KUR DASHURITË E MËDHA NGJITEN NË ALTAR

NJË DITË E RE PO ZGJOHET E BASHKË ME TË, NJË DASHURI ...

Living - - KOPERTINË -

Shpesh ndodh të tregojmë përralla për t’u magjepsur, por magjepsja që na krijoi dasma e Orinda Hutës dhe Turjan Hyskajt, nuk ka të krahasuar me asnjë përrallë. Përrallor ishte fillimi i kësaj dasme, të cilën çifti e nisi me një kërcim mbi re, përrallore ishte edhe atmosfera e krijuar me pyllin magjik. Efekti i natyrës së hapur, i ndërthurur me shkëlqimin e dritave xixëllonjë mbi tavolinat e qelqta, të fusnin në atmosferën e një nate vere shekspiriane. Sipërfaqja asimetrike e lëndinës së hapur, të rrethuar nga pemët, lumi, shkëmbinjtë dhe kodrinat e Petrelës përreth, lahej nga e arta e ngjyrës së hënës, efekt të cilin e krijonin detajet e dekorit të bazamentit të tryezave, karriget dhe servisi i pjatave. Pemët, të ndërtuara me degë qershie, që lartoheshin mbi tryezat e të ftuarve, gjithashtu lyer në të artë, ishin një detaj tjetër shumë i veçantë dekori. Por, prekja më magjepsëse e këtij ambienti romantik, ishte stehëza e Orindës dhe Turit. Ajo ishte një kupolë gjigante, që zinte vend përballë skenës së improvizuar në anën e përtejme të lëndinës, skeleti i së cilës thurej me lule e trëndafila shumëngjyrësh. Ndërsa poshtë, deri në afërsi të kokave të tyre, qëndronin varur drita të arta, të cilat i jepnin ambientit një atmosferë magjike. Ishte “Geraldina Sposa”, ajo që konceptoi dhe realizoi çdo detaj të mjedisit ku u zhvillua dasma. Ndërsa për ndriçimin, foninë dhe efektet speciale, u kujdes Florind Tenolli nga ASlV. “Folëm paraprakisht me Orindën dhe Turin e sugjeruam që dasma të bëhej në natyrë,- tregon Armand Peza, administrator i ‘Geraldina Sposa’. - Na lindi ideja e krijimit të një pylli magjik dhe unë aty mora ngacmimin më të madh. M’u kujtua menjëherë ‘Ëndrra e një nate vere’. Për mua nuk ka një pyll më të magjepsur se kaq. Kemi tri ditë që punojmë për të realizuar dekorin.”

Ishin lotët e gëzimit dhe emocioneve të bukura, ato që i shoqëruan të dy gjatë momenteve të altarit, kur Orinda dhe Turi bënë betimet e përjetshme. Ata i vunë kurorë dashurisë së tyre 10-vjeçare, përmes një ceremonie shumë romantike, e cila ishte paraprita e mbrëmjes,

që do të mbahet mend gjatë, jo vetëm nga çifti. Ndërsa, altari ishte edhe momenti më i rezervuar i të gjithë ditës së dasmës, të cilin të rinjtë preferuan ta ndanin vetëm me familjet dhe miqtë e ngushtë. Si një rrugëtim betimesh e premtimesh, ishte dekoruar gjithë rrugica që të çonte drejt vendit ku çifti bëri betimin para Zotit. Anash tapetit të bardhë, ngriheshin tabelina me fotot e Orindës dhe Turit, ku nga pas lexoje rreshta këngësh e poezish domethënëse për historinë e tyre të dashurisë. Pas magjepsjes së petaleve të bardha, hapej altari i vendosur sigurisht edhe ai në natyrë. Dashuria e madhe e mbrujtur për njëri-tjetrin në 10 vite, së bashku me besimin në Zot që ndajnë të dy, zuri vend midis karrigeve të qelqta mbuluar me dantellë të bardhë. Turjani qëndroi për pak minuta duke pritur me shumë emocion dashurinë e jetës së tij. Ai kishte veshur një kostum të stilistit italian Carlo Piatelli, i cili, siç tregon edhe Armand Peza nga “Geraldina Sposa”, ishte një zgjedhje sa shik aq edhe rinore, çka qëndronte brenda natyrës së Turit, që nuk i ka shumë qejf kostumet dhe kravatat.

Nuk vonoi të vinte në altar Orinda, e cila rrëshqiste drejt tij si një krijesë drite, nën magjinë që i krijonte fustani dhe velloja e bardhë. Fustani i nuses ishte kryemagjia e atmosferës. Ai është krijuar nga stilisti francez Herve’ Moreau dhe është një punim i gjithi i qëndisur me dorë. Për të, është përdorur materiali i dantellës, i cili edhe ai sigurisht që është marrë në Francë. Sikurse për gjithë arredimin dhe organizimin e eventit, edhe për fustanin e Orindës u kujdes “Geraldina Sposa”. Ndërsa “pluhuri magjik” i nurit që mori Orinda, u derdh nën vellon e saj falë duarve të make up artist Eva Dibra, bashkëpunëtores dhe mikeshës së saj të vjetër. Ishte babai i Orindës, i cili ia dorëzoi Turit në altar të bijën që i magjepsi të gjithë.

“Gjithë jetën do ta kaloj duke bërë më të mirën në çdo sekondë, që sytë e tu të mos e humbasin shkëlqimin që unë e dua pa fund”, - ishte një pjesë e betimit të Turit, që e bëri Orindën të lëshohej në lot gjithë kohën. Ndërsa ajo vetë, e ndërpreu disa herë betimin e saj për shkak të lotëve që i mbysnin zërin.

“Të dua pa fund ‘tëeety’ im, të dua pa fund Turjani im”, - ishte fjalia që përmbylli betimin e saj. Ndërsa njeriu që konfirmoi këtë martesë para Zotit, ishte Eltoni, vëllai i Orindës. “Ky ka qenë çasti që kam pritur gjithmonë, rrëfen e emocionuar Orinda. - Duke qenë se im vëlla ka qenë pastor, unë doja që të na celebronte ai. Unë jam

«Por, dekori ishte vetëm korniza e dasmës më spektakolare të vitit, mbushur me momente të bukura, të qeshura, lot, dhe shumë surpriza.»

besimtare dhe doja që kjo ceremoni të kishte një lidhje me Zotin. Si unë, ashtu dhe Turi, vendosëm të na bekonte im vëlla. Në të gjitha parapërgatitjet e dasmës, altari ishte momenti që më jepte shumë emocione dhe gjithë kohës kisha frikë se do të qaja. Dhe ashtu ndodhi. Ishin emocione aq të forta e të papërshkrueshme, sa nuk mund t’i mbaja dot lotët. Tani, darkën dua ta shoh si një festë të madhe”.

Por, duhet thënë se darka që vijoi menjëherë pas altarit, ishte përtej festës. Pas vallëzimit të parë të çiftit, realizuar me efekte speciale si midis resh, atmosfera mori menjëherë zjarr dhe ritmi i festës nuk u ndal për asnjë çast. Aurela Gaçe, këngëtarja e zgjedhur e çiftit për dasmën e tyre, krijoi një situatë festive të jashtëzakonshme, çka edhe pritej nga ata të dy. Por, ajo që as Turi dhe as Orinda nuk e prisnin, ishin surprizat që u kishin përgatitur miqtë e tyre të ftuar, pjesa më e madhe personazhe të njohur të televizionit dhe “show biz”-it. Por, pati edhe nga ato personazhe, të cilët erdhën surprizë për çiftin. I pari prej tyre ishte këngëtari Kozma Dushi, i cili e nisi përshëndetjen për çiftin e sapomartuar duke kënduar: Një ditë e re po zgjohet, e bashkë me të një dashuri, nga kënga “Si zogj me cicërima” dhe më pas vijoi të këndonte këngët më të bukura të repertorit të tij. Më pas, po surprizë erdhi këngëtari Redon Makashi e më vonë edhe Aleksandër Gjoka. Por, nuk i kursyen përshëndetjet me këngë as Ermal Mamaqi, as miqtë e Turit, anëtarë të grupit “Ëest Side Family”. Madje një prej të ftuarve që rrëmbeu mikrofonin për të kënduar ishte edhe Ardit Gjebrea, i cili u shoqërua nga vajza e tij, Ana. Ana e Arditi, risollën këngën aq të dashur nga të gjithë “Kur të jesh mërzitur shumë”.

E si çdo tortë që e ka një qershi, edhe kjo dasmë e pati kulmin e vet më të bukur. Ai ishte momenti i surprizës që kishte përgatitur Turi për dashurinë e tij të madhe. Ajo ishte një këngë, vargjet e së cilës i kushtoheshin marrëdhënies së tyre speciale, që kanë ndërtuar në vite.

Janë këto disa nga vargjet e këngës, të cilat e ribënë edhe një herë Orindën të shpërthente në Lot. Por, një surprizë e dedikuar erdhi dhe për Turin, këtë herë nga miqtë e tij, anëtarët e ish-grupit “Produkt 28” (grup ku Turi ka qenë pjesë). Albani dhe Fabi, kënduan këngën e krijuar enkas për shokun e tyre që po martohej. Më pas, tre djemtë, u ngjitën në skenë dhe kënduan këngë të vjetra të repertorit të tyre.

Orinda dhe Turi i lëshuan përsëri lotët, ndërsa Aurela Gaçe u këndoi këngën e saj “Shpirti i shpirtit tim”. Të dy

e kërcyen këtë këngë të lidhur në një përqafim shumë romantik.

Me shumë hare e çaste gëzimi u përcoll kjo festë, e cila ndezi 300 të ftuarit e dasmës, pjesa më e madhe e të cilëve ishin personazhe të botës së artit, medies dhe politikës. Një prej këtyre të fundit, që e ngacmoi edhe më shumë atmosferën, ishte Erion Veliaj, i cili gjithashtu u bë pjesë e festës me kërcime e batuta.

Kjo dasmë pati shumë elegancë, spontanitet dhe që në fillim dy të rinjtë e menduan më shumë si një festë, ku të kënaqeshin të gjithë, sesa si një ceremoni tradicionale. Por nuk munguan edhe disa elemente të dasmës tradicionale, siç ishte muzika, ushqimi dhe djegia e shamisë së beqarit. “Në fillim, kam qenë kundër dasmës, - tregon Turi, por ndryshova mendim rrugës. Duhen edhe këto elemente, sepse i kemi në ADN. Jemi shqiptarë dhe mendoj se e gjithë kjo është një festë e bukur. Ne kemi zgjedhur një ditë të veçantë për ta bërë këtë. Data 27.07.2017 ka shumë 7-a dhe përveçse simbolika e 7-ve është shumë e bukur, Orinda e ka numrin

e saj të preferuar. Gjithë elementet e bërë bashkë në këtë dasmë, tregojnë që ky është një çast magjik”.

Dj. Vin Veli u kujdes që mbrëmja të kishte muzikë Old

School dhe Hip-Pop, pa të cilat Turi nuk donte që të mbyllej dasma, ndërsa diku pas mesnatës, një bar i krijuar në sfondin e pyllit, shërbente kokteje për të gjithë dasmorët. Ishin Briken Fejzullahu dhe “Remmy Style”, ata që u kujdesën ekskluzivisht për krijimin e atmosferës së kësaj feste, e cila nisi menjëherë pas ritualit tradicional të prerjes së tortës. Përtej surprizave për të cilat u kujdesën miqtë, çifti, nga ana tjetër, u kujdes që të kishte bashkëpunëtorët më të mirë për realizimin në mënyrë të përsosur të çdo detaji të dasmës, ashtu siç zgjodhën që edhe tortën ta realizonte mjeshtri Mario i “Mon Amour”. Por, përbërësi më pikant, pa të cilin dasma nuk do të kishte qenë ajo që pamë, ishin miqtë dhe dashuria që të gjithë transmetuan në këtë mbrëmje. “Sepse ne kemi miqtë më të mirë në botë”, thotë Orinda.

Me muzikë jugu, të Shqipërisë së Mesme, me rrok, xhaz, metal, balada, këngë nostalgjie të festivaleve shqiptare dhe me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarrësh, u mbyll kjo festë që celebroi një dashuri të madhe. Një dashuri, e cila sigurisht që të nesërmen nuk do ta marrë si një vazhdim të së shkuarës, por do të jetë një ditë e re që zgjohet, e bashkë me të dhe shumë dashuri.

Unë marr jetë nga ty Ti merr jetë nga unë Bashkë u rritëm, bashkë do plakemi Do të dua dhe më shumë Ndoshta do thyejmë pjata Ndoshta zgjojmë dhe komshinjtë Rëndësi ka fundi i filmit Dhoma jonë, unë dhe ti

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.