Gjimnastikë e ëmbël

SPITALI AMERIKAN OFRON FIZIOTERAPI NË GRUP, PËR MOSHËN E TRETË

Living - - KOPERTINË -

Ndodh shpesh që, për shkaqe të ndryshme, përballemi me probleme të kockave, shqetësime reumatologjike, probleme neurologjike, dëmtime për shkak të aktiviteteve fizike, e sa e sa probleme të tjera, të cilat mund të lindin papritur. Për të gjitha këto, ju sugjerojmë një zgjidhje:

Në Spitalin Amerikan në Tiranë, përpos të gjitha shërbimeve të tjera, gjendet edhe reparti i fizioterapisë, një prej më të mirëve sot për sot, dhe jo vetëm në vend. Me standarde dhe mjekë të kualifikuar, mund të trajtoni dhe të parandaloni probleme të aparatit muskulor-skeletik, të lindura ose të fituara gjatë jetës, probleme me karakter ortopedik, neurologjik, reumatologjik, etj, duke përdorur terapitë fizike, teknikat, manualet dhe protokollet e rehabilitimit që nevojiten për të rikuperuar funksionin e tyre dhe mirëqenien fizike të pacientit.

Një shprehje e vjetër thotë: “Trup i shëndoshë, në mendje të shëndoshë”, ndaj është shumë e rëndësishme që, për çfarëdolloj problemi fizik, të gjejmë zgjidhjen e duhur.

Prej disa muajsh, në shërbimin e fizioterapisë pranë Spitalit Amerikan 3, stafit mjekësor i është bashkuar edhe mjeku italian, Massimiliano Capuano, fizioterapist prej tashmë 20 vjetësh. Ndërsa na fton të vizitojmë mjediset e shërbimit, për të cilat duhet të themi se kanë një standard të lartë, mjeku na tregon se, këtë verë, gjithkush mund të përfitojë dy seanca falas. Një ofertë, e cila përfshin trajtime për problemet ortopedike, neurologjike ose edhe thjesht masazhe. Nëse zgjidhni të kryeni 10 seanca trajtimi fizioterapeurik, dy të tjera do t’i përfitoni falas.

“Ne kemi në dispozicion pajisjet më të mira për të trajtuar pacientët, midis të cilave, Tekar terapi, që është një pajisje elektro-mjekësore, e cila në dallim nga pajisjet e tjera, përdor radiofrekuencën dhe valët e gjata 0,5 Mhz (50000hz) nëpërmjet të cilave transmetohet një nxehtësi që rritet në thellësi të indit të dëmtuar. Dhe jo vetëm kaq: ne i japim shumë rëndësi trajtimit me anë të terapisë manuale, shpjegon mjeku italian. - Sigurisht që është më e lodhshme, por jep rezultate më të mira. Pra, i kombinojmë të dyja metodat: më pak me pajisje dhe më shumë me duar. Kështu, trajtojmë probleme ortopedike, dhimbje shpine, shatelgji, cervikalgji; probleme neurologjike, si: iktus, sklerozë, parkinson; probleme reumatologjike, si: artrozë; probleme traumatike postoperatore, si: frakturë e këmbës, e shpatullës, etj.”

Reparti i shërbimit të fizioterapisë pranë Spitalit Amerikan 3, këtë verë, vjen me një risi tjetër. Për herë të parë, këtu do të organizohen seanca terapie në grup, për personat e moshës së tretë. Mund të përfshihen edhe 70-80-vjeçarë, të cilët duan të trajtojnë probleme të kolonës, cervikales, lombares, për të pasur një formë fizike të përgjithshme më të mirë. “Ne propozojmë që këta persona, të bëjnë 3 seanca të tilla në javë, me një kosto minimale, për një shëndet më të mirë, - thotë mjeku Massimiliano Capuano. – Gjimnastika është e dobishme në çdo moshë, kështu që ne duam të ftojmë njerëz të një moshe të caktuar, që të marrin pjesë në këtë aktivitet fizik, të cilin e quajmë “gjimnastikë e ëmbël”. Është një lloj fizkulture, me ushtrime jo shumë të lodhshme, por dua të theksoj se, kjo shmang dëmtime të tjera, në mënyrë që gjendja e personit të mos përkeqësohet. Nga ana tjetër, fizioterapia në grup që do të ofrojmë, ndihmon në socializmin e këtyre personave e rrjedhimisht, edhe në mirëqenien e tyre mendore,”- përfundon mjeku.

Mjeku tjetër i këtij reparti, fizioterapisti Ilir Binjaku, na tregon për morinë e rasteve që trajtojnë çdo ditë me sukses. Mes tyre, jo më larg se vetëm para një jave, mjekët kanë marrë përsipër një vajzë 15-vjeçare, e cila vuan nga një skoliozë 40 gradëshe, një deformim i rëndë i shtyllës kurrizore. “Në këtë rast, sugjerohet operacioni, - shpjegon mjeku Binjaku, - por ne do të provojmë ta shmangim. Vajza ka një javë që ka nisur terapinë dhe ka filluar të ketë përmirësime, por duhet akoma shumë punë. Ka bërë terapi edhe më parë në klinika të tjera, por nuk i kanë dhënë rezultat. Shpresojmë të arrijmë atë që duhet”. Për vajzën në fjalë, doktor Iliri po punon me një teknikë të veçantë, e cila quhet “ushtrime asimetrike”, ndërsa mjeku italian po punon për rehabilitimin postural. “Është një sfidë për ne. Ndoshta është akoma herët, por pas javës së parë kemi vënë re përmirësime. Vajza nuk ka më dhimbje dhe kjo na mbush me shpresë”, - përfundojnë dy mjekët fizioterapistë pranë Spitalit Amerikan.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.