JONA CUCI

VESHUR ME PERSONALITET

Living - - MODË -

“Jo vetëm ta admirosh natyrën, por ta veshësh atë”, - thotë Jona me koleksionin “Verë 2017”, i cili sjell të plotë ciklin e kësaj stine me gjithë gjallërinë, gëzimin, ngjyrat dhe format. Në secilën veshje, ajo thekson brishtësinë e femrës përmes materialeve prej tyli e transparente dhe forcën që del në pah prej materialeve të plota, si lëkura dhe aksesorët metal. Origjinaliteti i Jonës qëndron jo vetëm te mënyra sesi i kombinon ato, por edhe për asimetrinë në formë. Në fund, rezultati është mahnitës, secila veshje duket si një aksesor më vete.

NDOSHTA NGJYRA E ZEZË NUK JU ËSHTË DUKUR ASNJËHERË E PËRSHTATSHME PËR VESHJET VERORE,

por, stilistja Jona Cuci e ka ndërtuar koleksionin e saj mbi këtë ngjyrë. Megjithatë, për të “zbutur” egërsinë e së errëtës, ajo ka zgjedhur ta thyejë me materialet për realizimin e veshjeve. Copat e tylta në ngjyrë të zezë janë i vetmi kombinim që sipas saj ndërthur forcën me brishtësinë femërore.

Një koleksion i punuar i gjithë me dorë, i cili merr më shumë vlerë pasi punohet imtësisht, si për realizimin e aplikacioneve me lule tredimensionale, ashtu edhe për pikturat mbi copë me bojëra rezistente tekstile. Ky element nuk është i ri për Jonën dhe as i ndikuar nga trendi i emrave të mëdhenj të modës. Ajo tregon se i pikturonte veshjet e saj kohë përpara se të ndiqte ëndrrën në Universitetin e Arteve për tekstil dizajn. Pasi zbuloi magjinë e personalizimit të veshjeve përmes pikturës, nuk hoqi më dorë prej tyre. Tashmë, ky është kthyer në detajin identifikues të veshjeve të Jonës, të cilat vijnë si vepra të kompletuara arti.

Një veshje mund të të kthejë në qenie mitike nëse përmes saj përcjell elegancë, zbulon anën e brishtë dhe të ndërgjegjëson për fuqinë që buron së brendshmi e natyrshëm reflektohet së jashtmi. Këtë petk i vesh femrës stilistja Jona Cuci me koleksionin e saj të fundit veror. Krijimet e saj janë skulptura sa të ngurta, aq edhe delikate, ashtu si vetë natyra, muza e pashtershme e frymëzimit të saj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.