FUSTANI I ËNDRRAVE TË ORINDËS

«“Ja si ia dola të vishja një fustan të 2018-s”

Living - - KOPERTINË -

Orinda është nga ato vajza për të cilën fustani i bardhë ka filluar të “qëndiset” që në ëndrrat e fëmijërisë, ashtu sikurse edhe momenti i ngjitjes në altar. Mbase atëherë bukuroshja sykaltër nuk e dinte se kush do të ishte përkrah saj në këtë çast të rëndësishëm, por e dinte se cilatdo të ishin rrethanat, do të vishte fustanin më të bukur në botë.

Përfshirja në botën e artit dhe televizionit i dha asaj mundësinë që të “vishte” disa herë ëndrrën e vellos së bardhë. Është bërë tetë herë nuse për sfilatat e “Geraldina Sposa”-s. Gjithashtu, programi i saj “Fustani i ëndrrave”, e ka mprehur edhe me mirë shijen e Orindës për nusërimin. Por kur jeta ta ofron kaq shpesh mundësinë për të qenë afër ëndrrës tënde më të madhe, gjërat nuk thjeshtohen kur vjen çasti yt i vërtetë. Kështu, Orinda, edhe pse me kaq përvoja paranusërimi, e pati të vështirë të zgjidhte fustanin e saj të nusërisë. Megjithëse, duhet thënë, edhe shumë më e favorizuar se vajzat e tjera, për të gjetur të duhurin, pse jo, edhe më të bukurin në botë. “Kam veshur shumë fustane të bardha. Në sfilatat e “Geralinda Sposa”-s

jam veshur tetë herë nuse e në dhjetë vite, i bie ta kem veshur vërtet shumë herë atë, por momenti yt është tjetër emocion, - rrëfen Orinda në këtë intervistë ekskluzive për revistën “Living”. - Ndaj kisha frikë se çfarë do të zgjidhja. Por kur vjen çasti, del para fustanit tënd, ai ta jep bam dhe nuk ka tjetër. Kur ti e vesh atë, është ndryshe nga çdo fustan që ke provuar. Është energji krejt tjetër”, - thotë Orinda.

Ndërkohë që dasma qe planifikuar, dy miqtë dhe bashkëpunëtorët e Orindës, Armand Peza dhe Marçela Lati, administratorë të “Geraldina Sposa”-s, e ftuan atë të ndiqte nga afër sfilatën e Pronovias në Barcelonë, për të parë nëse mund të krijonte aty një ide për vellon e bardhë. E shoqëruar edhe nga motra e saj, të gjithë bashkë u nisën në janar drejt Spanjës, për të gjurmuar fustanin e ëndrrave të Orindës. “Do të prezantohej koleksioni i 2018-s, - tregon Orinda. - Aty ishte dhe atelieri. Shkova dhe shpresova shumë që do ta gjeja fustanin e dasmës, por, gjithsesi isha e qetë tek kjo pjesë se thashë që sido të jetë puna, kam Geraldinën. Do të ma disenjojnë një fustan në trup, si ta dua unë. Të them të drejtën, nuk kisha ide të qartë se si e doja fustanin. Flisja shpesh me motrën dhe me Marçelën për këtë. Kisha vetëm një detaj që doja të mos e kishte fustani im: Ekstravaganca. Pastaj, pjesa tjetër ishte e paqartë.

“Orinda kishte besim absolut tek ne, - tregon Marçela, - dhe kjo ma rriste përgjegjësinë, por në të njëjtën kohë ma lehtësonte punën. Në sfilatat e ‘Geraldinës’, Orinda është shfaqur nuse gjithmonë si kukull, me fustane të fryra ose të shkurtra, dhe ne vetëm atë imazh nuk do të donim që ajo të kishte në dasmë. Ajo ishte vetë e orientuar drejt një fustani që t’i derdhej në trup dhe t’i tregonte linjat dhe e donte minimalist, jo ekstravagant. Çdo ditë, ne bëjmë eksperimente me pamjen, ndërkohë që ditën e dasmës nuk duhet kurrsesi të shfaqemi dukshëm. Ky ishte synimi i të dyjave.”

Filloi sfilata. Ishte shumë e bukur. Shikoja vajzat më të bukura të Europës të kalonin me fustanet e bardha. Sytë më mbeteshin gjithmonë tek të thjeshtët. Të thjeshtë? Edhe pse për vete do të isha shumë rehat, nuk e di, por nuk isha plotësisht e bindur,- vazhdon rrëfimin Orinda. Sfilata po mbaronte. Akoma nuk po dilte fustani që doja dhe kisha filluar ta ndaja mendjen që nuk do ta gjeja aty. Pas sfilatës, Marçela më pyeti nëse më pëlqeu ndonjë gjë. ‘Pashë njërin që më pëlqeu’, - i thashë. Ai ishte komplet i bardhë, pa asgjë tjetër. Vetëm kishte atë elementin që unë e doja. Marçela më tha: ‘Mirë, shohim edhe një herë me qetësi nesër dhe, po nuk e gjetëm, të paktën e dimë se çfarë do të bëjmë.’ Të nesërmen, kur shkuam në pavijonin ku ekspozoheshin fustanet, kaluam aty gjithë ditën, nga mëngjesi deri në orën 22:00. Sigurisht që te pjesa e atelierit më mbetën sytë te ‘fustani im’. E pashë dhe e ripashë, e pasi u riktheva për herë të tretë, thashë: ‘E gjeta! Ky është

fustani im!’ Ishte vërtet fustan ëndrrash për mua, ndaj nuk ngurrova më. Isha shumë e lumtur, sepse ishte akoma janar dhe e vetmja gjë që shqetëson një vajzë për dasmën e saj është fustani. Kështu ndihesha edhe unë.”

Marçela bëri menjëherë porosinë. Firma nuk u tregua e gatshme për ta realizuar në afatet kohore që u kërkua, sepse fustani që Orinda zgjodhi, nga stilisti Herve’ Moreau pretendohej të dilte në 2018-n.

Por, Marçela tregon se si e bindi firmën ta sillte fustanin në kohë. “I thamë që kemi një nuse speciale, që ka sfiluar për vite për “Geraldinën” dhe që është vajzë ekrani. Pas atij çasti, nuk pati asnjë lloj hezitimi, u vunë të gjithë në punë dhe i dhanë prioritet atij fustani”.

U ra dakord që fustani do të dërgohej shpejt. U morën masat, sepse fustani do të qepej enkas për trupin e Orindës. Në qershor, diku një muaj para dasmës, fustani mbërrin në Tiranë. Marçela njoftoi Orindën, por ajo nuk vrapoi menjëherë për ta parë. E mori me një lloj qetësie. Kaluan ditë dhe Marçela i telefonoi përsëri, duke i thënë se duhej të bënin një provë, për të parë nëse fustani do të kishte nevojë për ndërhyrje dhe përshtatje në përmasa. “Shkova. Deri në ato momente e kisha marrë me qetësi, - rrëfen Orinda. - U bë gati fustani, doli me atë qesen e bukur. Ishte një çast magjik. Unë e hapa ngadalë, që ta shijoja të gjithë procesin. Një miku im po e xhironte këtë çast, sepse doja ta kisha kujtim. E hapa dhe kur ai shkëlqeu, sepse fustani ka një shkëlqim të veçantë, u emocionova dhe thashë: ‘Ua, erdhi!’ Ky ishte momenti që më futi vërtet në gjendjen e dasmës dhe më emocionon edhe tani kur flas. Pastaj, kur e vesha, kuptohet që u emocionova përsëri, por emocioni i parë ishte kur e hapa. Gjithçka ishte perfekte. Më rrinte për mrekulli. E kisha porositur një numër më të vogël me idenë që do të humbja në peshë gjatë kësaj kohe dhe kisha merak se si do të më rrinte. Por ai qëndronte aq mirë në trup, pa pasur nevojën e asnjë lloj ndërhyrjeje. Kur e pashë që rrinte fiks, m’u shtua lumturia. Pastaj, qava pa fund, u emocionova pa masë”.

“Fustani i përbërë i gjithi prej dantelle, - shpjegon Marçela, - nuk ka peshë fare. Derdhet shumë bukur në trup. Ajo u duk si një skulpturë e tornuar kur e veshi, falë materialeve që ka. Është shija e parë e 2018-ës që u ofrohet nuseve edhe Orinda pati fatin ta vishte në kohë këtë fustan”.

Aq magjepsës ishte ai fustan saqë sa herë Orinda vijonte ta provonte, emocionohej përsëri. “Çasti i dytë kur u emocionova me fustanin, ishte kur e vesha për mamin dhe motrën. Edhe aty, prapë qava, sepse duke parë mamin, motrën, u preka sërish.”

Plot me emocione ka qenë rruga e Orindës drejt altarit. Nisi me fustanin e bardhë, vazhdoi me festën e beqarisë e si për merakun e saj që dita e dasmës të ishte pa këta lot të bardhë, nuk ndodhi kështu.

FOTO: Elvis Gorica

SILVANA, (MOTRA E ORINDËS) ME NIPËRIT DHE MBESAT

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.