Si u lidha me nje rome

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Unë që po ju shkruaj jam një zotëri rreth të gjashtëdhjetave. Historia kur unë isha vetëm njëzetë vjeç. Isha një djalë i lindur dhe i rritur në fshat. Me shumë mundime arrita studimeve për mësuesi në qytetin e Elbasanit. Sikur të mund t’ua shpjegoja se në ç’vend ndodhet fshati im, do më jepnit të drejtë për këtë histori. Për të bërë shkollën na duhej të ecnim të paktën tre ore në këmbë, sepse rrugë automobilistike nuk kishte që të shkonim në fshatin ku bënim mësim. Në këtë mënyrë, ditën që unë ika nga fshati për të vazhduar shkollën, thashë me vete, “mos ia pafsha më sytë fshatit tim”.

Në qytet jeta të dukej më e lehtë dhe ti doje që të mos largoheshe asnjë moment nga ai vend. Unë vazhdoja për mësuesi në cikël të ulët dhe e dija shumë mirë se çfarë e ardhme më priste në atë kohë. Fshati im ishte lule, para fshatrave tek kohë çfarë nuk sillja nëpër mend që si e si të qëndroja në qytet.

Të lidheshe me një vajzë nga qyteti ishte e pamundur sepse ato as sytë nuk na hidhnin ne konviktorëve.

Por një ditë më ndodhi diçka e çuditshme që edhe sot nuk di ta shpjegoj, nëse ishte Zoti që e krijoi atë situatë, apo ndoshta ishte fati.

Ishte mëngjes dhe unë vrapoja për të kapur orën e parë të leksionit sepse isha me vonesë. Vura re se korridori i konviktit ishte njomur sepse dy punonjëset sanitare po bënin pastrimin. Nga shpejtësia me të cilën po ecja më rrëshqet këmba dhe veten e gjej të shtrirë përtokë. Nuk e kuptova se çfarë më ndodhi, vetëm kur pashë dorën e njërës prej sanitareve që e drejtoi drejt meje për të më ngritur. Ishte një vajzë që mund të ishte rreth të tridhjetave, nga ngjyra e lëkurës dukej ishte me prejardhje rome. I drejtoj dorën dhe i them :

-Do të më pëlqente të rrezohesha çdo ditë, nëse një vajzë si ti do të më ndihmonte për t’u ngritur.

Mesa kuptove fjalët e mia kishin bërë punën e vet dhe ajo duke qeshur ma ktheu :

-Herës tjetër do të të shtyj vetë dhe kushedi se ku mund ta gjesh veten.

U prezantuam, ajo quhej E….edhe pse më e madhe se mua shikimi i saj më goditi, ajo ishte një vajzë me shumë humor, gjithmonë që më shikonte rrugës qeshte dhe me thoshte të bëja kujdes kur ecja. Ashtu si pa kuptuar - doja për të.

Në fakt gjithmonë i lidhja gjërat me qëllimin që i kisha vënë vetes. e saj. Ajo kishte qenë e martuar dhe i shoqi kishte vdekur në një aksident që i kishte ndodhur në uzinën ku ai punonte. Mbas këtij aksidenti, ajo ishte zonjë shtëpie dhe rriste e vetme dy fëmijët e saj të mbetur pa baba. Ajo jetonte në një apartament bashkë më të dy fëmijët. Kaq, më mjaftonte që unë të mendoja një lidhje me të. Përveç të tjerave ajo ishte e bukur, por mbi të gjitha kishte një shpirt të mirë. Iu futa punës që unë të lija një shije të mirë te ajo, por mbi të gjitha, doja që unë interesohesha për të. E përshëndesja çdo mëngjes, shpeshherë kur nuk kisha leksione, e ndihmoja, për të ngritur kovën më ujë që ajo pastronte. Ndonjëherë herë i jepja ndonjë këmishë që ajo të ma hekuroste në shtëpinë e saj. U futëm në një shoqëri të sinqertë, ajo asnjëherë nuk më shikonte me atë sy që e shikoja unë. Sepse qëllimi i jetës së saj ishte të rriste fëmijët dhe kaq. Por ajo nuk e çonte as në mendje se unë e doja. Diferenca e moshës dhe origjina jonë bënte që ajo ta quante të pamundur një lidhje midis nesh. Kishim pothuajse dy vite që njiheshim, por nuk kisha mundur t’i thoja asnjë gjë, nuk doja që ajo të më refuzonte. Doja që ajo të më kuptonte se unë ndjeja për të, isha gati t’i pranoja fëmijët edhe origjinën e saj, vetëm në fshat të mos të kthehesha më.

Një ditë teksa ajo po pastronte korridorin afër dhomës time e përshëndeta dhe meqenëse isha vetëm i thashë se kisha një bisedë serioze me të. I them se kisha dy vjet që unë mendoja dhe ndjeja për të, që nga dita që na ndodhi incidenti në korridorin e konviktit. Ajo u shtang nga kjo bisedë dhe u ndje e ofenduar, mendoi se po tallesha, por e kapa butësisht nga dora dhe i them se çdo fjalë e imja ishte e sinqertë. M’u desh shumë kohë që ajo të besonte se unë e doja vërtet. Në fund të vitit të katërt ajo pranoi që të dhe fëmijët e saj, ndërkohë dhe unë me prindërit e mi. Kjo ishte lufta më e madhe për t’iu mbushur mendjen prindërve të të dy palëve. Asnjë nuk e besonte se kishte dashuri midis nesh. Prindërit e E… nuk pranonin ata mendonin se ishte një tallje nga ana ime dhe se lidhja jonë nuk do të funksiononte. Familja ime akoma më keq. Ata nuk do të më pranonin në shtëpi nëse unë martohesha me E…. . I vriste opinioni dhe kështu ndodhi.

Historia ime me E… mundesha të kthehesha më mbrapa, nuk doja që ta lëndoja atë. Kështu që hodha poshtë prindërit dhe familjen time për të. Ndoshta jo për të, por për interesin që më lidhte me të. Edhe ajo të njëjtën gjë bëri, por më vonë prindërit e E… ishin rritur me frymën e qytetit dhe në një farë mënyre e pranuan lidhjen tonë. Mendova se mbas martesës, me E…. do ta kisha të lehtë jetën duke u integruar në qytet. Por politikat e asaj kohe, nuk të lejonin, madje, e kishin parë me dyshim lidhjen time me E… dhe kështu bënë që unë të kalojë një provë të vështir. Për tre vite me radhë punova në një fshat të Elbasanit. Dhe vetëm në fundjavë takohesha me E… . Prindërit më mungonin shumë. Mbas dy vitesh u bëra me një vajzë dhe ajo është drita e syve të mi. Zoti më bekoi në momentin kur unë kisha më shumë nevojë për të.

Vitet kaluan, vajza rritej dhe me prindërit nuk pata më asnjë lloj komunikimi. Familja ime më kishte mohuar. Sot prindërit e mi kanë vdekur, por ata më lanë një mallkim, dhe që unë mos ta gëzojë dashurinë e vajzës time.

Vdekjen e babait bëra si bëra e kapërceva, por vdekjen e nënës nuk munda, ndoshta sepse edhe mosha u thye dhe unë kisha kuptuar se çfarë ishte dhembja për fëmijën. Në atë kohë kapërceva një krizë nervore, një stres të paparë.

Dhe një ditë me bashkëshorten time u zumë shumë keq me fjalë sa që unë për herë të parë në nerva e sipër i thashë arsyen se pse isha martuar me të. Për fatin tim të keq aty u ndodh edhe vajza dhe prej asaj dite ato u larguan dhe nuk janë kthyer më në shtëpi. Fëmijët e E… që pati në martesën e parë, jetojnë në Itali dhe kam dëgjuar se edhe vajza ime bashkë me të ëmën do shkojnë atje.

Kam bërë përpjekjet maksimale që të bashkohem me to, por është e pamundur. Fjala ime i ka vrarë shumë në shpirt aq sa plagët e tyre i ndjej edhe unë. Sot po e kuptoj dhembjen e prindërve të mi për të më parë sytë e ballit. Dhembjen qe kishte babi me mamin për mua ishte aq e madhe saqë lëngimet e tyre po i ndjej edhe unë sot. Këtu merr vlerë shprehja, «Çfarë ke bërë, do të ta bëjnë!» .

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.