtu dhe nga të gjithë kolegët.

- Është fat të jesh pjesë e “Portokalli”?

- Të jesh pjesë e “Portokalli” është një punë shumë intensive dhe që kërkon shumë produktivitet. Gjithashtu është një kënaqësi shumë e madhe. Kënaqësi që ta jep puna me aktorët dhe regjisorin më në zë, si dhe duartrokitjet e të qeshurat e publikut.

- Kush mendon se të ka sjellë këtu ku je, fati, puna apo talenti?

- Padiskutim që të treja kanë dhënë kontributin e tyre. Por unë mendoj se ajo që ka ndihmuar më shumë ka qenë puna, pasi nëse nuk punon fort, talenti mbytet dhe fati nuk vjen.

- Ç`gjë interesante gjete sot gjatë rrugës shtëpi-punë?

- Gjëja më interesante që shoh gjithmonë gjatë rrugës punë-shtëpi është mungesa e harmonisë që ekziston mes rrugës, shoferëve dhe policëve (qesh).

- Cilat kanë qenë reagimet për rolin?

- Reagimet kanë qenë të ndryshme. Ka patur nga ata shikues që e kanë gjetur veten në situatat që unë kam treguar aty, ndërsa të tjerë thjesht e kanë ndjekur si diçka normale. Në përgjithësi kam patur komente të mira.Sigurisht që nuk kanë munguar as komentet negative nga njerëzit, por kanë qenë të pakta dhe të mirëkuptuara.

- Nata është ajo që na ndjell shpeshherë për të dalë. Ndodh e njëjta gjë edhe me ty?

- Nëse bëhet fjalë për jetën e natës, më duhet të them se i kam marrëdhëniet shumë të këqija.

- Është si marrëdhënia vjehrrë-nuse (qesh). Nuk më pëlqen të dal natën, përjashto kur mund të dal për të parë një shfaqje teatrale apo rrallëherë ndonjë ndeshje futbolli.

- Përveç batutave në rol, sa i prirur je për të hedhur batuta edhe në tavolinë?

- Batutat në tavolinë jam i prirur t’i hedh vetëm me njerëz pasi jam i prirur të hedh vetëm batuta ngacmuese. Por nuk di të them ku jam më i zoti, në letër apo në tavolinë. - Je tip romantik? - Për fat të keq apo të mirë nuk kam patur akoma një rast ku të provoj sa romantik jam (qesh), por them se jam goxha romantik.

- Ke një lloj mirësie ti daja... Si je në të vërtetë, apo nuk e njeh mirë veten?

- Sigurisht që veten e njoh shumë mirë, por nuk di ç’të them për sa i përket vetes time. Thjesht di të them se përpiqem të jem sa më pozitiv dhe sa më i mirë ndaj njerëzve.

- Një çun i mirë e pi cigaren me të dredhur?

- Një çun i mirë nuk e provon cigaren asnjëherë, ashtu si unë (qesh).

- Të bën për të qeshur vetja jote?

- Vetja më bën për të qeshur atëherë që nuk arrij dot të bëj publikun për të qeshur.

-Nëse ke telekomandën në dorë, ç’spektakël komik zgjedh?

- Përveç Portokallisë, mendoj se do shikoja Apartamentin 2XL.

- Cilat janë ngjarjet që kanë shenjuar jetën tënde e të kanë bërë këtë që je sot?

- Ngjarja që më ka dhënë sigurinë se mund të arrija atë çmimit si “Aktori më i mirë”, që e kam përmendur dhe më lart.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.