FRIKA MË E MADHE SOT ËSHTË PËRBALLJA ME TË TJERËT

Living - - SHËNDET & MIRËQENIE -

Dikur, frika më e madhe e njeriut ishte përballja me agresorët, kryesisht me kafshët gjigante, sepse mbijetesa ishte gjëja më e rëndësishme. Për të mbijetuar, njerëzit bashkoheshin dhe i luftonin në grup, duke ndarë edhe gëzimin e fitores, edhe dhimbjen e humbjes. Në ditët e sotme, frika më e madhe e njeriut është përballja me të tjerët, sepse pranimi dhe vlerësimi i tyre, tanimë janë gjëja më e rëndësishme. Për të fituar vlerësimin e të tjerëve, qofshin këta fizikisht përballë apo nga ana tjetër e ekranit të celularit dhe kompjuterit, njeriu gjendet i vetëm, i konkurrueshëm dhe, mbi të gjitha, me nevojën për të minimizuar (dëshira do të ishte që t’i zhdukte fare) mangësitë apo defektet. Kështu, duke ndier nevojën të pranohet, njeriu i kohëve moderne iu afrohet të tjerëve në përpjekje për të gjetur veten, por, në fakt, rrezikon t’i largohet asaj.

Sot, të gjithë jemi njerëz publikë për aq kohë sa kemi një profil në rrjetet sociale. Sot, personazhet e njohura, janë të tilla më shumë se kurrë më parë. Në çastin kur përshfaqim profilin publik, nuk dihet se sa të ndërgjegjshëm jemi për rëndësinë që ka mendimi i të tjerëve, në mënyrën se si do ta shohim veten. Ajo që kuptojmë shpejt është se, fotografitë, mendimet, opinionet që ne përcjellim, kanë nevojë për vëmendje të veçantë: ne i shohim, i rishohim dhe i filtrojmë, derisa vendosim se “cilat na përfaqësojnë më mirë”. Numri i klikimeve, pëlqimeve dhe ndjekësve, na jep një ide të përgjithshme nëse të tjerët na pëlqejnë apo jo. Nëse njerëzit kthejnë kokën për të na riparë, nëse na përkëdhelin me sy apo dëshirojnë të na kenë pranë me çdo kusht, na përkëdhelin sedrën dhe ndihemi më mirë.

Po nëse ajo që pëlqejnë të tjerët, na nxit të ndryshojmë aq shumë, sa të mos e njohim më veten? Po nëse të tjerët nuk na pëlqejnë aq sa duhet? Po nëse mendimi i të tjerëve për të bukurën ndryshon shpejt dhe shpesh? Dhe “nëse”-të mund të vazhdojnë pa fund. Ajo çfarë mbetet, është nevoja për të kuptuar rëndësinë që ka ekuilibri midis asaj çka jemi (nga e cila nuk do të duam të heqim dorë për asnjë, për asgjë dhe në asnjë rrethanë) dhe asaj që do të na bënte të pranueshëm nga të tjerët (do të ishte shumë mirë po të na vlerësonin). Për këtë duhet të mendojmë mjaftueshëm dhe vazhdimisht. Në këtë mënyrë, kur të tjerët jemi ne dhe duhet të vlerësojmë tjetrin që kemi përballë, duhet të kemi mirësinë të mos e nxitim të tjetërsohet deri në tëhuajëzim, sepse kostoja është shumë e lartë. Individi rrezikon të humbasë veten dhe shoqëria rrezikon të humbasë individin. Por a jemi të gatshëm të humbasim kaq shumë?

Duhet ta pranojmë se janë të shumtë ata, për të cilët pamja e jashtme, pranimi dhe vlerësimi nga të tjerët, nuk janë të lidhur pazgjidhshmërisht. Ti mund të jesh njëri/njëra prej tyre. Ky shkrim ishte edhe për ty. Le të jemi të vërtetë deri në fund. Edhe për ty, pranimi dhe vlerësimi nga të tjerët është i rëndësishëm, por u ke dhënë përgjigje kohë më parë pyetjeve të mësipërme…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.