MISS BLERTA

VAJZA QË NJEH VETËM FITORE

Living - - HISTORI -

Jetojmë në kohën e së bukurës, ku njerëzit kujdesen për pamjen, zgjedhin ushqime të shëndetshme, produkte kozmetike që zgjasin rininë e freskinë dhe nëse hedh sytë përreth, të zë syri kudo vajza të bukura e me stil. Nuk është e lehtë të zgjedhësh se cila është më e bukura, por kur vjen puna te Blerta Leka, kjo nuk është aspak e vështirë. Në fazën finale të “Miss Universe Albania”, në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, gjithë publiku thërriste njëzëri emrin e saj për ta kurorëzuar si më të bukurën. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që Blerta fitonte një konkurs bukurie. Kështu kishte ndodhur edhe 4 vjet më parë, ku nga 85 konkurrente kishte triumfuar si modelja më e mirë dhe ia kishte dalë të lidhte edhe një kontratë pune. Në muajin tetor të këtij viti, Blerta do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Universe” që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A do të jetë kjo kurorë e treta e vërteta për të?

Mbrëmja e 29 qershorit, ku në një mbrëmje elegante u kurorëzua “Miss Universe Albania”, një spektakël i cili u transmetua në ekranin e Vizion Plus, ndryshoi shumëçka në jetën e 18-vjeçares. Së bashku me kurorën, ajo mori edhe shumë vëmendje, të cilën nuk e fsheh aspak që e kishte ëndërruar. Sytë ishin tek ajo, më e bukura e Shqipërisë, gjë që u vu re edhe në rrjetet sociale, ku ndjekësit e saj u shumëfishuan në pak minuta. Madje producenti i “Miss Universe Albania”, Eduard Deda, u kujdes vetë që ajo të kishte një axhendë të mirëpërcaktuar për të qenë sa më korrekte e për t’iu përgjigjur të gjitha intervistave televizive, medies së shkruar apo portaleve, pasi interesi për të njohur personazhin më të ri të showbiz-it ishte i madh. Blerta po e shijon çastin kur projektorët janë kthyer drejt saj dhe për të mos mbetur vetëm një çast, ajo e di se duhet më shumë sesa një kurorë. Ajo synon botën e televizionit dhe uron që shumë shpejt, t’i jepet mundësia të provojë veten si moderatore. Gjatë muajve që vajzat përgatiteshin për mbrëmjen e madhe, emisioni i së dielës në Vizion Plus “Një ditë me Miss-in” i dha vetëbesimin që i duhej për të kuptuar se televizioni do të ishte e ardhmja e saj.

Ndonëse të gjithë duartrokitën vendimin për kurorëzimin e Blertës, vetë ajo kishte dyshime nëse do t’ia dilte dhe kishte aq shumë emocione teksa u shpall fituese, saqë nuk dinte si t’i shfaqte ato. E kishte ëndërruar me qindra herë atë çast e megjithatë, asnjëherë nuk kishte qenë aq magjik sesa kur ndodhi në të vërtetë.

“Kur dëgjova emrin tim si fituese, përjetova një gëzim dhe emocion, të pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Ndoshta do të çuditeni nëse them se një emocion të tillë, aq të fortë, nuk do të doja ta përjetoja më, për të mos e ngatërruar me asgjë tjetër. Dua që në kujtimet e mia, të mbetet i paprekur, me gjithë intensitetin me të cilin e përjetova.”

«Kur dëgjova emrin tim si fituese, përjetova një gëzim dhe emocion, të pakrahasueshëm me asgjë tjetër saqë nuk do të doja ta përjetoja tjetër.» më, për të mos e ngatërruar me asgjë Blerta Leka, “Miss Universe Albania”,

Tashmë Blerta po jeton ëndrrën dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve, po kujdeset më shumë për dietën dhe aktivitetin fizik, për të dhënë më të mirën e saj në konkursin ndërkombëtar të bukurisë. Kjo gjë do të thotë më shumë punë e më pak pushime. Megjithatë, puna dhe pushimet “u takuan” në vendin e duhur, në Mikonos të Greqisë. Blerta, së bashku me produksionin e eventit, janë vendosur për disa ditë në ishull, për të realizuar dy shërbime fotografike: njëri me fustane nusërie e tjetri me veshje të realizuara nga stilistja Mirela Nurçe. Fituesja e “Miss Universe Albania 2017” ka nënshkruar kontratën e saj të parë si imazh i sallonit më të ri të fustaneve të nusërisë në kryeqytet, “Anna Sposa”.

Në çdo foto, ndihet atmosfera dhe energjia pozitive e ishullit, që të jep kënaqësinë të shijosh gjërat e thjeshta, dhe shfaqet struktura karakteristike mesdhetare, me rrugicat e ngushta, muret e bardha, portat e drunjta ngjyrëblu dhe lulet bugenvile.

Ndonëse e shkujdesur, edhe pa kurorën e më së bukurës dhe e veshur me koleksionin e Mirela Nurçes, Blerta tërhoqi vëmendjen e vendasve dhe turistëve, të cilët kërkonin vazhdimisht të bënin foto me të. “Kam bërë aq foto me turistët, sa edhe për editorialin”, - e përmbyll Blerta rrëfimin e saj për “Living”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.