TARTË ME KUNGULL TË VERDHË,

Djathë Gorgonzola dhe fara kungulli

Living - - KUZHINË -

PËRBËRËSIT PËR BRUMIN, PËR TAVË ME DIAMETËR 26 CM-OSE MUND TË PËRDORNI BRUMË BRISÉE GATI

• 125 g miell i bardhë • 125 g miell integral (kaf) • 150 g gjalpë nga frigoriferi, i prerë në kubikë të vegjël • 1 kokërr vezë e madhe • 1 lugë e vogël kripë

• 50 g fara kungulli, të grira imët në mikser ose futini në një qese dhe shtypini me rrahësen e mishit.

PËR MBUSHJEN:

• 1/2 kungull • 100 g djathë Gorgonzola • një grusht lajthi të grira, jo shumë imët • 1 grusht fara kungulli • 2 kokrra vezë • 150 g pana kuzhine • kripë e piper sipas nevojës

PËRGATITJA:

Ndezim furrën në temperaturën 250° C.

1. Kungullin e larë, e presim në copa pa ia hequr lëkurën. E vëmë në tavën ku kemi shtruar letër furre dhe e pjekim derisa të zbutet. (Nëse dëshironi, mund ta zieni në tenxhere me avull.) Kur të jetë pjekur, ia qërojmë lëkurën dhe e presim në feta.

2. Ndërkohë, përgatitim brumin: në një tas, përziejmë miellin, kripën dhe gjalpin, derisa të bëhen si thërrime. Shtojmë farat e kungullit dhe vezën e rrahur më parë me pirun, dhe vazhdojmë t’i përziejmë. E hapim brumin me dorë direkt në tavë, duke i dhënë formën e tavës, por edhe duke veshur anësoret e saj, që të mbajë mbushjen. E shpojmë me pirun dhe më pas e lëmë në ngrirje për 30 minuta, ose te ftohja për 1 orë, ose edhe 24 orë nëse e përgatisim një ditë më parë, por në këtë rast e mbulojmë me plastmasë kuzhine.

3. Pas kësaj kohe, marrim tavën nga ngrirja dhe e vëmë të piqet për 20 minuta në temperaturën 180° C. Më pas, e nxjerrim nga furra dhe renditim në të fetat e kungullit dhe të djathit, derisa t’i mbarojmë të gjitha. Përziejmë në një tas vezët me panën, pak kripë e piper dhe i hedhim në tavë. E spërkatim me fara kungulli dhe lajthi.

E pjekim në furrë për rreth 35/40 minuta ose derisa të shohim që ka marrë ngjyrë lartë e poshtë. E shërbejmë të vakët.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.