3-shi i ëmbël i Estelës

Living - - VJESHTË 2017 -

Pasi je bërë nënë e dy fëmijëve, qofshin ata djem apo vajza, dëgjon të të thonë vazhdimisht: “Hajde, ishalla me një gocë tani!” (në rastin kur nuk ke vajza) dhe e kundërta: “Me një çun, kësaj radhe!” (në rastin kur nuk ke djem). Personalisht, më ndodh të dëgjoj të parën, sepse unë kam dy djem. “Hajde se të duhet goca, e ke për vete,” – më thonë. Mes këtyre urimeve, shpesh e kam gjetur veten tek buzëqesh e sforcuar, miratoj me kokë e, herë të tjera, kthej një përgjigje sa për të ndryshuar bisedën: “Janë punët e Zotit! Po erdhi… mirë se të vijë!” Ndërkohë, vetëm mendimi më lodh! T’ia nisësh nga e para, të të prishet gjithë ritmi i ndërtuar i këtyre viteve, me netët pa gjumë, të qarat e vazhdueshme, belbëzimet e para e të tjera si këto. Uffff! Por po të jetë vërtet vajzë, sigurisht që do t’ia vlente çdo sakrificë!  E nëse të vjen papritur, ndoshta është më mirë, sepse ndodhesh përballë faktit dhe, dashur pa dashur, fillon ta mendosh e të thuash: “Pse jo? Edhe një pjesëtar i tretë i familjes është i mirëpritur!”

Kështu ka ndodhur edhe me blogeren e njohur, Estela Ujka, e cila prej vitesh njihet si femra ikonë e modës. Pa komplekse dhe me një guxim ndryshe nga shoqet e saj fashioniste, ajo ka ditur të mbajë një ekuilibër të mirë, duke thyer dhe “rregullat” e Instagram-it plot filtra (kur para disa kohësh publikoi foto me celulit dhe në rrjetet sociale u fol gjatë për transparencën e saj). Paçka të gjithave, Estela na ka treguar se ka një familje të lumtur, të cilën e ekspozon vazhdimisht, duke marrë edhe më shumë klikime, sesa kur del vetëm. Gjatë këtyre viteve, ajo ka kuptuar se, kur je vetvetja, njerëzit të pëlqejnë më shumë, dhe këtë mundohet ta transmetojë gjatë përditshmërisë së saj. Si nënë e dy vajzave, të dyja në shkollë, pasditet e saj ia kushton të gjitha familjes. Maksimumi që i lejon vetes, është një aktivitet, mundësisht në fundjavë. Ajo gjithashtu është bankiere e bashkëshorte dhe e gjithë kjo kërkon përkushtim dhe pasion.

Sot, ajo ndodhet para faktit që një pjesëtar i ri do të vijë në familjen e saj aty nga fundi i marsit. Për të qenë e sinqertë, nuk e kishte menduar, edhe pse në deklaratat me miqtë, shpesh bënte shaka e shprehej entuziaste për një fëmijë të tretë, ama gjithmonë me shpresën që nuk do të ndodhte vërtet. Duke qenë pjesë e spektakleve që 17 vjeçe, nuk kishte ëndërruar një familje të madhe, por nuk i vjen aspak keq tani që familja e tyre do të jetë e tillë.

Estela kujton se shenjat e para të kësaj shtatzënie kanë nisur gjatë pushimeve të verës në Turqi: “E ndieja që nuk i afrohesha dot ushqimit dhe mendoja se kjo vinte si pasojë e sasisë që ofrojnë resortet andej, duke mos e kuptuar që ndjesia e përzierjes vinte nga tjetër shkak. Sapo u ktheva në Shqipëri, bleva testin e shtatzënisë, me shpresën se ishte thjesht një vonesë, por, me sa duket, nuk ishte ashtu. Mund të them që ndryshe nga dy shtatzënitë e para, këtë herë ndiej më shumë frikë e pasiguri se si do të shkojë, por dhe si do ta përballoj ngarkesën më pas. Barku në shtatzëninë e tretë dalka më herët dhe femra bëhet shumë më e ndjeshme. Mund të them që lajmi nuk ishte fare i papritur për bashkëshortin tim, i cili me sa duket, kësaj here e paska patur qëllim në vetvete dhe sigurisht që ishte një lajm shumë i bukur për vajzat, të cilat prej kohësh kërkonin një vëlla të vogël, edhe pse i kanë dy më të mëdhenj nga babai. Vajzat na u rritën dhe mendoja se mjaftonin për familjen ideale që kisha unë në mendje. Por, edhe një pjesëtar i ri do të gjejë një vend të ngrohtë në strehën tonë. Ah, përveç qenit, të mos e harrojmë!”

Kur e pyes nëse pjesëtari i tretë do të jetë një fashionist apo fashioniste e vogël, shprehet menjëherë: “As vajzat e as pjesëtari i tretë nuk mendoj se do të jenë të përqendruar te moda dhe fotografia, duke qenë se nëna i ka bezdisur mjaftueshëm. Ata do të zbulojnë pasionet e tyre, të cilat do t’i përmbushin dhe ne do t’i shijojmë bashkë me ta.” Në fakt, ajo ka dashur shumë të përjetojë një shtatzëni në blog, pasi mendonte që me statusin e gruas dhe të nënës, do të përmbushte një cikël të plotë. “Unë mendoj se shtatzënia është një periudhë shumë e bukur, gjatë së cilës nëna është në qendër të vëmendjes, me atë barkun e rrumbullakët, dhe duhet të pranojmë që gratë shtatzënë kanë një nur disi ndryshe. Edhe më herët në blog, unë kam dhënë këshilla për stilin gjatë këtyre nëntë muajve, duke theksuar se unë kurrë nuk kam blerë nga koleksionet Maternity. Kam zgjedhur veshje dhe prerje të cilat i rrinë një barku të rrumbullakët, por jo shtatzënave. Mezi po pres të ndaj me ndjekëset e blogut këtë eksperiencë dhe mendoj se përveç takave, të cilat do të qëndrojnë mënjanë për ca kohë, pjesa tjetër do të jetë shumë argëtuese.” Para disa muajsh, Estela u bë edhe pjesë e ekranit të TVSH–së. Një rikthim i saj, por që nuk zgjati për shumë kohë. Përvoja ishte mjaft e ngjeshur. Ngarkesa e një pune fikse në bankë dhe, nga ana tjetër, xhirime jashtë në periudhën e verës, kur personazhet e spektaklit ishin kryesisht me pushime, ishte vërtet një sfidë. Një sfidë, të cilën ajo mendon se e ka fituar, edhe falë mbështetjes së kolegëve. Rubrika e saj në TVSH, ishte si një ëndërr në sirtar dhe shpreson që ta vazhdojë si projekt privat, pasi ka patur shumë interes dhe e ka shijuar shumë.

Por, të gjitha këto angazhime nuk e bëjnë për asnjë çast të harrojë blogun, madje e frymëzojnë për të patur energjitë e duhura: “Blogu nuk është kthyer ende në barrë për mua. Është diçka që e bëj me shumë pasion dhe marr po kaq kënaqësi kur lexoj komente pozitive, të cilat e mirëkuptojnë aktivitetin tim. Unë gjej rastin të shpreh mirënjohje për të gjitha ndjekëset e mia në rrjetet sociale, të cilat më pranojnë kështu siç jam e më duan për atë që u transmetoj”. Blogerja e njohur nuk ndihej gati për një shtatzëni të tretë, por po e përjeton atë me optimizëm, duke u ushqyer shëndetshëm dhe duke u kujdesur për veten. Gjatë kësaj periudhe, ndihet e dembelosur sa më s’ka dhe hormonet bëjnë të vetën në luhatjet e humorit, por, të gjitha këto janë thjesht një periudhë kalimtare për të, sepse një buzëqeshje e pafajshme heq çdo stres e lodhje. Nuk ka nisur ende të projektojë përditshmërinë me tre fëmijë dhe as ta mendojë. Dëshiron vetëm që shtatzënia t’i shkojë mbarë dhe të jetë një fëmijë i shëndetshëm. Edhe ne të redaksisë Living, i urojmë një periudhë sa më të qetë e të gëzuar!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.