KLUBI i VAJZAVE KALORËSE

JO SHUMË LARG KRYEQYTETIT, POR MJAFTUESHËM LARG GRACKËS SË MONOTONISË, GJASHTË VAJZA KANË KRIJUAR NJË KLUB. PËR T’I BASHKUAR ATO, NUK U DESH AS MË PAK E AS MË SHUMË SESA PASIONI E DASHURIA PËR KUAJT. VESHUR ME ÇIZMET KARAKTERISTIKE TË KALËRIMIT, PANTALLON

Living - - SPORT -

Hingëllimat dhe trokitjet e patkonjve dëgjohen prej së largu. Instruktor Gazin dhe vajzat i gjejmë në stallë, duke përgatitur kuajt për stërvitje. Për ta, është një ditë e zakonshme, ndaj prania jonë nuk ka pse ua prish rutinën. As kuajt nuk duken të shqetësuar, për sa kohë që kanë pranë vajzat. Pasi kanë marrë dozën e ledhatimeve, dalin me radhë nga bokset për t’u pastruar, ushqyer e shaluar nga kalorëset e vogla. Duket se parapërgatitja u merr vajzave më shumë kohë, sesa stërvitja, e cila nuk i kalon 30 minuta këto ditë të nxehta vere. Mjafton të shohësh se sa të lidhura janë ato me kuajt, për të kuptuar se hipizmi nuk përfshin vetëm kalërimin në pistë apo kudo qoftë, por dhe kohën gjatë së cilës kalorësi i bën të gjitha shërbimet kalit. “Ky është pikërisht momenti, aq i rëndësishëm, kur kafsha fisnike fiton besimin e kalorësit, për të lidhur më pas një miqësi të fortë. Është pasioni ai që bën të mundur gjithçka në këtë sport. Fitimi i besimit të plotë është pika kulmore e marrëdhënies së kalorësit me kalin”, - thotë instruktor Gazi. Të gjitha vajzat e kanë ditur mirë se kjo ishte mënyra e vetme për t’u njohur dhe afruar me kuajt, ndaj asnjëra nuk ka ngurruar të bëjë gjithfarë punësh, nga ato që moshataret e tyre as nuk i imagjinojnë. VEÇ STËRVITJES NË PISTË, instruktori organizon bashkë me vajzat piknikë në natyrë, rreth resortit e kodrinave të fshatit Mullet, ku për 3-4 orë shëtisin kuajt, kalërojnë dhe i ushqejnë me mollë, karota e karamele. Në fundjavë, ndodh që vajzat ta kalojnë gjithë ditën në stallë e në pistë dhe në mbrëmje, të mos kenë aspak dëshirë të largohen. Profesori kujton shumë raste të tilla, duke qeshur me vajzat, por më mirë se ai nuk do të mundej t’i kuptonte askush. Vetë ai, dikur ka qenë një fëmijë çapkën që kalëronte gjithë ditën. Vetëm me kalimin

e viteve, do të kuptonte se hipizmi do të shndërrohej në profesionin dhe vetë jetën e tij. Fill pas rithemelimit të Federatës Shqiptare të Sporteve me Kuaj, në vitin 1993, instruktor Gazi do të regjistrohej si kalorës, do të nderohej me titullin “Kalorës Profesionist” e, prej 5 vitesh, do të drejtonte një shkollë kalërimi, duke mësuar 36 fëmijë, nga mosha 8 deri në 16 vjeç.

KY SPORT DUKET SE PO PËRHAPET GJITHNJË E MË TEPËR

dhe interesimi sa vjen e rritet, ndonëse jo me ritmet që do të donte instruktor Gazi e kolegët e tij. Si çdo sport tjetër, edhe hipizmi ka vështirësitë e tij e, ndër të parat që profesori përmend, lidhet me aspektin financiar. Të marrësh mësime kalërimi e të kujdesesh për një kalë, ka një kosto paksa më të lartë sesa sportet e tjera, sepse ke të bësh me një qenie të gjallë që ka nevoja. “Nëse nuk keni kohë për kuajt, nuk mund të merreni me këtë sport! - shton ai. - Në ndryshim nga aktivitet e tjera fizike, kali kërkon vëmendjen, dashurinë dhe kohën tuaj sikur të ishte një mik i shtrenjtë.”

Në qendër, numërohen rreth 17 kuaj e vajzat na drejtojnë drejt një boksi ku në një pllakatë metalike, shkruhet emri

Panto, që është një kalë i racës Holsteiner.

Ai është kali më i vjetër në stallë, një 20-vjeçar tejet i mbajtur, që nuk e tregon aspak moshën, duke marrë parasysh se Panto, në botën e njerëzve, do të ishte plot 60 vjeç. Cora, mëzja e lindur në stallë në prill të këtij viti, hingëllin me kryeneçësi duke kërkuar vëmendjen tonë, pasi prej 3 muajsh, është e përkëdhelura e vajzave. Nga një stallë kuajsh, kjo e fundit shndërrohet në një koshere bletësh ku vajzat njëzëri duan të na prezantojnë me kuajt e tyre, ndaj nuk kemi ç’presim për t’ju treguar gjithçka rreth klubit të kalorëseve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.