Ç’DO TË THOTË TË JESH FLEKSIBËL?

Living - - SHËNDET & MIRËQENIE -

Në fakt, është e vështirë të përcaktohet. Disa njerëz janë fleksibël kur ndryshojnë planet e darkës, disa veshjen, disa sepse arrijnë të bëjnë sparkatën. Disa janë fleksibël se ndryshojnë bisedën në kohën e duhur. Disa ndërrojnë mendimin, por pa ndryshuar bisedën. Disa nuk ndërrojnë as mendimin dhe as bisedën. Këta të fundit, janë tmerrësisht të mërzitshëm! Ka një të dhënë shkencore që tregon se të qenët fleksibël emocionalisht, na ndihmon në shëndetin mendor. Nuk është se bëra një zbulim të madh me këtë që thashë. Kjo dihet, do të thoni ju, por, në fakt, më shumë sesa dihet, merret me mend, sepse zbatohet shumë pak. Kur shpeshherë e gjejmë veten të habitur mes turmës, na trembin stimujt e rinj, rrethanat e panjohura, ndryshimet, madje edhe fillimet. Të mësosh të përballesh në rrugë fisnike dhe krijuese me këto të panjohura, nuk është e thjeshtë. Sigurisht, kërkon një lloj përshtatjeje dhe zhvillimi personal. Kërkon të ulësh “muret e tua” dhe të ndryshosh rregullat që ke ndjekur deri dje; kërkon të përqafosh të renë dhe të shohësh zhvillim tek ajo, sepse jeta është plot me ndryshime dhe ndonjëherë, duhet të heqësh dorë nga ajo që po bëje dhe të nisësh diçka tjetër; të ndryshosh kurs, të ndryshosh mjete; të kesh aftësinë të jesh fleksibël edhe në çastet më stresuese. Për shembull: nëse në një situatë të rëndësishme për ty, gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të përshtatesh duke gjetur forma të tjera mbijetese, sepse të ikësh është shumë e lehtë, por zakonisht ikin frikacakët, ata që nuk janë fleksibël. Ikin ata që zgjedhin rrugën më të shkurtër. Por, çështja është të qëndrosh dhe të mos lejosh stimujt e rinj të të prishin ekuilibrin, sepse nëse fokusohemi vetëm te luftimi i pengesave të reja që na dalin, ne humbasim kohë dhe energji, mund të ulim performancën, të humbasim një punë apo dikë. Ndaj çështja është të ecësh me rrjedhën, pengesë pas pengese, duke e fokusuar energjinë në arritjen e përfitimeve personale. Prandaj duaje ndryshimin dhe mundësitë e reja, madje, edhe kur, herë pas here, gjërat bëhen monotone. Rriti vazhdimisht pritshmëritë, sepse “e mira s’ka fund”!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.