Claydee: Kjo verë “do të këndojë” shqip

Intervista - - MUZIKË -

E kush nuk e njeh atë? Klejdi Lupa apo i njohur në arenën ndërkombëtare si Claydee, sa herë që publikon një projekt të ri, duket se ka bërë një kontratë të pathyeshme me suksesin. Bashkëpunimet e tij janë hite në të gjithë botën dhe renditet mes emrave që ngrenë lart emrin e Shqipërisë. Ai tashmë është baba i një djali të vogël dhe thotë që në zgjedhjet e djalit nuk do ndërhyjë asnjëherë, sido të jenë ato. Më shumë na

Fabjola Kuburi:- Claydee apo Klejdi, si të të drejtohem në këtë intervistë? Claydee(Klejdi Lupa):- Emri im është Klejdi por që ta thonë saktë jashtë shtetit, shkruhet Claydee.(Buzëqesh) -Meqë në art njihesh si Claydee, kështu po e realizojmë. Produksioni yt i fundit “Licky” është goxha i suksesshëm, ashtu si edhe të gjitha produksionet e tjera. Çfarë të bën ty kaq të suksesshëm?

-Mundohem që çdo gjë që bëj njerëzve që kam afër. Kur e publikoj, gëzohem shumë kur shoh që dhe njerëzit e shpërndajnë dhe e pëlqejnë. Sidomos kur i shoh teksa e këndojnë! Besoj se fansat janë ata që i bëjnë këngët e mia të njohura dhe hite.

-Ndërkohë mbetet e jashtëzakonshme kënga jote “Mamasita buena”, me një shikueshmëri prej 63 milionë shikimesh në YouTube. Si shpjegohet që ende sot pas 5 vitesh kjo këngë dëgjohet, këndohet edhe kërcehet si ditën e parë që u lançua? -Kjo vlen për disa vende të Ballkanit, pasi një këngë tjetër që e ka kaluar atë është “Hey Ma”, me më tepër klikime dhe hit shumë i madh në vende të tjera. Në Poloni p.sh. është hit kënga “Sexy Papi”. Çdo vit ndodh e njëjta gjë. Në Shqipëri ka ndodhur me “Mamasita Buena”. Ajo që unë kuptoj dhe më bën të lumtur kur mbaroj një këngë, është që nuk mendoj më a do i pëlqejë publikut, sepse deri tani kur kam publikuar një këngë, ka ecur shumë mirë dhe është bërë hit të paktën në një shtet

-Ti i je mirënjohës kësaj kënge për emrin që të dha në mbarë botën? - Kjo këngë më bëri të njohur si këngëtar, por si producent dhe kompozitor më bëri kënga “Last Summer” nga Nicko.

- Sapo ishe në Shqipëri si i ftuar në “Miss Universe Albania”. Si ishte kjo eksperiencë në vendlindjen tënde?

- Më pëlqen kur vij në Shqipëri, sepse aty kam lindur dhe është një energji tjetër për mua. Ika shumë i vogël, gati 4 vjeç, por kur më thërrasin, gjithmonë me zgjodhet një dëshirë e mirë dhe më lind buzëqeshje kur dëgjoj që është kërkesë nga Shqipëria. Edhe kjo eksperiencë ishte e këndshme për mua!

- E viziton shpesh Shqipërinë? Cilat vende të pëlqen të vizitosh që ende nuk ke arritur t’i vizitosh?

- Të them të vërtetën, më shumë vij në Tiranë dhe kur kam kohë rri një ditë më shumë që të takoj njerëz nga familja.

- Ke tashmë një famë botërore. Doja të të pyesja, të ka ndryshuar kjo gjë si njeri, dhe beson se fama mund të ndryshojë karakterin e një njeriu?

- Fama të ndryshon shumë kur nuk i ke gjërat mirë me veten tënde. Dua të them që kur nuk ke pasur kohë të kesh eksperiencë në jetë dhe të njohësh mirë se kush je, vjen një moment që bëhesh i njohur! Mund të të trondisë shumë dhe kujton se je njeri tjetër, ose mund të dalë karakteri që ke me të vërtetë. Tani, nëse ajo gjë largon ose i afron njerëzit, kjo ka të bëjë me faktin nëse ata i ke pranë apo jo. Tek mua nuk ka ndryshuar asgjë, përveç arkës së kursimit. Të them të vërtetën, kam rreth 2-3 vite që dua të shoh botën, dhe investoj shumë që ta realizoj.

- Ajo që më bëri përshtyp- je ishte se kur të ftova për këtë intervistë, u përgjigje me shumë mirësjellje, pranove ftesën, madje edhe më falendërove, dhe unë e vlerësoj shumë. Ti ke një sukses botëror, renditesh mes emrave më të njohur në botë dhe je gjithmonë i gatshëm për mediat, ndërkohë që ka personazhe që janë në hapat e tyre të para dhe kanë një arrogancë dhe delir mjaft të theksuar ndaj medias. Si shpjegohet ky disnivel kaq i madh në komunikim me personazhe të shoë-biz shqiptar dhe atij botëror?

- Ka të bëjë me karakterin. Puna jote ka të bëjë me median dhe njerëz që komunikojnë projektet tona. Nga momenti që nuk duan të japin informacione për veten e tyre dhe punët që bëjnë, është sikur nuk kanë respekt për njerëzit apo fansat që duan t’i njohin më mirë artistët.

- Claydee, ke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës greke e botërore si Sakis Rouvas Eleni Foureira, Lexy Panterra dhe Jenn Morel. A mban kontakte edhe pas bashkëpunimeve? Takoheni në koncerte apo evente të ndryshme, për muzikën?

- Po, kam shumë kontakte, sepse muzika i afron njerëzit. Me artistët që kam më shumë marrëdhënie janë ata që jetojnë në SHBA

- A do ketë një bashkëpunim të dytë me ndonjë nga emrat që sipërpërmenda?

- Mua më pëlqen të bëj gjithmonë gjëra të reja, por nëse shkoj tek një artist që kemi bashkëpunuar më parë, është më e lehtë

- Ka shumë shqiptarë që sot renditen krah emrave më të njohur botëror, mes tyre edhe ti. Ndihesh mirë që Shqipëria tashmë po mbahet si një nga vendet që prodhon talente botërore?

- Po, dhe jam shumë krenar, sepse jemi vend i vogël me personazhe që i njeh gjithë bota.

- Ti je baba i një djali të vogël, që më lejo të të them se është shumë femijë i bukur. Si është Claydee si baba, i rreptë apo tolerant?

- Jam një baba që dua të kaloj sa më shumë kohë me djalin, të shijoj këto vitet e para, sepse do vijë një moment që do marrë jetën në duar dhe s’do kem mundësi ta kem kaq shumë afër.

- Djali, do doje të merrej me muzikë në të ardhmen apo do ta lësh të zgjedhë vetë çfarë do të bëhet?

- Do ta ndihmoj në çdo gjë që do zgjedhë. Jeta është e tij. Unë për jetën time e zgjodha vetë me çfarë doja të merresha. Ajo gjë që e bën të lumtur, besoj se do më bëjë dhe mua.

- Është folur shumë për faktin që ti nuk e ke mohuar kurrë origjinën tënde, dhe kjo është diçka qe të nderon jashtëzakonisht ty dhe sigurisht ne. Duke mos dashur të bëhem përsëritëse, ajo që dua të pyes tënde, të kaloi ndonjëherë nëpër mend se origjina jote do ishte pengesë për suksesin tënd?

- Po, më kaloi dhe besoj që jo sepse mund të isha i huaj, por sepse duhet të punoja më shumë. Ajo gjë më ndihmoi akoma më tepër që të bëhesha më i mirë, dhe erdhi momenti që puna ime i ka nivel ndërkombëtar. Thashë të vërtetën dhe ajo gjë më ndihmoi shumë tani që e shoh si u realizuan shumë gjëra

- Besoj se e ndjek muzikën shqiptare. Si të duket ajo në atë që është?

- Besoj se mund të ecë akoma më shumë, sepse ka shumë talente.

- Do doje t’i përcillje një mesazh të gjithë artistëve shqiptarë që tani hedhin hapat e para në muzikë?

- Të punojnë shumë dhe kur të vijë momenti që nuk e beson njeri që ata kanë realizuar këngën, atëherë të jenë gati ta publikojnë në Internet. Fillimi ka të bëjë shumë! Gjithashtu, të mos jenë të ngjashëm me artistët e tjerë

- Çfarë ka gati Claydee për këtë verë?

- Këtë verë do bëjmë një turne dhe pastaj do mbaroj albumin që dua të publikoj. Do publikoj më shumë muzikë, sepse kam aq shumë këngë të pambaruara por nuk kisha kohë nga evenimentet dhe udhëtimet që t’i përfundoja

- Po në shqip kur do na sjellësh diçka të bukur, një këngë dhe një klip të bukur për veshët dhe sytë?

- Kemi “gatuar” një gjë me artistë shumë të njohur. Besoj se brenda verës do ta publikojmë! Kjo verë do këndojë shqip.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.