EMOCIONET PARA DASMËS MË TË FORTA SE ATO TË SKENËS

Living - - KOPERTINË -

“Nuk di se ç’më zuri me gjithë këto emocione”, - tregon Orinda. Të paktën një muaj të tërë para ditës së madhe, ajo ka jetuar si mbi re. Jo vetëm prej entuziazmit të një gëzimi që po manifestohej në të gjithë dimensionet e mundshme, por edhe prej frikës nëse gjithçka do të shkonte si duhej. Të gjitha këto ndjenja, të përziera së bashku, shkaktuan një lloj bllokimi për të. Nëse përmes programit të saj “Fustani i ëndrrave”, transmetuar në platformën Tring dhe në Vizion Plus, ajo ka qenë “udhëzuesja” e shumë vajzave drejt fustanit të ëndrrave, për zgjedhjen e saj po gjendej gati e bllokuar prej emocioneve. Por gjithë kjo ngarkesë e ka një derivat. “Janë 10 vite të kaluara bashkë, - ndan Orinda për “Living”. - Më 9 mars, mbushëm plot një dekadë që rrimë pranë njëri-tjetrit. Duke menduar se si kaluan këto dhjetë vite, se si ka shkuar jeta jonë, ka pasur sigurisht ulje- ngritjet e veta, por ka qenë shumë e bukur... E gjithë kjo po finalizohet me një festë të madhe, ashtu siç të paktën unë kam dashur. Gjithmonë kam qenë vajza që e kam pasur ëndërr të vishja fustanin e bardhë. Nuk mund ta shmangja kurrsesi këtë moment. Si në bregdet, me pesë familjarë, si në një festë të madhe, unë do ta vishja se s’bën fustanin më të bukur në botë. Edhe me dhjetë veta sikur ta bëja ceremoninë, e di që njësoj do të emocionohesha, sepse gjithçka është tek ne të dy, nuk ka lidhje me pjesën tjetër. Sigurisht që ndikon edhe gëzimi për familjarët, por gëzimi ynë është mbi gjithçka. Fakti që ne jemi bindur për të mbërritur deri këtu dhe nuk ka më dyshime, e nuk ka pasur për asnjë moment, na e ka shtuar edhe më shumë emocionin. Është një emocion shumë i bukur, por nga ana tjetër, nuk i shmanga dot ëndrrat e çdo nate që shihja sikur bëhej dasma dhe dështonte”, - përfundon rrëfimin e saj Orinda.

“Orinda u mek nga emocionet, - rrëfen Turi. - Duke qenë se ajo ka bërë dhe emisionin, me Geraldinën, mendova që do të ishte më e stërvitur se unë. Pra, ajo do të ishte ‘shefi’ dhe unë ‘nusja e bukur’. Ndodhi e kundërta. U mora unë me gjithçka. Edhe pse stafi që zgjodhëm përbëhej nga profesionistë, përsëri kërkonin një lloj miratimi prej nesh. Më takoi mua që, si të thuash t’u jepja drejtim gjërave. Sa më shumë afronte data, aq më shumë më pushtonte ankthi dhe mua. Kjo më shumë nga preokupimi i njerëzve që më rrethonin. Ama edhe e kam shijuar shumë gjithë përgatitjen e ceremonisë.”

Emocionet e bukura Turit i filluan që te sfilata e “Geraldina Sposa”-s, 1 qershorin e këtij viti, ku Orinda nuk ishte pjesë e sfilatës. “Sa herë që ajo ka dalë nuse në sfilatë, nuk kam shkuar për ta parë. Por, kur shkova këtë herë që ajo nuk ishte, e përfytyrova një çast me fustanin e bardhë dhe u emocionova, - tregon Turi. - Një motiv tjetër që më jepte emocione para dasmës, ishte ai i familjeve. Motra e Orindës ishte shumë e përfshirë. A thua se po martohej ajo e jo ne. Kishte filluar të shqetësohej që para dy vitesh për unazën, për fustanin, për ceremoninë. Nga ana tjetër, mamin tim, dy javë para dasmës, e kapën keq emocionet. Unë jam djali i madh dhe duke qenë se nuk e kemi as babin dhe është martesa e parë në fisin e mamit nga nipat dhe mbesat, festa pritej me shumë gëzim. Të gjitha këto emocione më pushtuan edhe mua, duke më dhënë një lloj bllokimi. Pashë që nuk isha aq kreativ sa jam në punën time. Kjo ishte një gjë që nuk e prisja, sepse në fillim nuk e mendova fare se do të kisha emocione”, - përfundon Turi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.