PROPOZIMI

«Pasi i mori zemrën, vendosi t’i kërkonte dorën.

Living - - KOPERTINË -

Pas 10 vitesh lidhjeje, vendimi për martesë erdhi krejt natyrshëm. Në gjithë historinë e tyre, ata nuk i bënë asnjëherë premtime të mëdha njëri-tjetrit, edhe pse thellë-thellë, e dinin se ç’rrugë do të merrte dashuria e tyre. “Ka ardhur gradualisht ky vendim, tregon Orinda, - por unë e kam kuptuar herët që Turjani do të ishte burri i jetës sime. Jam e bindur që edhe nga ana e tij ka qenë kështu. E kishim vendosur bashkë. Do të martoheshim, do të kalonim jetën bashkë, por ende nuk kishim ndarë një datë. E vendosëm vitin e shkuar, sepse, ndërkohë, blemë shtëpinë dhe rregulluam shumë gjëra në jetën tonë”. Por, edhe pse ngjarja e madhe tashmë ishte projektuar disi në horizont, Turi zgjodhi t’i qëndronte rregullave klasike që të çojnë në këtë udhë. Kështu, vendosi të organizonte propozimin, të cilin e projektoi të ndodhte në 5 shkurtin e këtij viti, ditën kur Orinda mbushi 30 vjeç. Zgjodhi Romën për ta bërë këtë moment edhe më romantik, por, në fakt, nuk ndodhi kështu.

“Ka qenë pak i çuditshëm, - tregon Orinda duke qeshur. - Pasi kisha vendosur për dasmën e s’kisha si thosha më jo, Turi vendosi të më propozonte. Megjithatë, duke ditur se sa të rëndësishme e kisha unë vendosjen e diamantit në dorë, ai u tregua shumë i kujdesshëm për këtë detaj, duke mos e mënjanuar. Shkuam te “Piazza del Popolo”, në Romë. Sapo zbritëm nga taksia, nxori unazën. Unë e kuptova dhe fillova të tensionohesha. I thosha: ‘Jo, jo, mos e bëj, të lutem’, sepse tashmë e kisha dhënë ‘PO’në dhe nuk doja të vihesha në siklet përpara gjithë atyre njerëzve. Unë i thosha ‘mos e bëj’, ai më thoshte ‘më lër’. Pranë nesh, rastisi një burrë me lule, i cili e kuptoi se ç’po ndodhte dhe na u turr. Turi po më propozonte, ai donte të na shiste lule dhe nuk po më linte ta shijoja atë moment, sepse ishte gjithë kohës me ne, aty. Unë i shmangesha, ky i thoshte ‘prit pak’. Çfarë momenti ka qenë! Siklet derisa iu larguam nëpër rrugica, se ai na ndiqte. Por, ka qenë një çast që do të kujtohet gjatë sepse ka qenë edhe me shumë humor”, - përfundon Orinda duke qeshur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.