Zhaklin Lekatari - GRUAJA ME B**E

SEKSI QË THEU TABUTË E QYTETIT

Living - - VJESHTË 2017 -

Seksi është më provokues nga ekrani, sesa poshtë çarçafëve”, deklaroi artisti Andy Warhol në vitet ’70, por edhe sot e kësaj dite, një pjesë e mirë e botës nuk e ka përvetësuar ende këtë. Nëse seksi nuk do të ishte tabu, nëse do të flisnim rreth tij, do ta kuptonim se Warhol ka të drejtë, por fatkeqësisht edhe sot kjo temë mbetet tabu. Deri tridhjetë vite më parë, për ne, marrëdhënia fizike mes dy njerëzve ka qenë një temë tabu, një zonë e minuar, të cilën ende nuk kemi arritur ta çminojmë. Në ditët e sotme, vetëm një numër i vogël njerëzish (pa përfshirë adoleshentët) bisedojnë rreth përvojave të tyre seksuale. Nëse dikush në një tavolinë nis të flasë për seksin lirshëm, pa komplekse, të pranishmit ose do të ulin sytë nga telefoni, ose do të përpiqen të ndryshojnë temën e bisedës, duke folur për dukuritë klimatike, ose do të kolliten, skuqen etj. Një gjë e tillë ndodh ngaqë asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të flasë për përvojat seksuale, nuk është mësuar ta bëjë këtë. Frika se përvoja e tjetrit mund të jetë më e mirë se e tija, e bën bashkëbiseduesin të heshtë ose të flasë për gjëra të paqena, duke shfaqur një realitet krejt tjetër - ky fenomen nuk lidhet vetëm me seksin, por edhe me tematike të tjera. Është frika ndaj paragjykimit që tjetërson realitetin! Por nëse për ne ky realitet është familjar, nuk ndodh kështu me gazetaren Zhaklin Lekatari, e cila do të ngrejë zërin për të kundërshtuar! Vetëm pak minuta të mjaftojnë të kuptosh se Zhaku nuk është si njerëzit e tjerë që mund të kesh takuar rastësisht në një tavolinë. Nëse do të thuash se ke kaluar një natë të çmendur në shtrat, paçka se këtu mund të mos ketë asgjë të vërtetë, ajo do të të përgjigjet: “Lum si ti, se unë i kam harruar netët e çmendura. Mendoj se meshkujt shqiptarë nuk dinë të bëjnë seks.” Dhe nuk mund ta kundërshtosh, përveçse t’i kujtosh edhe një herë vetes se nata në fjalë nuk kishte asgjë të çmendur, përveç vetëbesimit të TIJ se është “Superman”-i.

Me Zhaklinën mund të flasësh hapur për seksin, madje ajo ka edhe një blog për këtë, me emrin “Tabu”.

Kur bisedon me Zhakun, është e kotë të përpiqesh të hiqesh ndryshe nga ç’je, sepse ajo të kupton menjëherë. Kështu, vendosa ta lija bisedën të rridhte natyrshëm... Zhaku është Zhaku që njohim të gjithë: e thjeshtë, e vërtetë dhe e guximshme për t’i thënë gjërat siç i mendon, përpara të gjithëve.

Më duket se dikush të njohu këtu, Zhaku, por uli sytë sapo të pa. Duhet t’i kesh thënë patjetër diçka! Nuk u druheshe këtyre shikimeve skeptike kur vendose të flisje hapur për seksin?!

Sigurisht që u druhesha pak, sepse edhe unë këtu jetoj. Megjithatë mendoj se kishte ardhur koha për ta kapërcyer drojën e për t’i thënë gjërat ashtu si janë.

Si janë gjërat, Zhaku? Sigurisht, në lidhje me seksin, e kam fjalën... Realiteti është shumë ndryshe nga ai që tregohet. Meshkujt shqiptarë janë me komplekse dhe, në përgjithësi, nuk dinë të bëjnë seks.

A nuk po e tepron pak?! Dua të them, sado përvojë të ketë dikush, nuk mund të bëjë përgjithësime kombëtare...

Nuk është e nevojshme të bësh seks për të kuptuar paaftësinë e meshkujve në shtrat. Frikërat, paranojat e brendshme, ato që kanë në kokë, gjithçka, reflektohen në sjelljet e tyre komplekse. Një njeri i pasigurt me veten nuk mund të jetë kurrë i sigurt në marrëdhënie me tjetrin, madje as në shtrat. Dëgjoj shpesh femra që ankohen për këtë. Këto që them apo temat që trajtoj në blogun tim, nuk janë vetëm nga vëzhgimet apo përvojat e mia personale.

Si i përzgjedh temat që trajton? Për shembull, një nga shkrimet e tua që më vjen ndër mend, është “Për ata që nuk ta lëpijnë”. Nuk është metaforë, por i referohesh seksit oral dhe i ndan meshkujt në kategori...

Meqë askush nuk flet për këtë, nuk do të thotë se duhet të heshtim, as për këtë temë, as për çdo temë tjetër që ka të bëjë me seksin. Nga bisedat me mikesha të mia, nga njerëz me më tepër apo me më pak përvojë se unë, kam kuptuar se kjo është një çështje që u intereson, por vetëm se nuk

flasin publikisht. Pikërisht ky interes i pashprehur më nxit që të shkruaj gjerësisht dhe të them ato që ke lexuar, pra, që kjo kategori që nuk ta lëpin, përbëhet nga meshkuj, heteroseksualë, që kanë më shumë dëshirë të hanë një sufllaqe, sesa të praktikojnë një “cunnilingus” (seks oral) të denjë. Ata që nuk ta lëpijnë, ekzistojnë rreth nesh, janë si ne dhe nuk kanë ndonjë shenjë dalluese. Këta fshihen mes turmës dhe të zhgënjejnë herë pas here. Ama të gjithë këta kanë një emërues të përbashkët, nuk lëpijnë, por duan të jenë të lëpirë. Ndërkohë, askush nuk ankohet se dushi i fundit është bërë në mëngjes, që ke urinuar tetë herë, që mund të ketë një fole zogjsh aty poshtë dhe që kjo “fellatio” (seksi oral te një djalë apo burrë) nuk është një udhëtim arome “Chanel 5”. Pse ndodh e gjithë kjo? Sepse janë burra.

Ndryshe nga ç’mund të pritej, komentet që shoqëronin këtë “analizë qibarësh”, ishin pozitive. Kishte edhe burra që të jepnin të drejtë. Në përgjithësi, si reagojnë njerëzit në lidhje me këto tema?

Edhe unë jam befasuar që reagimet nuk kanë qenë të ashpra. Mendoja se do të reagonin keq, të paktën në fillim, se do të bënin komente fyese, por jo, nuk ka ndodhur kështu. Ndoshta shoqëria ka pasur nevojë të dëgjojë të flitet hapur për këtë realitet të “paprekshëm”. Unë nuk gjej problematika në internet e t’i përkthej. Ato që shkruaj, janë shqetësimet tona të orëve të vona të mbrëmjes apo të mëngjesit :)

A ka miq, shokë, burra, në rrethin tënd, të cilëve u referohesh për të trajtuar një temë të caktuar apo je një feministe e pashoqe?

Askush nuk është i përjashtuar. Sigurisht që flas me meshkuj për seksin, shokë të mi që më tregojnë për problemet e tyre në shtrat me partneret, probleme që ia vlen të flitet. Po ti sa flet për seksin me partnerin? Jo aq sa do të duhej, sepse, siç e theksova më sipër, meshkujt shqiptarë janë me komplekse dhe nuk është e lehtë të çlirohen prej tyre.

Duke iu referuar stereotipit të mashkullit shqiptar, mendoj se bëhen edhe më me komplekse përpara një femre që është më e guximshme se ata, përpara një femre që nuk ka turp a frikë të flasë për asgjë, përpara një “gruaje me bole”, siç titullohet edhe një shkrim yti. Si mendon ti për këtë? Është e vërtetë dhe kjo ndodh rëndom, sepse nuk janë të gatshëm të pranojnë që kanë një problem.

Shpesh më ka ndodhur që njerëzit të më referohen si “vajza me bole”. Kur kam qenë më e re, kjo fjali më dukej si kompliment, sikur më lartësonin dhe kapërceja atë stereotipin e gruas që rri pranë vatrës, familjes, burrit. Tani që jam më e rritur, më e pjekur, feministe dhe mendoj në mënyrë kritike, pyes veten se pse për të përshkruar një grua të fortë, duhet patjetër të përdorim ose të sjellim në vëmendje burrat dhe pjesët e tyre intime. Pse vagina, vezoret, mitra dhe të gjitha organet e tjera, që sigurojnë vazhdimësinë e jetës, nuk mjaftojnë për të na bërë të forta? Pse duhet të kemi një referencë anatomike drejt botës burrërore? Pse penisi është i barabartë me forcë dhe pse vulva jo?!

Prandaj nuk dua të jem “gruaja me bole”; në të vërtetë, unë nuk jam e tillë, sepse jam grua, jam femër; jam e fortë dhe e brishtë; jam gazmore dhe e padurueshme; jam e sofistikuar dhe e fuqishme, jam e zonja dhe mediokre. Kam qenë fëmijë, vajzë dhe tashmë grua. Kjo është e gjitha. Nëse doni të më përgëzoni, më mjafton kjo. Jam grua dhe jam e fortë.

Pse nisi e gjitha kjo? Si të lindi ideja për këtë blog sa informues, për atë që do ta shohë me këtë sy, aq edhe çlirues nga komplekset? Unë kam jetuar ca kohë në Kosovë. Edhe pse shpeshherë mund të duket e kundërta, njerëzit e atjeshëm janë (ose kanë qenë në kohën kur unë jetoja atje) shumë më patriarkalë se këtu. Unë isha një vajzë me tatuazhe, punoja në një bar dhe ndihesha e paragjykuar, e stigmatizuar. Të flisje për seksin, paragjykoheshe edhe më shumë. E kam përjetuar shumë keq atë periudhë. Ka qenë pikërisht ajo kohë kur një mikesha ime kosovare, duke më nxitur që të luftoja injorancën, më tregoi për një gazetare të njohur kanadeze, Sue Johanson-in, e cila kishte fillimisht një emision radiofonik e më pas televiziv ku fliste për seksin. Sue ishte e madhe në moshë dhe nuk përdorte aksesorë për të tërhequr vëmendjen, por vetëm këshilla për tematika që njerëzit kanë turp të flasin. Prej saj u frymëzova edhe unë. Edhe vetë e ndieja nevojën të flisja për seksin, por asokohe nuk isha gati të bëja këtë që bëj sot, ndoshta edhe shoqëria nuk ishte gati. Kanë kaluar vite që atëherë dhe sot mendoj se rrethanat janë më të përshtatshme për të trajtuar tema të tilla.

Çfarë ka ndryshuar në shoqërinë e sotme që ti u ndjeve e gatshme dhe mendove se kishte ardhur koha për të thyer tabutë?

Ç’është më e rëndësishmja, unë ndihem gati, jam e fortë, e bindur, e vetëdijshme dhe e sigurt në atë që po bëj dhe për mesazhin që dua të jap e të ndaj, apo për ndryshimin që dua të sjell. Vitet e fundit, rrjetet sociale dhe kultura pop kanë sjellë ndryshime në shoqëri, duke komercializuar gjithçka, ndoshta dhe seksin. Para disa vitesh, operacionet plastike, modelimi i buzëve, të ndenjurave apo vëmendja për pamjen e jashtme nuk ishin aq në modë sa tani. Unë dua të jem pjesë e kësaj lëvizjeje, duke informuar dhe duke krijuar një platformë të sigurt dhe me informacione të sakta për një tematikë që duhet trajtuar dhe jo mohuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.