Happy Belly

Living - - PASION -

Një shembull tjetër i ushqimit të shpejtë dhe të shëndetshëm është “Happy Belly” ose “barku i lumtur”, një perlë e fshehur në hyrje të bllokut. Tixhja është ideatorja, sipërmarrësja dhe punonjësja, e cila prej dy vitesh tashmë, ka gërshetuar punën, pasionin dhe dashurinë në këtë sipërmarrje. Një hapësirë e vogël, por e dashur, me aroma dhe arredim shtëpiak ose mjete rrethanore. Te Tixhja gërshetohen bukur tradita, shijet shqiptare dhe filozofia vegane e vegjetariane, të cilat përkthehen në pispili me fara çia apo lini, smoothie dhe lëngje me fruta e perime të freskëta stine. Këtu, ushqimi është i personalizuar, sipas nevojës, problematikës, urisë, shijes e shumë kërkesave të tjera. Tixhja është si një ciceron që të udhëheq në botën e magjishme të natyrës dhe elementeve përbërëse të saj, duke të shpjeguar vetitë, vlerat ushqyese, kombinimet apo pjatën e preferuar të saj apo të ndonjë klienti të përhershëm.

Qëndrimi në këtë ambient është më shumë si terapi shpirtërore dhe më pas trupore, dhe këtë, e kupton nga mënyra se si e përshëndesin klientët apo se si kryhen porositë. Kur e pyes nëse në planet e ardhshme, ka si objektiv zgjerimin e biznesit, apo “shërbimin taksi”, ajo thotë: “Rëndësi primare për mua, ka cilësia. Është shumë e rëndësishme të specifikoj që duhen dy makineri për të shërbyer lëngun, në mënyrë që të mos humbasë vlerat ushqyese: një makineri që bën mbylljen hermetike dhe një tjetër me motor të ngadaltë, e cila gjatë shtrydhjes kujdeset që enzimat të mos humbasin. Pa këto makineri, nuk mund të kaloj te ‘shërbimi taksi’”. Hapja e një ambienti tjetër të këtij lloji, e vë sërish në mëdyshje, sepse do të humbiste komunikimin aq të ngrohtë dhe personal që ka me klientët. “Sepse, rregulli i parë dhe i vetëm në “Happy Belly” është që çdo gjë të jetë e prekshme, e bukur dhe e thjeshtë.”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.